CDU fitoi zgjedhjet në Hesen
9 Tetor 2023Partia CDU që aktualisht mban pushtetin ka fituar në Hesen 34.6 për qind të votave, që është një rritje prej 7.6 përqind në krahasim me zgjedhjet e 2018. Prandaj Boris Rhein do të qëndrojë në detyrë. Pas fitores së zgjedhjeve në këtë land, 51-vjeçari kristiandemokrat foli për një mandat të qartë qeveritar. Rhein ofroi bisedime për bashkëpunimin e mundshëm me SPD dhe të Gjelbërit, si dhe me FDP.
Rënia e partive në pushtetin federal
Sipas rezultateve paraprake, të Gjelbrit, partneri i koalicionit të CDU-së në parlamentin e landit me qendër në Wiesbaden për dhjetë vjet, arriti 14.8 për qind të votave. Matematikisht ekologjistët mund të vazhdojnë qeverisjen me CDU pavarësisht humbjeve (minus pesë përqind).
Dita e zgjedhjeve është e hidhur për SPD-në e kancelarit Olaf Scholz dhe liberalët. Socialdemokratët me kandidaten e tyre kryesore Nancy Faeser (ministre e Brendshme në nivelin federal), arritën rezultatin e tyre më të keq në histori me SPD të landit të Hesenit me vetëm 15.1 përqind të votave (minus 4.7 përqind). Faeser foli për një rezultat zgjedhor "shumë zhgënjyes".
FDP akoma është në luhatje të pragut për përfaqësimin në parlament. Sipas rezultateve jozyrtare, ajo ka fituar 5.0 përqind (minus 2.5 përqind). Ndërsa forca e dytë më e madhe në këtë land do të jetë në mandatin e ardhshëm Alternativa për Gjermani, AfD e djathta ekstreme, e cila ka fituar 18.4 për qind (një rritje prej 5.3 përqind).
Koalicionet e mundshme
Matematikisht është i mundur jo vetëm vazhdimi i qëndrimit në pushtet mes CDU dhe ekologjistëve, por edhe koalicioni mes CDU dhe SPD. AfD e krahut të djathtë nuk preferohet në kombinime për koalicion.
Të drejtë vote kanë pasur 4.3 milionë votues. Në zgjedhje morën pjesë 66 përqind e tyre.