1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kremtohet fillimi i punës për kushtetutën e Gjermanisë

1 Shtator 2023

Më 1 shtator 1948, Këshilli Parlamentar filloi punën në Bonn. Ai hartoi Kushtetutën e Gjermanisë. Ish-presidenti gjerman Gauck e vlerësoi kushtetutën si një themel të sigurt për demokracinë.

https://p.dw.com/p/4Vqn6
Museums Alexander König in Bonn
Fotografi: picture-alliance/dpa

Pikërisht 75 vjet pas hapjes së Këshillit Parlamentar, përfaqësues të organeve kushtetuese gjermane kujtuan fillimet e punës për Kushtetutën e Gjermanisë, Ligjin Themelor. Ish-presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck mbajti fjalën e rastit në ceremoninë në Bon. "Ne u detyrohemi shumë grave dhe burrave të Këshillit Parlamentar," tha ai në Muzeun e Historisë së Natyrës Koenig. Ky është vendi ku u mblodh për herë të parë Këshilli Parlamentar më 1 shtator 1948.

Nisja e punës për hartimin e kushtetutës gjermane, 01.09.1948
Nisja e punës për hartimin e kushtetutës gjermane, 01.09.1948Fotografi: Erna Wagner-Hehmke/Haus der Geschichte/dpa/picture alliance

Gauck theksoi më tej se Kushtetuta ishte një bazë e sigurt. "Por shkalla në të cilën ajo përdoret në drejtim të lirisë, demokracisë, të drejtave të njeriut dhe paqes varet nga qytetarët," tha Gauck. "Kjo varet nga ne." Demokracia ka nevojë për qytetarë që nuk e konceptojnë shtetin vetëm si një institucion ndihmës, por që bëhen arkitektë të tij. "Shteti, demokracia - jemi ne".

"Demokracia nuk është e vetëkuptueshme"

Presidentja e Bundestagut, Bärbel Bas tha: "Ligji themelor i përkohshëm është bërë një histori suksesi". Por nuk ka nevojë të predikohet, shtoi ajo. Demokracia e lirë nuk është e vetëkuptueshme. Partitë dhe parlamentet duhet të provojnë mënyra të reja për të angazhuar e përfshirë njerëzit. Ne duhet të bashkohemi kundër atyre "që duan një vend në të cilin dinjiteti i njeriut nuk është i paprekshëm".

Joachim Gauck
Fotografi: Reuters/F. Bensch

Kancelari Olaf Scholz  tha në kuadër të ceremonisë se ishte e rëndësishme të kuptohet "se kjo demokraci më e mirë që kemi pasur ndonjëherë në Gjermani është gjithashtu një demokraci që ne duhet ta mbrojmë".

Ligji themelor për një shtet të Gjermanisë Perëndimore

Nga 1 shtatori 1948, 61 meshkuj dhe katër femra të Këshillit Parlamentar hartuan Ligjin Themelor për një shtet të Gjermanisë Perëndimore. Muzeu Koenig ishte një nga ndërtesat e pakta që nuk u dëmtuan gjatë luftës. Diskutimet faktike u zhvilluan në Akademinë Pedagogjike, që ndodhet 500 metra larg.

Më 23 maj 1949, Ligji Themelor u nënshkrua përfundimisht në Bon - dhe u miratua përsëri në vitin 1990 me ribashkimin e Gjermanisë Perëndimore dhe Lindore.

aud (dlf, dpa)