BRICS: pa vrull në takimin e nivelit të lartë
16 Tetor 2016Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut janë të gjitha shtete me numër të madh popullsie, të cilat për një kohë të gjatë shënuan një rritje ekonomike mbimesatare dhe prandaj u konsideruan si motora të rinj të konjukturës botërore. Por ka disa kohë që kjo i përket së kaluarës: Afrika e Jugut ndodhet në stanjacion, Rusia dhe Brazili madje ndodhen në recesion të thellë. Vitin e kaluar rendimenti ekonomik i tyre ra me gati katër përqind, ndërsa për vitin e ardhshëm Fondi Monetar Ndërkombëtar (IWF) pret një rёnie të mëtejshme.
"Në këto tri vende zhvillimi i çmimeve të lëndëve të para luan një rol të madh", thotë Klaus-Jürgen Gern, nga Instituti i Ekonomisë Botërore në Kiel. Rënia e çmimeve të naftës, gazit, sheqerit, sojës, mineralit të hekurit, platinit, qymyrit, bakrit dhe lëndëve të tjera të para i rëndon shumë ekonomitë popullore të tyre.
Interesa të ndryshme
"Kurse India dhe Kina janë përkundrazi konsumatorë të lëndëve të para. Për këto vende, rënia e çmimeve të lëndëve të para është në fakt një lajm i mirë", thotë Gern.
Por edhe në Kinë, jo çdo gjë është e trëndafiltë. Në sektorin e pasurive të paluajtshme kërcënon të plasë një flluskë e madhe ndërtimesh, shumë sipërmarrje dhe komuna janë zhytur thellë në borxhe. Dhe kohët e rritjeve ekonomike dyshifrore kanë kaluar, FMN pret që ekonomia e Kinës të rritet me vetëm 6,6 përqind. India është anëtari i BRICS-ist me rritjen më të lartë ekonomike, së fundi 7,6 përqind.
Kësaj i shtohen probleme politike, që nga aferat e korrupsionit dhe largimi nga posti i Presidentes në Brazil, në tensionet sociale në Afrikën e Jugut deri në grindjen e Rusisë me SHBA dhe me BE për shkak të aneksimit të Krimesë dhe të luftës në Ukrainë.
Në rend të ditës në Goa është një numër i madh temash, tek të cilat çdo vend ka interesat e tij, të cilat u kundërvihen interesave të tjetrit. India shpreson për mbështetjen e grupit në konfliktin kufitar me Pakistanin, Kina synon të forcojë pozicionin e saj në grindjen për grupin e ishujve në Detin e Kinës së Jugut, kurse Rusia të paktën nuk do që ta kritikojnë për rolin e saj në luftën e Sirisë.
"Modeli" G20
"Ka pak gjasa, që takimi i nivelit të lartë të arrijë rezultate të rëndësishme", thotë Miriam Prys-Hansen nga German Institute of Global and Area Studies (GIGA) në Hamburg. "Kina ka përmendur temën e një zone të përbashkët të tregtisë së lirë", thotë Prys-Hansen. "Por deficitet tregtare të vendeve të tjera me Kinën gjithsesi janë kaq të mëdha, saqë unë nuk e përfytyroj që ata mund të bien dakord për një gjë të tillë".
Në nivelet më të ulëta, megjithatë shkëmbimet janë intensive. Vetëm në prag të këtij takimi pati më shumë se 100 takime me pjesëmarrës nga të gjitha shtetet e BRICS, thotë Prys-Hansen. "Pati një festival filmi, një takim të agjencive të statistikave, një turne futbolli, shkencëtarë u takuan dhe të gjitha ministritë. Atje ndodhin jashtëzakonisht shumë gjëra."