Dhuna në Beograd - dhjetëra të arrestuar
25 Dhjetor 2023Forca të mëdha policore kanë shpërndarë mbrëmë me dhunë demonstruesit e mbledhur në qendër të Beogradit, në protestën e shtatë të opozitës serbe, pas zgjedhjeve të fundit. Opozita pretendon se zgjedhjet në Beograd dhe Serbi janë manipuluar nga partia në pushtet SNS e presidentit Aleksandar Vuçiqdhe kërkon anulimin dhe përsëritjen e zgjedhjeve.
Në protestën e mbrëmshme para godinës së bashkisë në Beograd, ku ka pasur edhe dhunë fizike dhe thyerje të dritareve, u arrestuan 35 persona. Opozita akuzoi qeverinë për dhunë gjatë shpërndarjes së demonstruesve.
Dhuna gjatë protestave
Incidentet filluan kur përfaqësuesit e listës opozitare "Serbia kundër dhunës” tentuan të hynin në ndërtesën e Bashkisë së Beogradit, në mënyrë që t'iu adresoheshin qytetarëve nga ballkoni i objektit. Ata shtyn derën, por nuk arritën të hynin, pasi u parandaluan me forcë nga policia.
Një pjesë e protestuesve thyen xhamat e dyerve dhe dritave të ndërtesës. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës. Në vazhdim të tubimit, policia shpërndau protestuesit dhe arrestoi 35 persona.
Presidenti serb Vuçiq iu drejtua mbrëmë opinionit me fjalët se është mbajtur edhe mbledhja e Këshillit të Sigurisë për të diskutuar situatën, duke theksuar se trazirat ishin nxitur nga jashtë. Vuçiq i quajti demonstruesit "banditë”, të cilët nuk do të kenë sukses në destabilizimin e shtetit dhe tha se "ky nuk është një revolucion”. Për sot janë paralajmëruar protestat e studentëve në Beograd, të cilët do të bllokojnë për dy orë trafikun në qendër të qytetit.
Mediat gjermane për gjendjen në Beograd
Agjencia e lajmeve DPA shkruan se "protestuesit e mbledhur në Beogad janë përpjekur të futen me forcë në godinën e bashkisë. Ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës". DPA njofton edhe për arrestimet e dhjetëra personave.
Mediat e tjera raportojnë po ashtu për zhvillimet në Beograd, por kryesisht me lajme dhe informacione më të shkurtëra, ku thuhet se opozita dyshon për mashtrime të rënda në zgjedhjet e kaluara në Serbi.
Mediat gjermane citojnë edhe presidentin e Serbisë, Vuçiq i cili thotë se ekzstiojnë "dëshmi të fuqishme" se dhuna është planifikuar nga jashtë dhe se këtu nuk kemi të bëjmë me kurfarë "revoluacioni“.
Gazeta "Bild" rikujton se vëzhguesit ndërkombëtarë kanë konstatuar se gjatë zgjedhjeve ka pasur "parregullësi" dhe se në Beograd është parë dhunë ndaj demonstruesve. "Bild" rikujton edhe reagimin e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisëku thuhet se shkeljet e tilla të rregullave gjatë zgjedhjeve nuk janë në përputhje me një vend kandiat për anëtarësim në BE.