1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
EkonomiKinë

"De-risking"? Aspak! Investime rekorde gjermane në Kinë

2 Shtator 2024

Investimet direkte gjermane në Kinë vazhdojnë të rriten, megjithë përpjekjet për pavarësim nga Kina. Për ekonominë gjermane Kina është një partner shumë i rëndësishëm ekonomik, po si mund të arrihet ekuilibri i duhur?

https://p.dw.com/p/4k7xg
Ambasada e Kinës në Berlin, flamuri kinez valëvitet
Ambasada e Kinës në BerlinFotografi: Emmanuele Contini/NurPhoto/picture alliance

Vitin e kaluar qeveria gjermane pranoi, se tek disa lëndë dhë përbërës të rëndësishëm për rimëkëmbjen e industrisë pas pandemisë së Coronës, Gjermania është shumë e varur nga Kina. Para thirrjeve për një konkurrencë pa rregulla dhe kërkesës për më shumë pavarësim nga ekonomia e dytë më e madhe e botës, në korrik 2023, Berlini publikoi dokumentin e parë të strategjisë me Kinën. Kancelari, Olaf Scholz bëri fjalën për nevojën që të mënjanohet një varësi kritike nga Kina dhe shtoi në platformën X se "qëllimi nuk është shkëputja...me strategjinë për Kinën ne reagojmë ndaj një Kine që po ndryshon dhe po shfaqet më ofensive. Për ne vlen: Kina është dhe mbetet partnere, konkurrente dhe rivale sistemi."

Por duket, se ky apel po injorohet nga sipërmarrjet gjermane. Nëse sipërmarrjet gjermane vazhdojnë të investojnë me këto ritme në pjesën e mbetur të vitit në Kinë, si në muajt e parë të vitit 2024, kjo do të sillte dyfishimin e shumës së investimit krahasuar me vitin e kaluar. Ekonomia kineze ka përfituar 7,28 miliardë euro në gjysmën e parë të këtij viti nga investimet direkte gjermane, sipas të dhënave të Bundesbank, Bankës Federale.

Kancelari Olaf Scholz në Kinë para takimit me presidentin kinez, Jinping, flamuj të Gjermanisë dhe Kinës
Kancelari Olaf Scholz në Kinë, takim me presidentin kinez, JinpingFotografi: Xie Huanchi/AP/picture alliance

Prodhuesit gjermanë të automjeteve kundër trendit

"Të dhënat për investime në Kinë janë të lidhura shumë me degë të caktuaaa si industria e automobilëve dhe ajo kimike, theksoi Doris Fischer, profesore për bizneset me Kinën dhe ekonominë në Universitetin Vyrcburg [Würzburg] për DW. Fatet e kësaj industrie janë të lidhura shumë më Kinën, ku çdo vit rreth një e treta e automjeteve të reja shiten në këtë vend- Në vitin 2023 në Kinë u dërguan automjete në vlerë 15,1 miliardë euro, sipas të dhënave të Shoqatës së Industrisë së Automobilëve. Fischer megjithatë thekson, se sipërmarrje të vogla e të mesme e ndjekin ndërkohë strategjinë e diversifikimit, ku pjesë të prodhimit në Kinë zhvendosen në vende të tjera premtuese si Vietnami apo Tajlanda.

Më shumë firma gjermane planifikojnë lamtumirën

Një sondazh i zhvilluar nga Dhoma Gjermane e Tregtisë në Kinë arriti në konkluzionin, se 2% e sipërmarrjeve gjermane po i shesin aktivitetet e tyre në Kinë, 7% po e mendojnë këtë hap. Sipas këtyre të dhënave numri i sipërmarrjeve që po largohen ose duan të largohen  nga Kina është dyfishuar krahasuar me vitin 2020. Por më shumë se gjysma e sipërmarrjeve të anketuara thanë, se duan të rrisin investimet në Kinë, për të mbetur konkurrues. Kostot e "de-risking", minimalizimit të rrezikut i trembin shumë sipërmarrje. "Sfida e diversifikimit është një barrë e madhe investimi", thekson Maximilian Butek, drejtues i Delegacionit të Ekonomisë Gjermane në Shangai për DW. Butek kujton, se sipërmarrjet gjermane luftojnë edhe me gjetjen e fuqisë punëtore të kualifikuar, burokracinë dhe prapambetjen në digjitalizimin në këto tregje të reja.

