Deshifrimi i Kinës: "Një Kinë" është ende "një Kinë""
6 Janar 2024"A i përmbaheni Kushtetutës së Republikës së Kinës?” donte të dinte një gazetar gjatë debatit të drejtpërdrejtë televiziv me kandidatët për president.
Pyetja ishte e vështirë. Ajo kishte të bënte me marrëdhëniet midis Tajvanit dhe kontinentit, midis Republikës së Kinës (ROC) dhe Republikës Popullore të Kinës (PRC). Bëhet fjalë për hapësirën ligjore për manovrim në hartimin e këtyre marrëdhënieve, të cilat do të kishin potencialin të shkaktonin, në rastin më të keq, një luftë botërore në shekullin e 21-të.
Republika Popullore si "e vetmja qeveri legjitime e Kinës"
Sipas ligjit ndërkombëtar, Republika e Kinës/Tajvani është në masë të madhe i izoluar. OKB-ja dhe shumica e vendeve në botë e kanë njohur Republikën Popullore të Kinës si qeverinë e vetme legjitime të Kinës që nga fillimi i viteve 1970. Ashtu si Gjermania, ato nuk mbajnë marrëdhënie diplomatike me Republikën e Kinës/Tajvanin. Vetëm 13 vende e njohin Republikën e Tajvanit, kryesisht shtete të vogla në Amerikën Latine dhe në Paqësor, përveç Selisë së Shenjtë në Vatikan.
Republika Popullore e Kinës e konsideron Tajvanin një provincë separatiste. Kushtetuta e Republikës Popullore të Kinës thotë në preambulë: "Tajvani është pjesë përbërëse e territorit të shenjtë të Republikës Popullore të Kinës”.
Prandaj, në kontinent nuk flitet për "zgjedhjet presidenciale" të ardhshme, por vetëm për "zgjedhje rajonale në Tajvan". Në sytë e Pekinit, termi "Tajvan" është një fjalë irrituese politikisht. Ai nënkupton opinionin e forcave politike të ishullit që luftojnë për pavarësi. Në organizatat ndërkombëtare, Tajvani quhet "Taipei kinez" (Chinese Taipeh), si në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC), ose "Territori doganor i ndarë i Tajvanit, Penghu, Kinmen dhe Matsu", si në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT). Këta janë emrat e Tajvanit plus tre ishuj nën administrimin e tij.
Bazuar në Kushtetutën e Republikës Popullore, Kongresi Popullor Kombëtar, i ashtuquajturi parlament i Pekinit, miratoi "ligjin kundër shkëputjes" në 2005, i cili legjitimon forcën e armatosur për pushtimin e Tajvanit, nëse ishulli do të shpallej shtet i pavarur. Që sot raketa të shumta janë drejtuar drejt objektivave strategjike në Tajvan. Avionët luftarakë kinezë kalojnë në mënyrë të përsëritur të ashtuquajturën vijë mesatare të ngushticës midis kontinentit dhe ishullit, ngushticës së Tajvanit.
Kina kontinentale si pjesë e territorit të Republikës së Kinës
Në Tajvan është në fuqi versioni i Kushtetutës së Republikës së Kinës i vitit 1947. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Azi në vitin 1945, Partia Popullore Kombëtare (KMT) e themeluesit të shtetit Sun Yat-sen zhvilloi katër vjet të tjera luftë civile kundër komunistëve nën udhëheqjen e Mao Ce Dunit. Pas humbjes së luftës, KMT u tërhoq në ishullin e Tajvanit në 1949.
Kushtetuta e Republikës së Kinës nuk e ka përcaktuar kufirin kombëtar. Neni 4 i vitit 1947, ende në fuqi sot, parashikon se "territori i Republikës së Kinës brenda kufijve ekzistues kombëtarë nuk mund të ndryshohet përveç me vendim të Asamblesë Kombëtare".
Që nga viti 1947, Asambleja Kombëtare e Republikës së Kinës/Tajvanit nuk ka miratuar asnjë rezolutë për kufirin kombëtar. Kjo do të thotë se kontinenti është gjithashtu pjesë e Republikës së Kinës sipas Kushtetutës aktuale të 1947. Një shpallje e pavarësisë nga Tajvani nuk do të ishte në përputhje me kushtetutën vetjake.
SHBA si mbrojtëse
Kur SHBA vendosën marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës në vitin 1979, Kongresi Amerikan miratoi në prill "Taiwan Relations Act" ("Aktin e Marrëdhënieve me Tajvanin"). Ky ligj hedh themelet për marrëdhëniet formale me qeverinë e Taipeit. Ai gjithashtu kërkon që qeveria amerikane "ta furnizojë me armë defensive Tajvanin" dhe "të ruajë aftësinë e SHBA për t'i rezistuar çdo përdorimi të forcësose formës tjetër të detyrimit që rrezikon sigurinë ose sistemin social ose ekonomik të popullit të Tajvanit".
