Borrell: Ka pajtim për zbatimin e propozimit evropian
19 Mars 2023Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për implementimin e propozimit evropian për normalizim raportesh. Këtë e bëri të ditur shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrel, pas një takimi maratonë prej më shumë se 12 orësh që kishin në Ohër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuҫiq. Borrell që ishte ndërmjetës në këtë takim, tha se të dy vendet “janë dakorduar për t’i respektuar të gjitha pikat e propozimit evropian dhe se do t’i implementojnë të gjithat”. Borrell përmendi sidomos pikën shtatë të propozimit evropian që ka të bëjë me “vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë”, temë kjo që ishte më e diskutuara në Kosovë.
"Kemi pasur një ditë të gjatë. Synimi i sotëm ishte që Serbia dhe Kosova të pajtoheshin mbi atë se si do ta zbatonin marrëveshjen e pranuar më 27 shkurt në Bruksel. Kjo do të thotë hapa praktikë mbi atë se çka duhet të bëhet dhe si. Kam kënaqësinë të them se pas 12 orësh kemi një marrëveshje dhe pajtim. Mund të deklaroj se Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre. Si pjesë e këtij aneksi palët janë pajtuar që të zbatojnë të gjitha nenet e marrëveshjes dhe të implementojnë detyrimet e tyre në mirëbesim”, tha Josep Borrell.
"Për nenin 7-Kosova është pajtuar që të fillojë menjëherë, dhe kur them menjëherë, them menjëherë, negocimin për të vendosur aranazhimet dhe përgatitje për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë”, tha Borrel.
Nuk pati dokument të nënshkruar
Pas negociatave të gjata dhe pajtimit që kishin Kosova dhe Serbia, megjithatë nuk kishte një dokument të nënshkruar. Për këtë Josep Borrell kishte një shpjegim. "Fillimisht kemi propozuar një aneks më të detajuar, por palët nuk kanë arritur pajtim mbi atë version më të hollësishëm. Në njërën anë Kosova nuk ka pasur fleksibilitet sa i përket substancës, në anën tjetër Serbia ka theksuar në parim që të mos nënshkruaj edhe pse është e gatshme që të implementojë. Pra, aneksi konsiderohet i miratuar me një deklaratë që do të publikohet”, konfirmoi Josep Borrell.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se Serbia po i ikën nënshkrimit të dokumentit, por, ai shpreson që Bashkimi Evropian, do ta bëjë planin e zbatimit ligjerisht të obligueshëm. "Erdhëm në Ohër për të nënshkruar marrëveshjen bazë me aneksin e zbatimit. Kemi arritur pajtim publik për një aneks që do të udhëzojë zbatimin e marrëveshjes bazë. Pala tjetër, njëjtë si në takimin e kaluar në Bruksel më 27 shkurt, po i ikën nënshkrimit. Tash edhe me aneks. I takon BE-së të gjejë mekanizmin të bëjë statusin e kësaj marrëveshje ligjërisht të obligueshme”, tha kryeministri Kurti.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga ana e tij, tha pas takimit se ai është i kënaqur nga ajo që është arritur në Ohër por, jo e gjitha. "Këto disa pika për të cilat kemi rënë dakord, do të jenë pjesë e kornizës së negociatave për të dyja palët, si për Beogradin, ashtu edhe për Prishtinën. Këshilli Evropian do të marrë një vendim që kjo të bëhet pjesë e vendimit të negociuar”, tha presidenti serb Vuҫiq.
Kryeministri Kurti foli edhe për nenin 7 të marrëveshjes që flet për vetmenaxhim të serbëve të Kosovës. "Në këtë aspekt ekziston një paragraf që flet për një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit joshumicë serb dhe natyrisht që do të udhëhiqemi prej standardeve më të larta në mënyrë që edhe serbët në Kosovë të mos kenë asnjë cenim, asnjë diskriminim, duke mos harruar që propozimi i Ahtisaarit u ka krijuar hapësirë e mundësi tejet të mëdha që t'i gëzojnë të drejtat e t'i plotësojnë nevojat e tyre”, tha kryeministri Kurti.
Escobar: Marrëveshje e vështirë, por e nevojshme
I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, që ishte në Ohër në cilësinë e vëzhguesit, deklaroi se Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje "të vështirë, por të nevojshme”. "Dua të uroj palët për arritjen e një marrëveshjeje të vështirë, por të nevojshme për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe të parashikueshme midis tyre. Kjo jo vetëm që hap derën për integrime më të mëdha euroatlantike për të dyja shtetet, por, hap derën edhe për rajonin për të hyrë në një epokë të re të paqes”, tha Esobar.
Kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti Aleksandar Vuҫiq, në takimin e 27 shkurtit që u zhvillua në Bruksel, i thanë po propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve që u mbështet edhe nga Shtetet e Bashkuara. Propozimi nuk parasheh njohje të ndërsjellë, ashtu siҫ kërkon Prishtina zyrtare, por kërkon nga palët që të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë teritoriale të njëra-tjetrës.