1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Celula terroriste në Belgjikë kishte në shënjestër policë

Bernd Riegert16 Janar 2015

Një javë pas sulmeve terroriste në Paris Belgjika është vendosur në gjendje alarmi. Policia vrau dy të dyshuar për terrorizëm dhe arrestoi 15 të tjerë. Islamistët e dyshuar kishin vënë në shënjestër policinë.

https://p.dw.com/p/1ELjH
Belgien Anti-Terror-Einsatz 15.01.2015
Fotografi: Reuters

Në kryeqytetin belg mbizotëron alarm i shkallës së tretë, shkalla e dytë për nga rëndësia si paralajmërim për masat e sigurisë. Policët patrullojnë nëpër metro dhe në sheshet publike. Masat e sigurisë në ndërtesat publike si dhe në institucionet e BE-së janë intensifikuar. Shkollat hebreje në mbarë vendin janë mbyllur si masë përkujdesjeje. Në Belgjikë qysh nga mbrëmja e së enjtes (15.01) deri në orët e para të mëngjesit të premten ka vazhduar një "operacion i përgatitur prej kohësh në luftën kundër terrorizmit, për të minimizuar rrezikun për vendin tonë", tha kryeministri Charles Michel një ditë pas mbledhjes së jashtëzakonshme të kabinetit të sigurisë me krerët drejtues të autoriteteve të policisë dhe të shërbimeve sekrete.

Zëdhënësi i prokurorisë në Bruksel, Eric von der Sypt, tha se terroristët kishin pasur në plan të vrisnin kryesisht policë: "Me këtë operacion ne donim të shkatërronim një celulë terroriste dhe rrjetin e saj terrorist. Ne na u desh të vepronim, sepse grupi ishte gati të ushtronte sulme terroriste, qëllimi i tyre ishte të vrisnin policë në rrugë ose në pikat e rojes."

Sekuestrohen armë dhe uniforma policie

Për këtë dëshmon fakti, që në 12 kontrolle shtëpishë të kryera gjatë natës janë gjetur uniforma policie, të cilat do t'u shërbenin atentatorëve të mundshëm për t'u kamufluar. Në qytezën Verviers policia zbuloi një depo me armatime voluminoze, tha prokurori Thierry Werts: "Gjatë kontrolleve në Verviers janë gjetur shumë armë, ndër to katër automatikë të tipeve Kalaschnikov dhe AK-47, përveç kësaj është gjetur një sasi e madhe municioni dhe lënde shpërthyese. Janë sekuestruar disa uniforma policie, mjete komunikimi, karta të falsifikuara identiteti dhe një shumë e madhe parashë." Aksioni në shkallë të gjerë ka parandaluar sulme terroriste në Belgjikë, vlerësoi ish-ministrja e Drejtësisë Laurette Onkelinx në një intervistë televizive. "Autoritetet e sigurisë kanë shmangur një masakër." Por popullsia tani nuk duhet të bjerë në panik, ajo duhet të ketë besim tek efikasiteti i policisë, tha Onkelinx.

Belgien PK zum Anti-Terror-Einsatz 15.01.2015
Konferenca e shtypit në Bruksel lidhur me operacionin kundër terroritFotografi: AFP/Getty Images/E. Dunand

Të shtëna në Verviers, kontrolle në Bruksel

Aksioni i policisë kundër celulave të dyshuara të terroristëve u zhvillua njëkohësisht me kontrollet në qendër të Brukselit dhe në lagje të ndryshme perfierike ndër to edhe në Molenbeek, Schaerbeek dhe Anderlecht. Në këto lagje ka kuotë relativisht të lartë emigrantësh, të cilët janë deklaruar për islamin. Operacioni në hapësirën e Brukselit u zhvillua pa përdorimin e armëve. Ndryshe u zhvilluan ngjarjet në qytezën Verviers në afërsi të Liège: dy të dyshuar për terrorizëm hapën atje zjarr me armë automatike ndaj policisë. "Si rrjedhojë për disa minuta pati shkëmbime zjarri në rrugën Rue Colline në qendër të qytetit", vunë në dukje autoritetet e sigurisë.

"Ishte si një luftë", i tha një banor gazetës lokale. Në internet qarkullon një video e filmuar nga celulari prej një banori të lagjes, prej së cilës dokumentohet shkëmbimi i zjarrit. Si pasojë dy të dyshuarit për terrorizëm janë vrarë. Një tjetër, i cili ishte fshehur në shtëpi, është arrestuar. Gjithsej në mbarë vendin u arrestuan 13 persona. Mbi identitetin e tyre prokuroria nuk dha informacion. I panjohur është edhe identiteti i dy të dyshuarve për terrorizëm të vrarë. Dy nënshtetas të tjerë belg janë arrestuar ndërkohë në veri të Francës.

Luftëtarë të kthyer nga Siria?

Operacioni i policisë, sipas të dhënave të pakonfirmuara nga qarqet e policisë, drejtohej kundër luftëtarëve xhihadistë, të cilët janë kthyer në Belgjikë nga Siria apo Iraku. Mbi numrin e tyre në Belgjikë ka të dhëna të ndryshme. Televizioni RTBF bën fjalë për 100 të kthyer. Autoritetet belge në fillim të vitit publikuan një statistikë, sipas së cilës ndërkohë 184 belg luftojnë në Siri apo në Irak për grupin terrorist "Shteti Islamik". Të tjera përllogaritje flasin për deri në 340 të rinj, të cilët në Belgjikë janë tërhequr pas islamizmit radikal dhe kanë shkuar në Siri ose në Irak.

Belgien Anti-Terror-Einsatz in Verviers 15.01.2015
Operacioni në VerviesFotografi: Reuters/Stringer

Nga shteti i vogël Belgjika me vetëm dhjetë milionë banorë krahasuar në nivelin e BE-së është relativisht i lartë numri i të ashtuquajturve "foreign fighters". Vetëm në Francë, Gjermani dhe Britaninë e Madhe është më ilartë se në Belgjikë numri i të rinjve të radikalizuar, që shkojnë drejt zonave të luftës. Belgjika ka një kuotë të lartë popullsie emigrantësh, që vijnë nga vendet myslimane. Organizatat radikale islamike deri tani kanë mundur të punojnë të patrazuara në Belgjikë. "Në Europë ka gjithnjë e më shumë xhihadistë. Në Belgjikë numri është mbiproporcionalisht i lartë", thotë Dyab Abour Jahjah për gazetën "Le Soir". Jahjah drejton një organizatë, e cila përfaqëson blegët me origjinë arabe.

Në vitin 2013 qeveria belge hartoi një plan për integrimin më të mirë të të rinjve myslimanë të deziluzionuar si dhe për parandalimin e radikaliizmit të tyre. Organizata "Sharia4Belgium", e cila ka rekrutuar luftëtarë është ndaluar në vitin 2012. Drejtuesi i saj është në proces gjyqësor qysh nga vera e vitit të kaluar në qytetin Anvers nën akuzën për krijimin e një shoqate terroriste. Natën e së enjtes (15.01) kryeministri Charles Michel deklaroi ashpërsimin e ligjeve kundër terrorit. Si rrjedhojë do të intensifikohet mbikqyrja e telefonatave për të dyshuarit. Kanë qenë pikërisht telefonatat e përgjuara që kanë ndihmuar në zbulimin e celulës terroriste të asgjësuar tani, bëhet e ditur.