1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Brexit: Barnier jo i sigurtë për arritjen e marrëveshjes

2 Dhjetor 2020

Ekipet negociuese të Britanisë së Madhe dhe të BE kanë qenë në bisedime intensive katër ditët e fundit. Por kur periudha e tranzicionit po mbaron, diferencat ende mbesin, sipas diplomatëve.

https://p.dw.com/p/3m8VK
UK Michel Barnier
Fotografi: Peter Nicholls/REUTERS

Kryenegociatori i BE, Michel Barnier e paralajmëroi Britaninë e Madhe të mërkurën se një marrëveshje duhet të arrihet deri në fund të kësaj jave.

Francezi tha se 72 orët e ardhshme do të jenë vendimtare për fatin e negociatave gjatë një takimi me dyer të mbyllura të eurodeputetëve.

"Unë sinqerisht nuk e di nëse mund të arrijmë një marrëveshje," tha Barnieri, sipas një transkripti të takimit të marrë nga DW. "Orët dhe ditët e ardhshme do të jenë vendimtare."

Barnieri i informoi si ambasadorët e BE ashtu edhe parlamentarët pas 28 ditësh rresht bisedimesh.

David McAllister, një eurodeputet nga kristiandemokratët e kancelares gjermane Angela Merkel, tha: "Ne jemi nën presion kohor".

Brexiti ka pasoja

Takimi erdhi pasi disa diplomatë shprehën shqetësimin se ekipi negociator i Barnierit mund t'i ofrojë qeverisë britanike shumë kompromise. Por Barnieri i kundërshtoi raportet e mediave se ai ishte tepër i butë në bisedime.

"Ekziston një ndryshim objektiv midis një shteti anëtar dhe një shteti të tretë. Me këtë kemi të bëjmë me Brexitin. Ka pasoja."

Zyrtarët e BE janë të shqetësuar se ofrimi Britanisë së Madhe një marrëveshje me tarifë zero, me kuotë zero pa një angazhim për standardet minimale do të minonte tregun e vetëm të bllokut.

Kent Dover Brexit-Test
Fotografi: Reuters/T. Melville

Barnieri dhe homologu i tij britanik, David Frost, kanë qenë në mosmarrëveshje për muaj për çështje kryesore, që përfshijnë rregulla të padrejta për konkurrencën, mbikqyrjen e çdo marrëveshjeje të ardhshme dhe për të drejtat e peshkimit.

Diplomatët e BE i thanë DW se kishte pasur "ca përparime" për këto çështje, por se "një marrëveshje varet nga ekuilibri".

Një zëdhënës i qeverisë britanike tha se ekipi britanik ishte "duke negociuar në mënyrë konstruktive" me Barnierin.

"Por do të kërkojë vullnet politik dhe frymë krijuese nga ana e tyre, po të duam të arrijmë një marrëveshje," tha zëdhënësi.

Të dyja ekipet negociuese kanë qenë të mbyllura në negociata intensive në katër ditët e fundit, në një përpjekje tjetër për të kapërcyer bllokimin.

Bisedimet do të vazhdojnë deri në fund të javës kur Barnieri dhe zyrtarët e Komisionit Evropian do të rishikojnë edhe një herë përparimin.

Një Brexit pa marrëveshje do të thotë që Britania e Madhe dhe BE duhet të bazohen sërish në rregullat e vendosura për tregtinë ndërkombëtare nga Organizata Botërore e Tregtisë.

Kjo do të thotë që për mallrat e shitura do të ketë dogana dhe kontrolle shtesë doganore në portet kryesore në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe në Evropën Veriore.

Një diplomat i BE i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Barnier nuk duhet të nënshkruajë një marrëveshje të nxituar, edhe nëse kjo do të thotë një periudhë tregtie pa një marrëveshje.

"Ekziston një shqetësim që për shkak të këtij presioni kohor ka një tundim për të nxituar," tha diplomati pas një informimi nga negociatori Michel Barnier për të dërguarit e 27 vendeve anëtare në Bruksel. "Ne i thamë: mos e bëj këtë".