Automjete elektrike të prodhuesit kinez, BYD në Mynih
Automjete elektrike të prodhuesit kinez, BYD në MynihFotografi: Ales Zapotocky/CTK/dpa/picture alliance

Në strategjinë e re, qeveria gjermane ka spikatur sektorët kritikë që nuk duhet të lejojnë një varësi të ekzagjeruar nga Kina. këtu bëjnë pjesë pajisjet mjekësore, teknologjia e lartë dhe mineralet e rralla të rëndësishme për transformimin e ekonomisë në ekologjike. Kina gati ka monopol të plotë tek mineralet e rralla.

Angazhimi me Kinën të kujton varësinë nga Rusia

Gjermania akuzohet, se po bën të njëjtin gabim me Kinën, si dikur me Rusinë, kur ishte shumë e varur nga lëndët fosile ruse. Pas sulmit të Rusisë në Ukrainë në vitin 2002, kjo ndryshoi. Ndërkohë në lidhje me Kinën ka re në horizont, si rritja e tensioneve gjeopolitike në lidhje me tregtinë, të drejtat e njeriut, Deti Jugor Kinez dhe Tajvanin, të cilin Pekini e shikon si pjesë të tijin dhe ka paralajmëruar, se në rast nevoje do ta pushtojë me forcë- të gjitha këto e bëjnë shumë të cenueshme ekonominë më të madhe të Europës nëse prishen marrëdhëniet me Pekinin.

Përpunim i një helike anijeje në Meklenburg për një klient kinez
Gjermania do të ulë varësinë nga Kina, po investimet direkte gjermane në Kinë po rritenFotografi: Bernd Wüstneck/dpa/picture alliance

Butek thotë megjithatë se kjo është si të krahasosh "mollët me dardhat", pasi sipërmarrjet gjermane janë shumë më të varura nga tregu kinez se ai rus. Sipërmarrjet gjermane nuk e lënë dot mënjanë një nga tregjet më të mëdha në rritje të shpejtë. Prodhues gjermanë si Volksvagen, BASF, Siemens e shohin si vendimtare Kinën për rritjen e tyre ekonomike. Butek thotë, se sfida më e madhe për sipërmarrjet gjermane, sidomos për industrinë e automobilëve dhe makinerive është konkurrenca e fortë me sipërmarrjet kineze, kështu që sipërmarrjet gjermane duhet të investojnë shumë në aspektin studimor dhe zhvillimin teknologjik për të ruajtur pozicionin në pararojë.

Edhe investimet nga SHBA në Kinë rriten, megjithëse administrata si e ish-presidentit Trumpedhe e Bidenit përpiqet të ngadalësojë rritjen e Kinës me dogana tregtie dhe masa të tjera. Ndërkohë që investimet nga Gjermania e SHBA rriten, investimet direkte të huaja në Kinë kanë rënë dy vite me radhë, sipas të dhënave të Zyrës së Devizës në Kinë. Pasi BE ndërkohë vendosi dogana në vlerë 38% për importet e automjeteve elektrike nga Kina, sipas Butek, për sipërmarrjet gjermane ka rëndësi që BE të zhvillojë një strategji për industrinë me të cilin përmirësohet konkurrenca dhe krijohet mbrojtje nga ekspansioni kinez. "Ne nuk besojmë se më shumë burokraci do të krijojë avantazhe për sipërmarrjet tona. Bëjeni BE dhe Gjermaninë më të aftë për konkurrencë në mënyrë që prodhimi dhe zhvillimi të jenë këtu. [në Europë]", kërkon Butek.