COVID-19: Trupat keton ndihmojnë imunitetin
11 Shtator 2022Pse disa njerëz preken nga COVID-19 shumë më keq se sa të tjerët? Ndërkohë që disa vetë nuk ndiejnë asgjë, të tjerëve u duhet që të kalojnë javë të tëra në gjendje shtrati, mandje në rast nevoje duhet të shtrohen në spital. Ekziston mundësia që kjo pyetje të marrë disa përgjigje. Christoph Wilhelm dhe Christian Bode nga Universiteti i Bonit mendojnë se kanë gjetur një nga përgjigjet.
Christian Bode është mjek për kujdesin intensiv dhe që me fillimin e pandemisë ka trajtuar pacientë të sëmurë rëndë me COVID-19 në pavionin e shërbimit intensiv të klinikës universitare të Bonit. Ai ka vërejtur se nuk janë ataket citonike, pra reagimet e tepruara të sistemit imunitar ato që jo shpesh çojnë në infeksione të shumëfishta në trup. Duhet të ketë një shpjegim tjetër për proceset e vështira, shpesh vdekjeprurëse.
Prandaj Bode bisedoi me imunologun Christoph Wilhelm. Së bashku ata kanë kryer një studim ku kanë krahasuar ndryshimet e metabolizmit të pacientëve të sëmurë me COVID-19, me ato të pacientëve të sëmurë me grip, influenca. Kështu të dy shkencëtarët zbuluan një ndryshim që duket se ka ndikim të madh në fuqinë e sistemit imunitar.
Trupat keton ushqejnë qelizat lymfocite
Kush ka qenë një herë sëmurë rëndë e di se oreksi ikën, krejt. Fillimisht kjo gjë nuk përbën ndonjë problem, sepse trupi i njeriut ka planin e vet për raste të tilla. Kur nuk hamë ushqim ose hamë shumë pak dhe bëjmë që karbohidratet, furnizuesit kryesorë të energjisë në trup, të mungojnë atëherë metabolizmi ndryshon.
"Infeksionet kanë nevojë për shumë energji, të cilën duhet ta marrin diku,” shpjegon Christoph Wilhelm. Prandaj trupi fillon të djegë yndyrnat duke u kthyer në gjendje urie.
Gjatë këtij procesi krijohen ato që quhen trupa keton, të cilat janë të pasura me energji dhe zëvendësojnë karbohidratet. Një nga këto trupa keton është hidroksibutyrati Beta, shkurt BHB. Shkencëtarët panë se të sëmurët me grip krijojnë sasi të madhe trupash keton. Kurse të sëmurët me COVID-19 nuk tregojnë ndonjë rritje të numrit të trupave keton.
Përveç kësaj, studiuesit panë gjatë kërkimeve të tyre se trupat keton që mungojnë kanë ndikim direkt në gjendjen e sistemit imunitar, duke përcaktuar kështu sa e rëndë të jetë sëmundja.
Si qelizat vrarëse lymfocite ashtu edhe ato ndihmëse, dy komponentë të rëndësishëm të sistemit imunitar, tregonin në rastin e të sëmurëve me COVID-19 shenja lodhjeje, duket qartë që kjo ndodh për shkak të mungesës së trupave keton si furnizes energjie.
Wilhelm dhe Bode nuk janë ende në gjendje të japin përgjigje për pyetjen pse niveli i trupave keton nuk rritet mjaftueshëm tek të sëmurët me COVID-19, duke e paralizuar kështu systemin imunitar. Ata hamendësojnë se kjo mbase ka të bëjë me statusin e ushqimit të të sëmurit para marrjes së infeksionit.
Sa i madh është ndikimi i ushqimit mbi sistemin imunitar dhe në procesin e shërimit nga sëmundja, e di mjeku i specializuar për ushqimin Hans Hauner nga Universiteti i Mynihut.
Ai është atje dekan i degës së mjekësisë nutriciliste. "Ushqimi luan rol shumë të madh tek sëmundjet dhe infeksionet,” thotë Hauner. "Nga studime të mëdha vëzhguese ne e dimë se sidomos në Angli, njerëzit me mbipeshë ose adipositas, dhjamosje, e kanë pasur më të vështirë gjatë COVID-19. Si sa i përket nivelit të komplikacioneve ashtu edhe nivelit të vdekjeve, të cilat kanë qenë më të larta.”
Prandaj mjekët nutricilistë e vlerësojnë shumë punën e kolegëve shkencëtarë të Bonit, sepse ajo bën të qartë sa e rëndësishme është një pjesë e mjekësisë që është lënë vazhdimisht pas dore: Ajo që hamë dhe ajo që nuk hamë ka ndikim konkret tek shëndeti ynë. Ushqimi jo vetëm që të sëmur, por ai mund të parandalojë sëmundjen dhe madje të të shërojë nga sëmundja.
Christoph Wilhelm dhe Christian Bode e kanë provuar këtë tek minjtë. Qeliza të dobta, të lodhura imuniteti e marrin veten kur furnizohen me trupa keton. Për shembull me anë të ndryshimit të qëllimshëm të ushqimit, që është i pasur me yndyrna dhe i varfër me karbohidrate. E njohur edhe si dieta keto.
Kafshët e ushqyera në këtë mënyrë u shëruan nga infeksionet SARS-CoV-2, niveli i ngordhjeve ra shumë në krahasim me grupin e kontrollit.
Ushqimi për një sistem të shëndetshëm imunitar
Megjithatë tre ekspertët këshillojnë të mos bëhen eksperimente sipas kokës me ushqimin ketogjen. Kjo nuk është e nevojshme. "Edhe ushqimi i shëndetshëm me bimë, me pak mish ofron mbrojtjen më të mirë nga infeksionet ", thotë mjeku nutricilist Hauner. Perimet kanë shumë mikronutrientë, që i duhen sistemit imunitar për të qenë i aftë për veprim.
Acidet e yndyrshme Omega-3, që gjenden tek peshqit por edhe tek vajrat bimore dhe vaji i farërave të brassica rapa-s veprojnë kundër infeksioneve. Kurse acidet e yndyrshme që ndodhen tek mishi i nxisin infeksionet.
Natyrisht që edhe ushqimi më i mirë i mundshëm nuk do ta pengonte infektimin, thekson Hauner. Edhe për pyetjen, nëse trupi i njeriut mund të trajtohet në rastin e një infektimi akut me COVID-19 po ashtu me trupa keton si tek minjtë, shkencëtarët e Bonit duhet të vazhdojnë ende kërkimet për të kthyer përgjigje.
Mjeku i kujdesit intensiv Bode dhe imunologu Wilhelm janë thelluar ndërkohë në kërkime të tjera.