Burgu i përjetshëm për Ratko Mladiq - Lehtësim ndërkombëtar
8 Qershor 2021Ratko Mladiq është dënuar me dënim të përjetshëm që në vitin 2017, për përgjegjësinë që ka pasur në masakrën e Srebenicës si dhe krime të tjera lufte të bëra në luftën e Bosnjës. Ai kërkoi apelim të dënimit dhe kërkoi lirimin nga akuzat.
Ratko Mladiq shihet si një nga përgjegjësit kryesorë për krime lufte dhe vrasje masive gjatë luftës së Bosnjës, në të cilën janë vrarë 100 mijë vetë dhe janë dëbuar nga shtëpitë 2,2 milionë njerëz. Në qytetin boshnjak të Srebrenicës, ushtarët serbo-boshnjakë patën vrarë më 1995 më shumë se 8 mijë meshkuj, të rinj dhe të rritur. Deri më sot Mladiqi vazhdon të mos e pranojë përgjegjësinë që ka pasur.
Presidenti amerikan Joe Biden e vlerësoi si „historik" vendimin e dhënë nga gjykata. Ai tregon se „ata që bëjnë krime të tmerrshme, vihen para përgjegjësisë".
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas tregoi se ndihet „i lehtësuar” për vendimin e marrë nga Gjykata. Ai tha se shpreson që ky vendim „të jetë një lloj ngushëllimi" për viktimat dhe të afërmit e tyre.
Komisarja për të drejtat e njeriut të OKB, Michelle Bachelet, shpjegoi se dënimi tregon „vendosmërinë e sistemit ndërkombëtar të drejtësisë për të vënë në bankën e të akuzuarve, personat që kanë bërë krime pavarësisht se sa kohë kërkon kjo, në rastin e Mladiqit kanë kaluar tre dekada që kur ai ka kryer krimet e tmerrshme."
Nënat e të rinjve dhe burrave të vrarë në atë kohë e pritën dhënien e dënimit para ndërtesës së Gjykatës në Hagë. "Kemi të bëjmë „me një ditë historike, jo vetëm për ne nënat, por për gjithë rajonin e Ballkanit, Europën dhe botën," tha Munira Subasic nga shoqata e nënave të Srebrenicës. Mlladiqi është „një mostër" që edhe pas 26 vitesh nuk pendohet për krimet e bëra.
Edhe Serge Brammertz, kryeprokurori i Gjykatës së Hagës, tha në një intervistë për Deutsche Welle-n, se është i kënaqur me vendimin e gjykatës. „Në këtë mënyrë mbyllet një kapitull", tha ai dhe shtoi se „ka edhe 4 mijë persona të tjerë nga ish-Jugosllavia për të cilët po vazhdojnë hetimet dhe pritet të bëhet ndjekja penale". Ai shprehu njëkohësisht shpresat se me vendimin e fundit lidhur me Srebrenicën, „i gjithë rajoni do të pranojë të vërtetën e gjenocidit të Srebrenicës".