Bosnje-Hercegovinë: Parada e ushtarëve serbë ndez polemikat
8 Korrik 2024Rreth 30 kadetë dhe 20 oficerë të Akademisë Ushtarake në Beograd parakaluan nëpër rrugët e qytetit të Prijedorit për të shënuar 82 vjetorin e Betejës së Kozarës. Por tetë dekadat e luftës antifashiste mbetën nën hijen pikërisht të kësaj ngjarjeje, duke shkaktuar reagime të ashpra nga zyrtarët e Bosnjë-Hercegovinës, nga të cilët nuk është kërkuar leje për këtë parakalim të ushtarakëve serbë. Ata kërkojnë shpjegim se si pjesëtarët e ushtrisë së një vendi tjetër pa miratimin e askujt mund të hyjnë në territorin e Bosnjë-Hercegovinës (B-H). Menjëherë kanë reaguar dy anëtarë të Presidencës së B-H, Denis Beqiroviq dhe Zheljko Komshiq, të cilët kanë paralajmëruar se pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Serbisë nuk kanë leje nga Presidenca për të hyrë në territorin e B-H.
Reagimi i dy anëtarëve të Presidencës së B-H
"Parada e Ushtrisë Serbe në Prijedor, qyteti ku popullata joserbe u shënua me shirita të bardhë para se të dërgohej në kampet e përqendrimit të vdekjes, paraqet një tjetër njoftim për fillimin e zbatimit të projektit të Serbisë së Madhe dhe qëndrimeve antidejton të Vuçiqit, i miratuar më 8 qershor në Beograd", tha Beqiroviq. Në fakt, ai paralajmëroi për deklaratën e miratuar së fundmi në Parlamentin Gjithëserb, e cila, sipas kryetarit të Presidencës së B-H, në thelb minon parimet themelore të Bashkimit Evropian. Kjo është arsyeja pse për sot (8 korrik) ka caktuar një takim me Përfaqësuesin e Lartë Chistian Schmit.
As Komshiqi nuk u tregua më i butë, duke kërkuar nga institucionet e B-H që menjëherë të hetojnë se kush e ka lejuar hyrjen e ushtrisë së një vendi tjetër në territorin e B-H, pa ndjekur procedurat.
"Pyetja e parë dhe themelore është kush e miratoi hyrjen e pjesëtarëve të Ushtrisë Serbe në Bosnjë-Hercegovinë? Presidenca e B-H nuk e bëri këtë. A e bëri këtë Ministria e Mbrojtjes? Kjo duhet të përcaktohet menjëherë. Nëse nuk është as Ministria e Mbrojtjes, atëherë është një akt klasik agresioni”, tha Komshiq.
Ministria e Mbrojtjes së Bosnjë-Hercegovinës thotë se nuk kanë dhënë asnjë pëlqim për hyrjen e pjesëtarëve të Forcave të Armatosura Serbe në Bosnjë-Hercegovinë. Ministri përgjegjës Zukan Helez ka kërkuar edhe kontrolle të brendshme në Ministri për këtë rast.
Por autoritetet e Serbisë thonë se i kanë njoftuar institucionet e Bosnjë-Hercegovinës për hyrjen e kadetëve të Ushtrisë Serbe në kuadër të përkujtimit të Betejës së Kozarës. Për çdo gjë është informuar Policia Kufitare, Ministria e Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, si dhe Drejtoria për Koordinimin e Organeve Policore të Bosnjë-Hercegovinës. Nga letra e Ambasadës së Serbisë në B-H drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, shihet se MPJ-ja është njoftuar se në kuadër të përkujtimit të përvjetorit të Betejës së Kozarës, në Bratunac dhe Prijedor, studentët dhe kadetët e Akademisë Ushtarake në Beograd, së bashku me përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, do të qëndrojnë në Bosnjë-Hercegovinë.
„Nuk janë ushtarë të vërtetë"
"Në ceremoni do të vishen uniforma zyrtare dhe asnjë prej tyre nuk do të ketë armë. Ambasada kërkon që organet kompetente të Bosnjë-Hercegovinës të sigurojnë kalim të papenguar, kontrolla të përshpejtuara në pikat kufitare”, thuhet në letrën e Ambasadës së Serbisë në Bosnjë- Hercegovinë. Më vonë edhe portalet kanë konfirmuar se këtu bëhet fjalë për kadetë dhe jo ushtarë të vërtetë.
"Sipas njohurive të mia, këta nuk janë ushtarë të vërtetë, por kadetë të Akademisë Ushtarake nga Serbia. Bëhet fjalë për kadetë, nuk është ushtri, por janë nxënës në mësime”, tha Helez.
Mirëpo, për shumicën e opozitës në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës, ky shpjegim nuk ndryshon asgjë sepse, siç thonë ata, bëhet fjalë për pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Serbisë, pavarësisht nëse kanë qenë kadetë apo ushtarë.
"Ata janë një komponent i Forcave të Armatosura Serbe dhe kjo përpjekje për të justifikuar nuk mban ujë." Kam përjetuar një tronditje si çdo qytetar. Kjo na tregon se gjithmonë mund të bëhet më keq”, tha Edin Ramiq (SDA).
"Më në fund"
Nga ana tjetër, në Republikën Serpska nuk shohin asgjë të diskutueshme. Përkundrazi, presidenti i RS-së, Milorad Dodik, ka komentuar shumë shkurt parakalimin në rrjetin social X.
"Më në fund”, ka shkruar shkurt Dodik gjatë parakalimit, ndërsa më pas ka thënë se "as herën tjetër nuk do t'i kërkojë leje Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës”. Ai thotë se Komshiqi dhe Beqiroviqi kanë standarde të dyfishta dhe udhëheqin politikë kundër Republikës Srpska.
"Ata shqetësohen nga një duzinë djem që janë anëtarë të akademisë, të paarmatosur, sepse ngjarja rreth Kozarës është një vend i vrasjeve të mëdha të popullit serb. Në vend që të thonë një fjali rë mirë për këtë temë, ata shqetësohen nga djemtë dhe vajzat që krenohen me uniformën që mbajnë”, tha Dodik.
Shoqata e Nënave të Srebrenicës kërkon reagimin e Përfaqësuesit të Lartë lidhur me hyrjen e pjesëtarëve të Ushtrisë Serbe në territorin e Bosnjë-Hercegovinës. Ata shqetësohen për sigurinë, veçanërisht pasi e gjithë kjo po ndodh disa ditë para përvjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.
Vulin: Nderim i paraardhësve
"Ushtria e Serbisë gjendet në territorin e Bosnjë-Hercegovinës sovrane. Ndërsa ne si në vitin 1995, duhet të presim në pragun e shtëpisë sonë që të na vrajnë, përndjekin e përdhunojnë, përderisa e gjithë bota hesht. Kërkojmë reagim urgjent nga institucionet kompetente dhe komuniteti ndërkombëtar”, thuhet në këtë shoqatë.
Kanë reaguar edhe autoritetet serbe: Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, përmes një deklarate ka thënë se kadetët me uniformë po tregojnë respekt për të gjithë paraardhësit e famshëm, e që nga viti 2015 kjo po bëhet edhe në Kozarë dhe Donja Gradina. Ai shtoi se problemi nuk janë kadetët e Akademisë Ushtarake, por problemi që "serbët po përkujtojnë se ustashët kroatë kanë kryer gjenocid”. “Unë thjesht nuk e kuptoj se çfarë lidhje ka anëtari boshnjak i Presidencës së B-H-së, Zheljko Komshiq me kroatët. Ndërsa për lighjet me ustashët e kam të qartë”, tha Vulin.