Danimarka heq kufizimet për koronavirusin
1 Shkurt 2022Fqinja veriore e Gjermanisë po çlirohet nga pothuajse të gjitha kufizimet e koronas, pavarësisht nga numri ende i lartë i infektimeve të reja. Që nga fillimi i shkurtit, Danimarka nuk zbaton më kufizime, me përjashtim të disa rregullave të izoluara të hyrjes në vend. Detyrimi për të mbajtur maskën e gojës dhe hundës i përket së kaluarës si dhe kufizimet e mëtejshme, siç janë dëshmitë e vaksinimit, shërimi dhe testet negative. Aktivitetet e mëdha janë të lejuara, siç është i lejuar frekuentimi i lokaleve dhe klubeve të natës. Danimarka që në valën e Omikronit kërkon t'ia dalë thuajse pa masa kundër koronavirusit.
Jo më "sëmundje kritike sociale"
"E kemi kaluar fazën kritike”, tha kryeministrja Mette Frederiksen. Shifra që po mbajmë në vëzhgim tani është numri i njerëzve që sëmuren rëndë pas një infektimi. Kjo kurbë është thyer. Rrjedha më pak e rëndë e sëmundjes dhe shkalla e lartë e vaksinimit në vend janë, sipas Frederiksenit, arsyet kryesore për këtë lehtësim të përgjithshëm. Qeveria në Kopenhagë nuk e konsideron më COVID-19 një "sëmundje kritike për shoqërinë".
Danezët e kanë bërë një gjë të ngjashme shtatorin e kaluar dhe i hoqën kufizimet e korona. Më pas numri i infektimeve të reja u rrit ndjeshëm, kjo është arsyeja pse u rivendosën edhe kufizimet.
Sot, ky vendi i BE me afro gjashtë milionë banorë po përjeton infektime të reja pesëshifrore në ditë, kulme që ishte e vështirë të përfytyroheshin përpara se të shfaqej varianti omikron i koronavirusit. Megjithatë, këto shifra nuk kanë ndikim aq të madh sa mendohej në situatën në spitale dhe veçanërisht në pavionet e terapisë intensive.
Vetëm spitalet dhe shtëpitë e përkujdesjes për të sëmurë kronikë dhe të moshuarit do të kërkojnë edhe më tej që vizitorët të përdorin maska dhe pasaportën korona, në mënyrë që të mbrohen të rrezikuarit dhe të moshuarit.
Rregulla për koronan në hyrje në Danimarkë
Disa kufizime të hyrjes në Danimakrë, veçanërisht për personat e pavaksinuar, duhet të zbatohen edhe për katër javë. Udhëtarëve të vaksinuar dhe të shëruar nga e gjithë bota vërtet që nuk do t'u duhet të paraqesin më një test negativ. Qytetarët e BE dhe zonës Shengen pa dëshmi të vlefshme vaksinimi ose infektimi duhet, megjithatë, të kryejnë një test ose në ditët para hyrjes në Danimarkë ose më e vonta brenda 24 orëve nga hyrja. Në BE, udhëzimet e reja hynë gjithashtu në fuqi më 1 shkurt, sipas të cilave vaksinat e dyta janë të vlefshme vetëm për 270 ditë - ata që nuk duan të trajtohen si të pavaksinuar kur udhëtojnë pas rreth nëntë muajsh, tani duhet të dëshmojnë se kanë marrë një vaksinim përforcues.
aud/qu/ehl (dpa, afp)