Nëse do të ndodhte një sulm i parë ushtarak në Tajvan nga Republika Popullore, SHBA nuk do të ishin domosdoshmërisht të detyruara të mbronin ushtarakisht Tajvanin. Megjithatë, në Uashington po zhvillohen diskutime nëse Shtëpia e Bardhë duhet të angazhohet shumë më qartë për të mbrojtur Tajvanin.
"Sfondi i këtyre debateve është perceptimi i përhapur në Uashington se balanca e fuqisë ushtarake në Azi po ndryshon në favor të Kinës," shkruan politologu Marco Overhaus i Institutit për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë në Berlin.
"Përveç kësaj, Kina ka investuar për vite me rradhë në një mënyrë të synuar në të ashtuquajturat aftësi të mohimit të aksesit/zonës, të tilla si raketat balistike dhe raketat e lundrimit. "Këto aftësi do ta bënin jashtëzakonisht të vështirë për SHBA-në që t'i vinte në ndihmë Tajvanit në rast konflikti."
Mohimi i aksesit/zonës, i quajtur gjithashtu A2AD, e bën të vështirë ose ndalon kundërshtarin të hyjë në një zonë operimi dhe kufizon lirinë e tij të lëvizjes. Në praktikë, një vend i tërë mund të shkëputet nga bota e jashtme.
Veprime të pamundura
Le t'i kthehemi pyetjes së bërë kandidatëve presidencialë për lidhjen e tyre me Kushtetutën e Republikës së Kinës: situata e ndërlikuar ligjore që mbizotëron aktualisht në Republikën e Kinës/Tajvan nuk e lejon republikën ishullore të shpallet e pavarur. Kjo do të ishte një shkelje e qartë e kushtetutës së saj. Por sipas sondazheve, shumica e popullsisë kundërshton ribashkimin me kontinentin, siç parashikohet nga qeveria e Pekinit.
Çështja për të mësuar se në cilin kuadër ligjor ndodhet Tajvani në lidhje me Kinën kontinentale është si rrjedhim një çështje thjesht teorike, por mbetet tema qendrore e fushatës elektorale. Megjithatë, përgjigjet e kandidatëve për këtë pyetje të diskutueshme përmbajnë nuanca të dukshme.
Kandidati më me shanse për të fituar, i DPP-së në pushtet, William Lai Ching-te, u përgjigj në mënyrë evazive, duke e reduktuar Kushtetutën në të drejtat civile të garantuara nga shteti dhe forma demokratike e shtetit. "Në praktikë, vetëm amendamentet kushtetuese zbatohen aktualisht në Tajvan," tha Lai. Në vitin 2017, Lai u përball me kritikat se ai ishte një nëpunës civil politik që bënte fushatë për "pavarësinë e Tajvanit".
Që nga demokratizimi i Tajvanit në vitet 1990, Kushtetuta është ndryshuar shtatë herë për të hapur rrugën për një demokraci të konsoliduar. Disa paragrafë të Kushtetutës janë shfuqizuar ose plotësuar. Megjithatë, përkufizimi i territorit kombëtar nuk është përshtatur. Është shtuar vetëm një term i ri: "Zonë e lirë", e cila de jure administrohet nga qeveria e Taipeit - në krahasim me "kontinentin", që është nën administrimin e Pekinit. Termi "Free Area"("zonë e lirë") rregullon, ndër të tjera, të drejtën e votës në zgjedhjet për postet shtetërore në ROC.
Kandidati i opozitës KMT Hou Yu-ih thotë se Kushtetuta është e gdhendur në zemrën e tij. "Zona e lirë” dhe kontinenti mund të vendosin bashkëjetesë paqësore vetëm nëse "nuk e njohin sovranitetin e shtetit të kundërshtarit, por nuk e mohojnë qeverinë e kundërshtarit”.
Kandidati i tretë, Ko Wen-je, u përgjigj në mënyrë retorike: "Ne të tre nuk kandidojmë për guvernator të një shteti amerikan, as për guvernator të një province kineze, por për president të Republikës së Kinës. Pse ndodhemi këtu po të mos respektojmë kushtetutën?"
Si kryetar i Partisë Popullore të Tajvanit (TPP), Ko, i cili së fundi ka shërbyer si kryebashkiak i kryeqytetit Taipei për tetë vjet, e përmblodhi me këto fjalë situatën: "Pse po diskutojmë një çështje që nuk ka përgjigje. Do të ishte një humbje kohë dhe energji. Aktualisht, as ribashkimi dhe as pavarësia nuk janë një opsion real politik. Ajo që mbetet është statuskuoja."