110111 Nordafrika Proteste
12 Janar 2011Shkaqet konkrete për shpërthimin e dhunës në Tunizi dhe Algjeri janë të ndryshme, por arsyet thuajse identike: papunësi, mungesë perspektivash për të rinjtë nën 35 vjeç – brez i cili përbën shumicën e popullsisë në të dy vendet. Të prekur nuk janë vetëm fëmijët dhe të rinjtë e familjeve të varfëra, por edhe ata që kanë përfunduar studimet e larta. Njër ndër ta është Rafiku, 27 vjeç nga Tala nëTunizi. Ai ka tre vjet që kërkon punë:
"Për të gjetur një vend pune duhet të paguash ryshfet ose të kesh lidhje. Po nuk pate para për ryshfet apo lidhje nuk gjen dot gjë! Dhe po u ankove përfundon në burg.“
Pa punë nuk mund të realizosh asgjë: as banesë, as martesë, as të ardhme. Si në Tunizi edhe në Algjeri apo Marok ka vite që deviza mbizotëruese është: kush ka mundësi, emigron për në Evropë.
Një nga shkaqet e protestave është edhe shtypja politike, marrja nëpër këmbë nga ana e pushtetmbajtësve si dhe korrupsioni. Algjeria nuk është vend i varfër. Ajo bën pjesë ndër eksportueset më të mëdha të naftës dhe të gazit në botë. Por nga rreth 57 miliardë dollarë fitime nga viti i kaluar, shtresat e gjëra të popullsisë së Algjerisë nuk kanë pasur thuajse asnjë përfitim:
"Algjeria është një vend kryekëput i korruptuar. Elitat fusin në xhep të ardhura gjigande ose paratë shpenzohen për armatime,“ - thotë Werner Ruf, ekspert për Algjerinë.
Protestat mund të përhapen në vende të tjera
Thellimi i hendekut social në vendet e Magrebit, të cilat sipas statistikave zyrtare kanë vite që shënojnë rritje ekonomike është sipas ekspertëve mjaft i rrezikshëm për rajonin. Për shkak të tij, protestat sipas Thomas Schiller-it, ekspert për vendet e Magrebit pranë fondacionit Konrad Adenauer nuk ishin ndonjë gjë e papritur:
"Për çdo njeri që e njeh rajonin, pra hendekun social në mes të tre vendeve të Magrebit, Marok, Algjeri dhe Tunizi, gjendja përbën një fuçi baruti. Ajo që më surprizon është vetëm shpërthimi shumë i shpejtë në një formë të tillë.“
Disa ekspertë nuk e përjashtojnë përhapjen e protestave edhe në Marok apo vende të tjera. Por deri tani në mbretërinë e Marokut nuk ka pasur trazira. Edhe gjendja në Algjeri është qetësuar pak, pasi presidenti i vendit Abdelaziz Bouteflika shpalli uljen e çmimit për ushqimet bazë si vaji dhe sheqeri.
Kurse premtimi i presidentit tunizian, Zine el Abidine Ben Ali, se do të hapte 300.000 vende të reja pune nuk u përmbush, dhe kjo çoi në acarimin e protestave. Po ashtu në Tunizi ekziston edhe cenzurë për mediet.
Problem për Algjerinë dhe Tunizinë është mungesa e një alternative të besueshme ndaj sistemit politik aktual. Për këtë sipas Thomas Schiller-it:
"Protestat janë sfidë ndaj pushtetmbajtësve, që duhet të bëjnë më tepër që në mirëqënie dhe zhvillimin ekonomik të kenë pjesë shtresa më të gjera shoqërore."
Autor: Chamselassil Ayari/ Loay Mudhoon/ Pandeli Pani
Redaktoi: Auron Dodi