Cameron: Britania do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën
4 Janar 2024Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, e theksoi në Prishtinërëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke potencuar se Britania e Madhe po investon në këtë proces. Sipas tij Britania e Madhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në fushën e sigurisë dhe anëtarësimin e saj në forumet ndërkombëtare në një periudhë pasigurie ndërkombëtare.
"Ne jetojmë në një botë me pasiguri të madhe, paqëndrueshmëri të madhe, një botë me konflikte të mëdha dhe është një kohë kur vendet, si Britania, duhet t'i mbështesin miqtë tanë, të punojnë ngushtë në aleancat tona të rëndësishme dhe të investojnë në zona që kanë qenë të paqëndrueshme, por që tani po tregojnë shenja të mëdha stabiliteti dhe progresi. Dhe, kjo është arsyeja pse ne jemi këtu dhe kjo është arsyeja pse ne duam të vazhdojmë të punojmë me ju”, tha Cameron në një konferencë për medie në Prishtinë.
Botë me pasiguri të madhe
Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, takoi në Prishtinë, presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, dhe ministren e Jashtme Donika Gervalla. Kjo e fundit gjatë konferencës së përbashkët, tha se e ka njohur diplomatin britanik, për sfidat me të cilat është përballur Kosova gjatë vitit të shkuar me theks të veçantë sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një polic.
"Recetat e vjetra para sulmit të Rusisë kundër Ukrainës për zgjidhjen e sfidave dhe të konflikteve nuk funksionojnë më. Perëndimi ka qenë i suksesshëm atëherë kur ka pasur një qëndrim të qartë dhe të vendosur. Perëndimi ka qenë i fortë politikisht dhe ekonomikisht kur ka vepruar me vendosmëri dhe bazuar me parimet e tij të palëkundshme përballë një Moske agresive dhe jo me kompromise të dobëta dhe joparimore”, tha Gërvalla.
Vizitë tek trupat britanike
Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, vizitoi edhe trupat britanike që u vendosen në veri të Kosovës, pas sulmit të grupit të armatosur serb mbi policinë e Kosovës me 24 shtator. Britania dërgoi 200 trupa shtesë pas sulmit në Banjskë, duke e rritur numrin e trupave në Kosovë në 600 sosh. Sulmbi në Banjskë, nxiti shqetësime ndërkombëtare për stabilitetin e rajonit dhe për këtë shkak, NATO, vendosi që ta rrisë numrin e ushtarëve në Kosovë.
"Ne biseduam sot në mëngjes për sigurinë tuaj dhe kontributin e rëndësishëm që mund ta japim për këtë, për faktin se Britania luan një rol të madh në kuadër të forcave paqeruajtëse të KFOR-it. Ne kemi më shumë se 600 trupa britanike këtu. Jemi krenarë për trajnimin dhe mbështetjen që po u japim forcave tuaja të armatosura dhe suksesin e madh të tyre gjatë stërvitjeve në Mbretërinë e Bashkuar”, tha Cameron. Sipas tij, qëndrueshmëria në Ballkanin Perëndimor është shumë e rëndësishme dhe në interes të Britanisë së Madhe.
David Cameron ishte kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar nga viti 2010 e deri në vitin 2016 kur vendi i tij më pas u largua nga Bashkimi Evropian.
dw (dpa, afp)