1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Inteligjenca artificiale rrezik apo një mundësi të madhe?

29 Janar 2023

Ekspertët mendojnë se Chatbots si ChatGPT do të ndryshojnë mënyrën si jepen leksionet dhe si mësohet në universitete. Inteligjenca artificiale rrezik apo një mundësi të madhe?

https://p.dw.com/p/4MnUD
Logoja e ChatGPT
Logoja e ChatGPTFotografi: Jakub Porzycki/NurPhoto/picture alliance

Kur në fillim të muajit dhjetor Doris Weßels u fut për herë të parë tek ChatGPT, ajo e ndjeu se ky do të jetë "një moment magjik”. Profesorja e informatikës ekonomike në Shkollën e Lartë të Kielit, në Gjermani, merret prej vitesh me studimin e ndikimit që modelet gjuhësore të inteligjencës artificiale kanë në sektorin e arsimit.  

Chatbot ChatGPT u bë publik më 30 nëntor 2022 nga firma Open AI me qendër në Silicon Valley, firmë e krijuar mes të tjerave edhe nga Elon Musk. Kushdo mund të ndërveprojë online me inteligjencën artificiale (IA). Mjafton të bësh pyetje ose të japësh komanda në dritaren ku zhvillohet bisedat dhe ChatGPT të jep përgjigje (pothuajse) për gjithçka. Aty u futën brenda pesë ditësh një milionë vetë. Për të arritur këtë shifër instagramit iu deshën më shumë se dy muaj.  

A do të shkojë më njeri në bibliotekë?
A do të shkojë më njeri në bibliotekë?Fotografi: Robert Przybysz/PantherMedia/picture alliance

ChatGPT mund të japë shpjegime, të programojë dhe të argumentojë. Doris Weßels u çudit edhe vetë kur i dha IA komandat e para. "Ne hyjmë në një botë tjetër,” thotë ajo. Magjia e kësaj IA është e vështirë të përshkruhet. "Ajo duhet provuar dhe përjetuar vetë”.   

Ghostwriting për të gjithë    

Mike Sharples, mendon se ka qenë GPT-3, një program pararendës i ChatGPT, një nga "sukseset më të mëdha” që ka përjetuar në karrierën e tij 40 vjeçare si shkencëtar i IA. Por profesori britanik, Emeritus i universitetit Open University thotë:  "GPT demokratizon plagjiaturën".   

Studentët mund t'i japin tani programit komanda për të shkruar tekste në gjuhë perfekte. Si të thuash një lloj ghostwriting falas për të gjithë.    

A përbën ChatGPT rrezik për arsimin në universitete?  

ChatGPT mund të përdoret për shembull për të shkruar tekste akademike. Mike Sharples ka gjeneruar artikullin e parë shkencor me IA, artikull që sipas tij, "arriti ta kalonte provimin e parë si artikull profesional”. Në internet janë shtuar njoftimet e dhëna nga nxënës, nxënëse dhe studentë, që thonë se kanë përdorur IA për të bërë detyrat e shtëpisë.  

Kjo gjë shqetëson edhe Doris Weßels-in, e cila ka krijuar në Shkollën e lartë të Kielit qendrën kompetente virtuale me titull: "Të mësosh veten dhe të tjerët me IA”. Sipas Weßels-it, për shkollat e larta dhe universitetet ekziston rreziku i shtimit të varësisë nga industria e software-ve, e cila zhvillon sisteme gjithnjë e më të afta inteligjence artificiale, që mësohen dhe përdoren nga studentët më shpejt se sa ata që japin leksione. Shpesh studentët mësojnë nga mediat sociale në kohë reale për zhvillimet e reja. Shumë më shpejt se brezi me moshë më të madhe.  

Shpesh studentët mësojnë nga mediat sociale në kohë reale dhe jo nga librat për zhvillimet e reja
Shpesh studentët mësojnë nga mediat sociale në kohë reale dhe jo nga librat për zhvillimet e rejaFotografi: picture alliance / Zoonar

Weßels tregon për një skenar të mundshëm frike, me studentë të lidhur mirë në rrjet dhe profesorë që nuk ia kanë idenë, dhe që mendojnë se kanë bërë punë të shkëlqyer, sepse korrigjojnë detyrat e shtëpisë dhe nuk gjejnë asnjë gabim.  

Debarka Sengupta drejton qendrën Infosys Centre for Artificial Intelligence (CAI) në IIIT të Delhit. "Të gjithë në Indi e njohin ChatGPT", thotë ai. Profesori druhet se programi mund të të bëjë të varur: Nëse nxënësit nuk mësojnë më të shkruajnë tekste vetë, por përdorin vetëm ChatGPT, atëherë ata mund të bëhen "shumë inkompetentë dhe të varur”, thotë Sengupta.  

