BL-Porträt Dortmund
6 Gusht 2010Gjithçka ka filluar mbi 100 vjet më parë, më saktë në vitin 1909: asokohe një organizatë të rinjsh katolikë të komunitetit "trinia" luante rregullisht futboll. Komuniteti kishte lindur vetëm pak kohë më parë në kuadër të imigrimit të fuqisë punëtore nga Polonia dhe shërbente për integrimin e të ardhurve në Dortmundin protestant. Por famulltarit nuk i pëlqente "harbimi i egër" në sheshin e futbollit dhe donte ta ndalonte. Në shenjë proteste shoqata e të rinjve themeloi shoqatën e futbollit "Borussia 09 Dortmund".
Sot klubi është ndër më të suksesshmit në Gjermani dhe krenar për tribunën me 25.000 vendet në këmbë, më e madhja në Evropë. Krahas fitoreve në gjashtë kampionate të Gjermanisë (1956, 1957, 1963, 1995, 1996, 2002), dhe dy fitoreve në ndeshjet e vlefshme për Kupën e Gjermanisë (1965 dhe 1989), në 1966 Borussia Dortmund ishte klubi i parë gjerman që fitonte Kupën e Kupave të Evropës.
Rënia nga kategoria
Pak kohë pas kësaj fitoreje për shkak të problemeve financiare klubit iu desh të fillonte "shitjen e madhe" të lojtarëve. Pasoja sportive: në vitin 1972 klubi ra në kategorinë rajonale. Në të njëjtën kohë u hap stadiumi i Vestfalisë i cili ishte ndërtuar për Kampionatin Botëror të Futbollit 1974. Stadiumi i ri tërhoqi mesatarisht 25.000 sportdashës gjë që i rregulloi ndjeshëm financat e klubit. Katër vjet më vonë u arrit ngjitja në kategori. Në vitin 1988 me angazhimin e talenteve Andreas Möller, Michael Rummenigge dhe trainerit Horst Köppel u rikthye suksesi sportiv. Për herë të parë pas 23 vjetësh klubi fitoi sërish një titull, Kupën e Gjermanisë.
Epoka e Hitzfeld-it
Në vitin 1991 Dortmundi angazhoi atëherë të panjohurin Ottmar Hitzfeld. Që në sezonin e parë nën drejtimin e Hitzfeld-it klubi iu afrua shumë titullit të katërt kampion i Gjermanisë në historinë e tij, por e humbi atë në javën e fundit të kampionatit. Në vitin 1995 falë edhe angazhimit të lojtarëve si Stefan Reuter, Matthias Sammer dhe Julio Cesar, Dortmundi fiton kampionatin e parë kombëtar pas 32 vjetësh.
Si një nga pikat kulmore të historisë së klubit konsiderohet 28 maji 1997: në stadiumin olimpik të Mynihut të mbushur plot e përplot, u mund 3:1 Juventusi. Legjendar është goli i fundit i futbollistit të ri Lars Ricken, nga distanca 30 metra, i cili vendosi rezultatin e lojës. Në të njëjtin vit u fitua edhe Kupa e Botës me rezultatin 2:0 kundër Cruzeiro Belo Horizonte në Tokio.
Kriza financiare
Në vitin 2000 Borussia Dortmund del në bursë, deri tani si i vetmi klub gjerman. Dy vjet më vonë Dortmundi fitoi për herë të fundit kampionatin gjerman. Më pas triumfi mungoi. Borxhet u rritën, klubi u detyrua të shesë lojtarë të rëndësishëm, si dhe stadiumin e Vestfalisë. Shpallja e falimentit ishte fare pranë, dhe u arrit të shmagej vetëm në vitin 2005.
Mbështetje tek talentet e reja
Nën drejtimin e trainerit Jürgen Klopp punët janë vënë tani sërish në vijë. Klubi mbështetet tani tek talentet e reja. Këtë e tregon edhe politika e personelit për sezonin e ri: lojtari i kombëtares polake, 22 vjeçari Robert Levandovski, i cili u ble për 4,5 milionë euro është lojtari më i shtrenjtë i klubit. Blerjet e tjera të reja janë emra pak a shumë të panjohur: japonezi 21 vjeçar Shinji Kagawa në mesfushë; portieri 22-vjeçar Mitchel Langerak nga Australia dhe mbrojtësi Lukasz Piszczek, një 25-vjeçar nga Polonia. Por ekipi ka mbështetjen e tifozëve. Mesatarisht 77.000 sportdashës ndoqën lojërat e Borussia Dortmund në fushën e tij, sezonin e kaluar. Më shumë se askund në Evropë.
Autor: Sarah Faupel / Eliana Xhani
Redaktoi: Elert Ajazaj