1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bundeswehri me probleme serioze

Marcel Fürstenau/Bahri Cani30 Shtator 2014

Ursula von der Leyen do që Bundeswehri të jetë më i aftë për misione. Por bilanci i saj gati 300 ditë pas marrjes së postit të ministres së Mbrojtjes nuk është fare premtues.

https://p.dw.com/p/1DNW6
Fotografi: Reuters

Më shumë përgjegjësi në Botë, më shumë kopshte për fëmijë në kazerma. Duket se ministrja gjermane e Mbrojtjes po ndjek projekte të mëdha. Ursula von der Leyen e ka shkaktuar këtë përshtypje, kur ndërroi ministrinë e mëparshme të Punës me ate të Mbrojtjes. Kristiandemokratja kërkon zgjidhjen dhe jo arnimin e problemeve. Shumë probleme kanë mbetur nga koha e ish-minsitrit të Mbrojtjes, Thomas de Maizière, i cili me dëshirë do të kishte vazhduar edhe një mandat në këtë post.

Ministrja e re menjëherë filloi punën. Shumë autoritete të larta u zëvendësuan, ndër ta edhe sekretari i shtetit në këtë ministri, Stéphane Beemelmans, i afërt me de Maizière. Ministrja von der Leyen ishte e pakënaqur me aferën Euro-Hawk. Por mangësitë në furnizimin me pajisje ushtarake edhe më tej mbizotërojnë titujt e gazetave. "Deponi mbeturinash" të Bundeswehrit, thuhet shpesh, kur bëhet fjalë për mjetet transportuese ajrore, avionë dhe helikopterë. Ndër problemet më të mëdha janë ato me avionët luftarakë "Eurofighter" dhe "Tornado", si dhe automjetet e blinduara. Mangësitë në Bundeswehr kanë qenë temë trajtimi para ca ditësh edhe në Komisionin e Bundestagut për Mbrojtje.

Ndikimi i misioneve jashtë vendit

Ministrja von der Leyen tha se "bëhet fjalë për punë shumë të mëdha, që priten." Në një intervistë për "Deutschlandfunk" ajo tha se "problemet janë mbledhur për vite të tëra". Megjithë këto probleme Bundeswehri është "plotësisht prezent" në misionet e jashtme. Ushtria gjermane aktualisht është pjesë e 17 misioneve jashtë vendit. Angazhimet si në Afganistan, apo Kosovë duket se kanë pasoja negative për frontin në vendlindje, sepse kazermat dhe vendstërvitjet në vend janë lënë pjesërisht pas dore. "Problemet janë shtyrë dhe nuk janë zgjidhur", pranon vetë ministrja, duke kritikuar kështu paraardhësit e saj meshkuj. Lista e lëshimeve është e gjatë dhe fillon me gjërat elementare: mirëmbajtja, furnizimi me pajisje, pjesët rezervë. Me 6 tetor do të paraqitet raporti i një komisioni për gjendjen në ushtri. Do të paraqiten edhe të dhënat për nëntë projekte të mëdha si avionët pa pilotë, avionët për transport të tipit "A 400 M" dhe helikopterrët "Tiger" dhe "NH 90".

Ministrja von der Leyen gjatë vizitës së trupave në Prizren, 15.05.2014
Ministrja von der Leyen gjatë vizitës së trupave në Prizren, 15.05.2014Fotografi: picture-alliance/dpa/Maurizio Gambarini

Mbështetja nga Angela Merkel

Ministrja hedh poshtë pohimet për prioritetet e gabuara. Ajo mendon se ka qenë e drejtë që fillimisht të kujdesemi për gjendjen e ushtarëve e më pas për pajisjet, sepse "asnjë mision nuk mund të funksionojë pa ushtarë". Ajo e ka edhe mbështetjen e kancelares Angela Merkel. Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert, të hënën. Ai u përpoq të mënjanojë edhe dyshimet se Gjermania nuk është në gjendje t'u përmbahet përgjegjësive ndaj NATO-s. "Gjermania është një partner i aftë për të vepruar", tha Seibert.

Steffen Seibert
Zëdhënësi i qeverisë Steffen SeibertFotografi: picture-alliance/dpa

Von der Leyen ka mbështetje edhe jashtë qarqeve qeveritare. Nënkryetarja e CDU-së Julia Klëckner nga Rajnland-Pfalc tha se fajin nuk mund ta ketë vetëm një person. Edhe industria e ka pjesën e përgjegjësisë për gjendjen në Bundeswehr.

"Zbukurimet dhe zvoglimet e problemeve"

Vetë kryetari i Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes, socialdemokrati Hans-Peter Bartels, e ka mbrojtur von der Leyen. Ai pohon se përgjegjësinë kryesore për gjendjen e mbajnë paraardhësit e saj Karl-Theodor zu Guttenberg dhe Thomas de Maizière, të cilët kanë frenuar furnizimin me pjesë rezervë dhe me sisteme të reja të armëve. Ndryshe nga Bartels mendon kolegu i tij nga SPD Rainer Arnold. "Javët e ardhshme do të shihet e vërteta", pohon Arnold për "Rheinische Post". "Gjërat janë zbukuruar dhe problemet janë zvogluar", tha ai në një intervistë me Deutsche Welle.