Por nxjerrje statistikash që të mbështesin pikëpamjen e tyre, nuk janë bërë deri tani. Kjo ka të bëjë edhe me kohën e shkurtër që ka kaluar që kur është bërë publik ChatGPT. Por ashtu, si studiues të tjerë edhe Sengupta thekson se: "Plagjiaturë dhe mashtrime ka pasur gjithnjë”. Prandaj nuk duhet nënvleftësuar motivimi i studentëve. Ose siç thotë Mike Sharples: "Studentët duan të mësojnë, jo të mashtrojnë”.  

Si i ndihmon IA studentët    

Në përgjithësi Sengupta e sheh shumë pozitivisht ChatGPT. Inteligjenca artificiale i ndihmon studentët e tij. Një prej tyre është Bernadette Mathew. Për të marrë titullin doktor në biologji ajo është duke studiuar si rritet gaforrja. Për këtë temë mungojnë të dhëna të shumta që kanë vlerë po të analizohen. Prandaj asaj i duhet të programojë vetë. Kjo përbën një problem për të sepse gjatë studimeve nuk ka mësuar të programojë. Sengupta e morri vesh që ajo kishte vështirësi dhe i tregoi për ChatGPT. Tani Bernadette Mathew i jep detyra ChatGPT, i thotë programit të gjejë gabime në kodimin e saj dhe me ndihmën e inteligjencës artificiale mëson gjuhën e programimit. Sipas saj, kjo gjë ka funksionuar në "99 përqind të të gjithë rasteve". Më e mira është se ChatGPT jo vetëm që bën punën e saj, por edhe e ndihmon me durim që ajo ta kuptojë vërtet programimin.  

Bernadette Mathew thotë, se nëpërmjet IA ndihet e "fuqizuar” për të punuar a pavarur. Asaj nuk i duhet të kërkojë gjithnjë ndihmë nga të tjerët. "Të zhvillosh bisedë me ChatGPT është sikur zhvillon bisedë me një person të vërtetë. Po ta kisha ditur më parë, do ia kisha kursyer vetes shumë nga punët që kam bërë,” thotë ajo. Ajo mendon se inteligjenca artificiale do të revolucionarizojë edhe punën e biologëve të tjerë. Sepse ata mund të përqëndrohen tani në analizimin e gjërave dhe jo në mësimin e programimit. Por Mathew ka edhe frikë se dikur nuk do jetë më në gjendje që të përdorë ChatGPT, sepse inteligjenca artificiale do bëhet me pagesë.  

Doris Weßels mendon se ChatGPT mund të ndihmojë edhe studiues të fushave të tjera. Ai mund të eliminojë bllokadat kur nuk shkruan dot, mund të ulë frikën kur ndodhesh para letrës së bardhë dhe të shkruajë fjalët e para që janë të vështira ose paragrafin e parë. 

Weßels vlerëson po ashtu vlerën e madhe të frymëzimit që mund të ofrojë një asistent digjital shkrimi, në formën e ChatGPT.  

Universitetet nuk kanë zgjidhje tjetër 

Psikolinguisti kanadez Daniel Lametti nga universiteti Acadia e krahason rëndësinë e inteligjencës artificiale si ChatGPT për tekstet akademike me rëndësinë që ka makina llogaritëse e xhepit për matematikën. Makina llogaritëse e ndryshoi nga themelet dhënien e mësimit. Më parë vlerë kishte rezultati përfundimtar, zgjidhja e një ekuacioni. Por një ditë vendimtare nuk ishte më zgjidhja, por ishte mënyra e zgjidhjes. 

Kështu, në të ardhmen artikujt akademikë nuk do të vlerësohen më nga forma përfundimtare, por do të vlerësohen nga mënyra me të cilën studentët kanë marrë një tekst të inteligjencës artificiale dhe e kanë përpunuar e plotësuar. 

Inteligjenca artificiale nuk është vërtet inteligjente 

Lametti thekson po ashtu si ekspertë të tjerë se: Tekstet e inteligjencës artificiale nuk pasqyrojnë realitetin, por pasqyrojnë vetëm gjuhën me të cilën është ushqyer inteligjenca artificiale. Por ChatGPT nuk e kupton rëndësinë e kësaj gjuhe, sepse ChatGPT është si puna e një papagalli, që ndodhet në zyrën e një profesoreje, dëgjon gjithë bisedat e saj dhe fillon dikur të thotë fjali që tingëllojnë të mençura. 

Prandaj ka gjëra që shkruan ChatGPT që tingëllojnë mirë kur i lexon, por që janë krejt të gabuara. Prandaj është shumë e rëndësishme që të bëhet korrigjimi nga njeriu. Kjo shpesh është e vështirë dhe kërkon dije të mirëfillta, prandaj në të ardhmen ato mund të vlerësohen si të tilla. 

Për ekspertët një gjë është e qartë: Teknologjia nuk zhduket më. ChatGPT është sfidë për mësimdhënësit, por ofron për universitetet mundësira që mund të përdoren prej tyre dhe prej studentëve. Debarka Sengupta mendon se vendi që do jetë më i shpejtë në këtë zhvillim do të jetë vendi i tij, India, një vend që e do teknologjinë.