1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lojëra për shumë para

Wolfgang Dick / Vilma Filaj-Ballvora26 Korrik 2012

Rituali i përhershëm: Ekonomisë i bëhet joshës konkurrimi për Lojërat Olimpike me premtim për fitime shtesë. Por realiteti është ndryshe. Impulsi ekonomik rezulton modest. A do të jetë vallë ndryshe kësaj here në Londër?

https://p.dw.com/p/15edC
Fotografi: Reuters

"E rëndësishme është të jesh i pranishëm" kjo është motoja më e njohur olimpike. Për atletët kjo do të thotë: pavarësisht nëse fiton medalje ari, apo asgjë, e rëndësishme është të jesh i pranishëm. E njëjta moto vlen edhe për sponsoruesit, që quhen "partnerë" të olimpiadës. Një gjë e tillë tingëllon zemërgjerë dhe nuk lë aspak shije biznesi. Koncernet me aktivitet ndërkombëtar paguajnë para, për t'u emërtuar si partnerë të Komitetit Olimpik (IOC).

A ia vlen kjo në fakt për firmat ndërkombëtare? Henning Vöpel, ekonomist në Institutin e Hamburgut për Studimet e Ekonomisë Botërore mendon: "Efekti i marketingut për ndërmarrjet e mëdha është relativisht i vogël, sepse ato vetëkuptohet që janë të njohura dhe e kanë fituar prej kohësh imazhin e tyre."

Nga ana tjetër: "Këto ndërmarrje nuk mund ta përballojnë, që të prezantohen si sponsorizuese në evente të tilla të mëdha si Lojërat Olimpike, sepse ato do të zëvendësoheshin menjëherë prej konkurrencës globale. Kësisoj ajo nuk u sjell asnjë efekt pozitiv, por atyre u duhet të jenë të pranishme."

Olympia London
Fotografi: Reuters

Angazhimi olimpik nuk ia vlen në shifra

Vetë IOC ka llogaritur se partnerët e tij jo patjetër i janë forcuar sa u përket vlerës së aksioneve të tyre në bursë, kur ato janë prezantuar si sponsorizues. Dis afirma kanë mundur t'i rrisin vërtetë vlerat e aksioneve në bursë, si p.sh. aksionet e Visa-s, sipas të dhënave të IOC-së janë rritur me rreth 24%. Të tjerave firma p.sh. si Acer, apo Panasonic u është dashur të përjetojnë, se si ndërkohë aksionet e tyre kanë rënë përtokë. Faktikisht për partnerët janë joshëse vlerat jomateriale, të ashtuquajtura vlera të buta: Ato identifikohen me një event, që rrezaton rini, lirshmëri dhe kënaqësi në mbarë botën.

Kryeministri i Anglisë David Cameron ka premtuar se Lojërat Olimpike do t'i sjellin ekonomisë angleze të ardhura shtesë në vlerën e 17 miliardë eurove. Kjo deklaratë është pritur me rezerva të mëdha në Angli e madje edhe me një dozë ironie.

Koniunktura në ishull ka rënë sivjet në recesion, sigurisht që një impuls do t'i bënte mirë asaj. Por as që duket se do të ndodhë kështu. Bank of England parashikon, që produkti bruto në vend në tremujorin e tretë të rritet me 0,2 përqind, nëse Lojërat Olimpike janë të sukseshme si ato në Sidnej në vitin 2000. Megjithatë sipas analistëve kjo rritje në tremujorin e fundit të vitit mund të zbehet sërish. Një hop ekonomik nuk pritet.

Edhe Henning Vöpel është skeptik. Ai nuk beson p.sh. që dega e turizmit mund të përfitojë: "Faktikisht më shumë mund të ndodhë, që turizmi olimpik të sprapsë turizmin e zakonshëm. Ndoshta vërtetë mund të ndodhë që shumë turistë të preferojnë të vizitojnë Londrën pikërisht gjatë Lojërave Olimpike, gjë që mund të ketë efekt joshës. Por ekziston edhe efekti tjetër i stepjes, së disa turistëve të tjerë. Kësisoj me gjasë efekti ndaj turizimit mund të jetë relativisht i zbehtë."

Londra pa "elefantët e bardhë"

Portali i rezervimit të hoteleve online Hotels.com një javë para fillimit të olimpiadës deklaroi, se kërkesa për dhoma hoteli ka qenë më e ulët nga sa ishte parashikuar. Çmimet e hoteleve ndërkohë janë ulur në një të katërtën.

Sidoqoftë Henning Vöpel nuk ka frikë nga "elefantët e bardhë", kështu quhen stadiumet, të cilat pas lojërave nuk përdoren më. Në Londër ka pasur shumë komplekse garash sportive, të cilat duhej të modernizoheshin, pa qenë e nevojshme që të ndërtoheshin të reja. Nga ana tjetër kërkesa në kryeqytet është e madhe: Vetëm në Londër ka mbi një duzinë shoqatash futbolli, që luajnë në klubet profesioniste angleze. Ndaj është e vogël mundësia, që komplekset e garave sportive të mos përdoren pas Lojërave Olimpike. Para katër vjetësh ka ndodhur krejt ndryshe, thotë Vöpel. "Stadiumi Olimpik i Pekinit duhej të ristrukturohej, sepse kostot e mirëmbajtjes dhe të shfrytëzimit të një stadiumi të madh janë mjaft të larta. Në Londër është krejt ndryshe. Atje pritet, që një pjesë e infrastrukturës mund të vazhdojë të mbahet në përdorim."