1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Demonstratë e madhe antisiriane në Bejrut

Jörg Kaminski21 Shkurt 2005

Siria siç duket është e gatshme të tërheq trupat e saja nga Libani. Të paktën kështu e ka kuptuar sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe, Amre Musa presidentin sirian Bashar Asad në Damaskë.

https://p.dw.com/p/ArQQ
Libanezët kërkojnë tërheqjen e trupave siriane
Libanezët kërkojnë tërheqjen e trupave sirianeFotografi: AP

Sipas fjalëve të Musës, Asad ka theksuar disa herë se është i gatshëm të zbatoj të ashtuquajturën "Marrëveshje-Taif". Kjo marrëveshje e cila i dha fund luftës qytetare në Liban parasheh ndër të tjera tërheqjen e ushtarëve sirian nga vendi fqinj. Amre Musa pret së shpejti nga Siria hapa konkret.

Sidoqoftë është e vështirë të gjykohet se a paraqesin këto deklarata një politikë të re të qeverisë siriane. Ndoshta Asad, në fakt provon vetëm sa të zbus presionet që në adresë të Damaskut vijnë para së gjithash nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Franca. Në këtë kontekst përputhet edhe një porosi e ministres siriane Buthaynah Shaban drejtuar presidentit amerikan Xhorxh Bush dhe atij francez Zhak Shirak: "Ajo çka dëshiron rajoni është një zë i urtë dhe i arsyeshëm. Rajoni ka nevojë për një partner konstruktiv dhe të civilizuar. Siria është ky partner i civilizuar dhe konstruktiv që mund të kontriboj për paqën dhe stabilitetin në rajon dhe është në gjendje të ruaj civilizimin dhe lejon njerëzit tanë të jetojnë me dinjitet çka nuk mund të thuhet për irakianët. Andaj dua të tërheq vëmendjen që ajo çka po ndodh këtyre ditëve është shumë e rrezikshme dhe Shiraku e Bushi duhët të bashkëpunojnë me Sirinë si partnere", ka nënvizuar Shaban.

Nga ana tjetër vet në Liban opozita është duke u mobilizuar kundër sirianëve dhe kundër qeverisë së Bejrutit të varur nga Damasku. Një javë pas vrasjes së ish-kryeministrit Rafik Hariri në kryeqytetin libanez u tubuan dhjetëra mijëra njerëz për të demonstruar kundër ndikimit sirian në vendin e tyre. "Sirianët jashtë" dhe "Poshtë qeveria" shtohen thirrjet në Bejrut. Protestuesit u takuan në vendin ku është kryer atentati ndaj Haririt për të vazhduar pastaj në sheshin e martirëve ku ndodhet edhe varri i ish-kryeministrit të vrarë. Protesta u organizua nga opozita. Qeveria ka vënë ushtrinë në gjendje gatishmërie. Për të këto demonstrata janë ilegale. Megjithatë nuk është regjistruar asnjë incident. Në orën një pa pesë minuta në tërë Libanin njerëzit përkujtuan ish-kryeministrin e vrarë saktë në kohë të njëjtë para një jave.

Opozita libaneze shënoi edhe një fitore në parlamentin e vendit. Ajo arriti të bind deputetët që të debatojnë për rrethanat e vrasjes së Haririt. Kjo mund të shpie drejt një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë në parlament. Ajo ndodhet gjithnjë e më shumë edhe nën presionin ndërkombëtar. Para së gjithash Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe Bashkimi Evropian kërkojnë hetime të pavarura për sqarimin e vrasjes së ish-kryeministrit Hariri. Për këtë gjatë kësaj jave në Bejrut pritet të arrij një komision i Kommbeve të Bashkuara.