1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ishujt Malvine-mollë sherri

10 Mars 2013

Konflikti i Malvineve ka ndodhur para 30 viteve. Tani banorët e ishujve do të vendosin në referendum nëse ishujt do të mbeten territor britanik përtej oqeanit. Rezultati duket i qartë që tani.

https://p.dw.com/p/17uBm

A duhet ta mbajnë edhe më tej ishujt Malvine statusin e tyre si territor britanik përtej oqeanit? Kjo pyetje, me përgjigjen e thjeshtë Po ose Jo, do t'u drejtohet banorëve të ishujve Malvine në një referendum në 10 dhe 11 mars.

Rezultati duket i qartë që tani: një "Po" mbizotëruese për status quo-në, pra territor britanik me qeveri autonome.

Nuk ka absolutisht asnjë interes për ndryshime thelbësore, mendon Klaus Dodd, profesor për gjeopolitikë në Universitetin Royal Holloway në Londër. Eksperti shpjegon se referendumi është një mesazh për bashkësinë ndërkombëtare: "Ne këtu jemi një bashkësi e vogël dhe nuk duam të na ushtrohet presion nga një fqinj më i madh."

Status Quo

Fqinji i madh është natyrisht Argjentina. Prej vitesh retorika nga Buenos Ajresi bëhet gjithnjë e më agresive: së fundi në janar 2013 presidentja Cristina Fernandez de Kirchner i shkruante në një letër të hapur kryeministri britanik David Camron, "Britania e Madhe ia ka marrë me dhunë Argjentinës në një akt flagrant të kolonializmit të shekullit të 19-të ishujt që ndodhen 14.000 kilometra larg Londrës."

Marrëdhëniet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Argjentinës janë në pikën më të ulët, pranon Klaus Dodds. Por një luftë e dytë për ishujt Malvine nuk ka gjasa të ndodhë, mendon profesori britanik: Argjentina së pari nuk është në pikëpamjen ushtarake në gjendje dhe së dyti argjentinasit nuk e konsiderojnë të zgjuar në aspektin poilitk ringjalljen e strategjive të pushtimit.

"Argjentina mundohet shumë që me përjashtim të opsionit ushtarak, të bëjë gjithçka për t'i vënë nën trysni britanik të negociojnë për sovranitetin e ishujve."

Presidentja argjentinase Cristina Fernandez de Kirchner
Presidentja argjentinase Cristina Fernandez de Kirchner flet për kolonializëm flagrantFotografi: AP

Qendrim i hekurt

Britania e Madhe duket se mbetet e papërkulur. Ndryshe nga qendrimi i përshkruar si "i fjetur" i qeverisë së Theçerit para pushtimit argjentinas të ishujve Malvine në 1982, David Cameron nuk lejon të lindë asnjë dyshim.

Në këtë çështje Cameron është i palëkundur, mendon Dodds. "Ai ka bërë të qartë se nuk është i gatshëm të negociojë për sovranitetin". Njerëzit kanë në mendje gjithnjë Margaret Theçerin si "Zonja e hekurt" e papërkulur, thotë profesori londinez, por në të vërtetë qeveria e Cameronit është më e vendosura e 30 viteve të kaluara.

Laurence Allan, specialist pranë IHS Global Insight, ndan të njëjtin mendim me Dodds. Gjatë 12 muajve të fundit është bërë e qartë se qeveria britanike ka ndërmarrë inisiativën, mendon Allan. Ajo "angazhohet më fort në Amerikën Latine dhe përpiqet në rrugën diplomatike të forcojë pozicionin e saj kundrejt fqinjit argjentinas."

A është i mundshëm një pushtim i ri?

Banorët e ishujve Malvine nuk duan ndryshim të status quo-së
Banorët e ishujve Malvine nuk duan ndryshim të status quo-sëFotografi: Reuters

Para 30 vjetësh Britania e Madhe u mbështet nga aleatët e saj, para së gjithash nga SHBA. Sot qeveria britanike ka më pak mbështetje ndërkombëtare për "aktet e saj koloniale". Pjesa më e madhe e qeverive nuk prononcohen në çështjen e kolonializimizt: refuzimi britanik për t'i rikthyer Argjentinës ishujt me qëllim rivendosjen e tërësisë territoriale, është i kontestuar.

Simon Winchester pas pushtimit në vitin 1982 ishte një nga gazetarët e parë në ishuj. Autori britanik, i cili ndërkohë jeton në SHBA, asokohe u arrestua për "spiunazh" dhe u mbaj tre muaj nga argjentinasit.

Nëse sot do të ndërmerrej një sulm kundër ishujve Malvine, Britania e Madhe do të gjendej para vendimit të vështirë për të luftuar kundër pushtuesve, shpjegon Winchester në bisedë me Deutsche Welle-n. Britanikët do të rrezikonin qendrimin miqësor të vendeve të tjera amerikanolatine. Sipas tij "të gjithë do të ishin kundër, edhe SHBA".

Nuk ia vlen të vdesësh për këtë

Lufta e Malvineve - trupat argjentinase gjatë manovrave ushtarake
Lufta e Malvineve - trupat argjentinase gjatë manovrave ushtarakeFotografi: picture-alliance/dpa

Nuk ia vlen të humbasësh jetën për këtë çështje, dhe është madje thuajse qesharake, mendon Winchester. Në një nga vendet më të varfëra të globit jetojnë shumë pak njerëz, thotë gazetari. Pjesa më e madhe e njerëzve do të kuptojë se kjo është marrëzi dhe se nuk duhet të ndodhë përsëri. Gjatë luftës 72-ditore në 1982, humbën jetën 649 argjentinas, 255 britanikë dhe tre banorë të ishujve Malvine.

Britanikët megjithatë mbështesin politikën e qeverisë së tyre për Malvinet, pranon Klaus Dodds. "Nuk duhet nënvlerësuar asnjëherë fuqia e kujtimeve të luftës", shpjegon britaniku. "Veteranët e Malvineve dhe mënyra si kujtohet kjo luftë në Britaninë e Madhe, janë pjesë e jetës së përditshme britanike." Në ditën kombëtare të zisë popullore në nëntor nuk kujtohen vetëm të rënët e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, edhe fushata e Malvineve bën pjesë në përkujtimin zyrtar të luftës.

Autor: Emma Wallis / Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi