1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Cilësia e ajrit në Ballkanin Perëndimor mbetet shqetësuese

1 Korrik 2022

Ndotja e ajrit në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor është në nivel të lartë. Problem shqetësues është edhe rritja e vdekjeve të parakohshme nga ndotja e ajrit.

https://p.dw.com/p/4DUam
Symbolbild I  Global pollution deaths I Tod durch Luftverschmutzung
Fotografi: Tayfun Coskun/AA/picture alliance

Një raport të Qendrës së Përbashkët Kërkimore lidhur me statusin e ajrit, të mjedisit dhe të klimës në Ballkanin Perëndimor arrin në përfundimin që ndotja e ajrit në rajon është në nivel të lartë dhe "cilësia e ajrit mbetet një problem shqetësues”.

Gjetjet e raportit i shërbejnë arritjes së qëllimit për "ndotje zero” në bazë të "Marrëveshjes së Gjelbër”. Gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor miratuan në Samitin e Sofjes në nëntor 2020 "Agjendën e Gjelber” si dhe një udhërrëfyes që synon ta përafrojë rajonin me "Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane” për ta bërë Evropën një kontinent neutral ndaj gazit karbonik deri në vitin 2050.

USA Ausstoß aus einem Kohlekraftwerk von DTE Energie, Monroe, Michigan
Fotografi: Jim West/imageBROKER/picture alliance

Raporti në fjalë e konsideron shumë të rëndësishëm reduktimin e ndotjes së ajrit në rajonin e BP pasi " redukton ndotjen në shtetet fqinjë anëtare të BE”.

Rritje e vdekjeve të parakohshme nga ndotja e ajrit

Duke iu referuar pasojave të rrezikshme për jetën që shkakton cilësia e dobët e ajrit, raporti thekson se në vitin 2019 ndotja e ajrit, në Ballkanin Perëndimor ka shkaktuar 28,400 vdekje të parakohshme, kurse në vendet e BE-së 307.000. Numri i vdekjeve të parakohshme në Ballkanin Perëndimor është 30 përqind më i lartë se numri i vdekjeve të parakohshme të shkaktuara nga ndotja e ajrit në vitin 2012, ndërsa në BE janë ulur me 16 përqind, vë në dukje raporti.

Irak, Bagdad | Männer werden im Krankenhaus wegen Atembeschwerden aufgrund eines Sandsturms behandelt
Fotografi: Ameer Al-Mohammedawi/dpa/picture alliance

Niveli i vdekjeve të parakohshme në Ballkanin Perëndimor nga ndotja e ajrit është më i lartë se mesatarja e vendeve të BE dhe në disa raste është dy herë më e madhe, thekson raporti. Ndër vendet anëtare të BE vendet fqinjë me Ballkanin Perëndimor, Bullgaria, Rumania, Hungaria, Greqia dhe Kroacia, kanë nivel më të lartë të vdekjeve të parakohshme, gjë që tregon qartë "praninë e një hotspoti ndërkufitar”.

Gjetjet e raportit paralajmëojnë që sëmundjet që shkaktohen nga ndotja e ajrit si ato "pulmonare, kanceri i mushkërive, infeksionet e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes, diabeti ,sëmundjet ishemike të zemrës apo goditjet në tru, kanë të ngjarë të bëhen edhe më të përhapura në Ballkanin Perendimor, nëse nuk ndërmerren veprime të menjëhershme.”

Nivel i lartë emetimi i gazrave serrë

Niveli i lartë i emetimit të gazrave serrë që ndotin ajrin në Ballkanin Perendimor, rreth 61,7 përqind, vjen nga termocentralet që punojnë me qymyr, ”16 termocentrale që operojnë në rajon përdorin linjit me përmbajtje të lartë squfuri” thekson raporti.

"Marrveshja e Gjelbër” e BE-së synon të reduktojë ne vitin 2030 me 55 përqind vdekjet e parakohshme për shkak të ndotjes së ajrit.

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana