Debati mbi ligjin për sigurimin e hapësirës ajrore në Gjermani
3 Janar 2007Gazeta "Ostsee Zeitung" që del në Rostok përshkruan frontet në këtë debat të zjarrtë: "Opozita është sulur kundër ligjit të ri të ministrit Shojble për sigurimin e hapësirës ajrore. Madje për opozitën ky ligj është si një "liçencë për të vrarë të pafajshëm". Ndoshta ky është një formulim i ekzgjaruar, por shtrohet pyetja a mund të qëllohen vërtetë viktimat, në mënyrë që të mund të parandalosh një katastrofë më të madhe? Rreziku i përgjithshëm nga terrori as sot e kësaj dite nuk duhet nënvleftësuar, as në Gjermani, por nuk ka arsye për të qëlluar dhe më pas të shtrosh pyetje. Kësisoj si ministri i brendshëm edhe qeveria duhet t´i përmbahen gjykimit të gjykatës më të lartë gjermane", komenton "Ostsse Zeitung" duke pasur parasysh vendimin përkatës të gjykatës kushtetuese.
Edhe e përditshmja "Heilbroner Stimme" tërheq vëmendjen lidhur me vendimin e fundit të gjyqtarëve kushtetues në Karlsruhe: "Shojble injoron me arrogancë parimet e gjykatës kushtetuese. Gjyqtarët kushtetues përpara gjashtë muajsh e kanë rrëzuar ligjin për sigurimin e hapësirës ajrore. Pikërisht ky ligj parashikonte hapjen zjarr ndaj avionëve të rrëmbyer me pasagjerë, në mënyrë që këta të zbrisnin në tokë. Eshtë e paimagjinueshme, që të rrezikosh jetë për jetë duke marrë parasysh vdekjen e njerëzve të pafajshëm, theksohet qartazi në gjykimin e kushtetueses", vëren "Heilbroner Stimme".
Në mënyrë të ngjashme argumenton edhe komentatori i "Saarbrücker Zeitung": "Shojble shtron pyetjen e tmerrshme "jetë për jetë", dilemë kjo me të cilën përballet çdo instancë vendimmarrëse në situata të tilla. Por ai që i nënshtrohet një dileme të tillë ka humbur. Terrorizmi mund të mposhtet me përqëndrimin e të gjitha forcave me mjetet tradicionale. Mbetet vetëm një rrezik, që të jetosh me të është më mirë se sa të përshtasësh ligjin themelor me ligjet e atyre, për të cilët jeta s´ka vlerë."
Ndërsa gazeta "Süddeutsche Zeitung" kritikon, se ministri Sheuble po vë në pikëpyetje gjithnjë e më shumë të drejta themelore: "Planet e Sheubles janë përkohësisht kulmi i largimi të rrezikshëm nga policia e shtetit ligjor dhe kodi penal. Të drejtat themelore shihen më shumë si pengesë se sa si udhërrëfyese në politikën e re të sigurisë: kjo vërehet tek ligji i përgjimeve, tek zgjerimi pa kufi i kontrollit të telefonatave, tek rregjistrimi i të dhënave nga interneti, tek regjistrimi i të dhënave biometrike nëpër letërnjoftime apo kontrollet e fshehta ndaj kompjurterave privatë. Ka një tendencë të rrezikshme drejt shprehjes makabre, që e drejtë është ajo që i duhet shtetit. Një mendim i tillë ka forcë djallëzore", shkruan "Süddeutsche Zeitung".
Ndërsa "Manheimer Morgen" hamendëson, se pas iniciativës së ministrit Shojble fshihet një tjetër qëllim: "Me sa duket Shojble nuk e ka aq problem ligjin për sigurimin e hapësirës ajrore, se sa synon në përgjithësi një politikë të re sigurie. Ministri i brendshëm do të ketë mundësinë ta angazhojë ushtrinë brenda vendit jo vetëm në raste katastrofrash si: përmbytjet apo vizitat e Papës, por edhe në luftën kundër terrorizmit. Për ndryshimet e nevojshme në ligjin themelor atij i duhet të bëjë për vete partinë socialdemokrate, gjë që politikani i vjetër i rafinuar synon ta arrijë sipas parimit më të vjetër të politikës së negociimit: të kërkosh sa më shumë, në këtë rast mundësinë për të qëlluar ndaj avionëve civilë, në mënyrë që në fund të përfitosh diçka, e në rastin konkret angazhimin e ushtrisë brenda vendit", tërheq vëmendjen "Manheimer Morgen".