140511 Bundesliga 34. Spieltag
15 Maj 2011Borusia Dortmund ndonëse është kampion qysh prej dy javësh në ditën e 34 të ndeshjeve të Bundesligës tashmë ky ekipi mori zyrtarisht në dorë kupën e kampionit kombëtar.
Nuri Sahin, i cili do të largohet nga Borusia për të kaluar në ekipin e Real Madridit në Spanjë fitoren në ditën e fundit të sezonit ndaj Frankfurtit e vlerëson: "Nuk mund të ketë mbyllje më të mirë se sa të marrësh kupën në dorë. Unë jam krenar dhe i gëzuar, që kam dhënë kontributin tim në këtë ekip."
Në Dortmund festohet anë e mbanë pas fitores së shtatë në historinë e klubit, meritë kjo që i dedikohet edhe trainerit Jürgen Klopp: "Unë gëzohem si një fëmijë duke udhëtuar nëpër qytet. Ndonëse sot ishte parashikuar mot i keq, tani pas ndeshjes retë u larguan dhe qielli u hap. Gjithçka shkon për së mbari, por edhe sikur të bjerë shi me gjyma, as që e vras mendjen. Në qytet janë duke festuar rreth katërqind deri në pesëqindmijë vetë. Unë kam dëshirë të jem gjatë gjithë kohës i pranishëm deri në fund të kësaj feste."
Zhgënjim për tifozët e Frankfurtit
Ndërkohë që trishtimi e ka përfshirë ekipin e Eintraht Frankfurtit. Në ditën e fundit të sezonit të Bundesligës Eintrahti humbi 1:3 ndeshjen me kampionin e ri të Gjermanisë Borusia Dortmund. Ekipi me traditë i drejtuar nga Christoph Daum për të katërtën herë zbret në kategorinë e dytë: "Tani ndiejmë një boshllëk të madh. Ndoshta edhe pse ka munguar diçka në disa ndeshje. Tani nuk mund t' i shmangemi këtij diskutimi. Unë bashkohem me zemërimin e tifozëve, për të cilët ky ekip është diçka e veçantë. Unë dëshiroj që Eintraht sa më shpejtë të mund të rikthehet në kategorinë e parë, sepse aty e ka vendin ky ekip." Eintraht Frankfurt është ekipi i dytë pas klubit të futbollit të Hamburgut St. Pauli që u skualifikua nga kategoria e parë e Bundesligës.
Në të kundërt Volfsburgu shpëtoi. Kampioni i 2009-ës fitoi ndaj 1899 Hofenhajmit 3:1 duke zënë vendin e fundit i 15-i në Bundesligë. Borusia Mënhengladbah ende është në ethe në vendin e 16-të ky ekip duhet të ndeshet me ekipin e tretë të listës së klasifikimit në kategorinë e dytë.
Leverkuzen dhe Mynihu kualifikohen për Ligën e Kampionëve
Bajern i Leverkuzenit me fitoren 1:0 ndaj SC Frajburgut si nënkampion kualifikohet direkt për në Ligën e Kampionëve. Ndërsa Bajern i Mynihut, i shkurorëzuar tashmë prej titullit kampion edhe pse fitoi 2:1 ndaj VfB Shtutgartit duhet të kënaqet me vendin e tretë në tabelën e klasifikimit duke siguruar kësisoj edhe pjesëmarrjen në ndeshjet kualifikuese për Ligën e Kampionëve. Rezultatet e tjera të Bundesligës: Kaizerslautern - Bremen 3 : 2, Hanover - Nuremberg 3 : 1, Majnc - St. Pauli 2 : 1 si dhe Këln - Shalke 2 : 1.
Autor: Arnulf Boettcher / Vilma Filaj-Ballvora
Redaktoi: Auron Dodi