Ceremoni festive në Shverin në ditën e ribashkimit të Gjermanisë
4 Tetor 2007Është një ditë me diell në kryeqytetin më të vogël të një landi gjerman: Shverini po prezanton anën më pozitive të tij. Rrugët janë mbushur me njerëz, disa mijëra qytetarë marrin pjesë në ceremoninë festive, që për herë të dytë zhvillohet në Shverin. Rreth 700 të ftuar janë të pranishëm në ceremoninë qendrore në teatrin shtetëror të Mekelnburgut, ndër ta edhe presidenti Horst Këler, presidenti i Bundestagut Norbert Lamert dhe kryeministri i Meklenburg-Pomeranisë Harald Ringsdorf. Kancelarja Angela Merkel shpreh entuziazmin për atë që është arritur gjatë viteve të shkuara: "Natyrisht që më kujtohet festimi i parë në Shverin në një vjetorin e ribashkimit. Nëse shohim se çfarë ka ndodhur qysh atëherë, kjo është një rrugë gjatë me shumë arritje, por ende mbetet shumë për t´u bërë. Ndaj rindërtimi në Lindje vazhdon të jetë një nga detyrat prioritare si për qeverinë ashtu edhe për landet e vjetra të federatës."
Kryeministri i landit Harald Ringsdorf është krenar për sukseset e arritura gjatë viteve të shkuara në Verilindje të Gjermanisë: "Ky sukses është meritë e njerëzve në Meklenburg-Pomerani, por jo vetëm e tyre: Ky është rezultat edhe i solidaritetit të qytetarëve në Gjermani. Të gjithë prej vitesh japin kontributin e tyre për këtë. Që Gjermania Lindore në të ardhmen mund të rezistojë me forcat e veta, për këtë ju falenderoj përzemërsisht. Ka ende për të bërë, e megjithatë ne konstatojmë në ditën e 17 vjetorit të ribashkimit se prej kohësh bashkimi gjerman është bërë normalitet."
Presidenti Horst Këler tha, se ende duhet punuar, në mënyrë që bashkimi t´i arrijë të gjithë: "Ka edhe njerëz, që kanë ndjenjën, se nuk kanë përse të festojnë, e megjithatë kjo është një ditë e rëndësishme. Tek shoh këtu rreth meje kam ndjenjën, se njerëzit gëzohen të gjithë. Këtë duhet ta shijojmë edhe ne, por nuk duhet të harrojmë, se ende ka punë për të bërë, në mënyrë që të gjithëve t´u japim ndjenjën, se janë pjesë e bashkimit."
Ceremonitë nisën me një shërbesë fetare ikumenike në katedralen e Shverinit. Rreth 1.000 të ftuar ishin të pranishëm në një atmosferë të bukur festive. E megjithatë 17 vjet bashkim nuk do të thotë, se është arritur gjithçka, tërhoqi vëmendjen në predikimin e tij Peshkopi i kishës evangjeliste-luteriane të Meklenburgut, Andreas von Maltzahn: "Eshtë një skandal, që në vendin tonë ende të pasur një në pesë fëmijë jeton në varfëri. Nuk mund të jemi të qetë, kur një e katërta e të gjithë nxënësve 15 vjeçarë janë dorëzuar shpirtërisht."
Në qendër të Shverinit janë organizuar programe të larmishme: një sërë stendash, paradë muzikore, gara me skafë dhe një ekspozitë e landeve në natyrë. Vizitorët në Shverin janë të entuziazmuar prej festës: "Unë kam përjetuar ndërtimin e murit në Berlin dhe pata fatin të përjetoj edhe rëzimin e tij, unë nuk do ta dëshiroja kurrë kthimin e RDGj-së."