1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bundestagu aprovoi ndihmën përmes mekanizmit evropian ESM

14 Maj 2020

Ndihma ka për qëllim kryesisht vende të tilla si Italia e Spanja, që kanë borxhe të mëdha dhe në të njëjtën kohë u goditën veçanërisht rëndë nga pandemia.

https://p.dw.com/p/3cEF5
Deutschland | Coronavirus | Bundesfinanzminister Olaf Scholz
Fotografi: picture-alliance/AP/M. Sohn

Bundestagu Gjerman aprovoi ndihmat për krizën e Coronas në BE, prej qindra miliarda eurosh, që do të jepen përmes fondit të shpëtimit ESM.

Linjat e kreditit që arrijnë deri në 240 miliardë euro janë kryesisht të destinuara për vendet veçanërisht të goditura nga kriza, si Italia, Spanja ose Franca. Kushti i vetëm është që paratë - deri në dy përqind të prodhimit ekonomik të një shteti - të përdoren për shpenzime të drejtpërdrejta ose indirekte të shëndetit.

Ministri i Financave të Gjermanisë, Olaf Scholz nguli këmbë për aprovimin e kredive, në debatin në Bundestag. Pandemia dhe pasojat e saj nuk mund të zgjidhen vetëm në nivel kombëtar, tha ai.
Kudo në Evropë duhet të ekzistonte mundësia për të bërë atë që është e nevojshme për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.

Me përjashtim të AfD, edhe opozita e mbështeti ndihmën evropiane. Megjithatë, parita E Majta dhe Të Gjelbrit theksuan se kreditë e planifikuara ishin të pamjaftueshme. Ata thanë se nevojitet një paketë masive stimulimi.

Për ofrimin e kredive përmes mekanizmit të shpëtimit të Euros, ESM ranë dakord në samitin e tyre të fundit, kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE.

Mbetet megjithatë e paqartë gatishmëria e shteteve si Italia, për t'i shfrytëzuar këto kredi evropiane. Në Itali kjo ofertë është shoqëruar në medie me frikën e madhe për humbjen e sovranitetit dhe me kontrolle evropiane, si në rastin e Greqisë. Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte deklaroi pak kohë më parë se vendi i tij nuk do t'i shfrytëzojë këto kredi. Vendimin përfundimtar ka gjasa që Italia do ta bëjë të varur nga fondet e tjera që do të vihen në dispozicion nga Komisioni Evropian për rindërtimin.

"Instrumentin e rindërtimit" ia paraqiti të mërkurën Parlamentit Evropian Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Më parë disa grupe parlamentare të PE patën kërcënuar se do të votonin kundër planit, po të mos përfshiheshin në vendimmarrje.

Von der Leyen tha se instrumenti i rindërtimit "do të jetë në dispozicion për të gjitha shtetet anëtare", por do të përqendrohet "në ato pjesë të Bashkimit që janë prekur më shumë dhe ku janë më të mëdha nevojat".

aud (dlf, dpa)