Borchardt: Po përgatitemi që të mos përsëriten incidente në veri të Kosovës
8 Nëntor 2013DW: Zoti Borchardt, si kanë qenë të ndara rolet për sigurinë në Kosovë gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit, në ditën kur shpërtheu dhuna në veri të Kosovës?
Bernd Borchardt: Zgjedhjet në përgjithësi kanë kaluar shumë qetë. Në jug të Kosovës ka pasur disa incidente të vogla, ndërsa në dy komuna të veriut ka pasur poashtu disa incidente të vogla. Në prag të zgjedhjeve nën udhëheqjen e EULEX-it dhe me pjesëmarrjen e OSBE-së, KFOR-it dhe Policisë së Kosovës ne kemi hartuar një koncept të sigurisë. Ky koncept parashikonte që EULEX-i dhe ushtarët e NATOS, të kenë një prezencë të kufizuar në opinion. Ne kemi pasur vetëm një rol reagimi në qoftë se Policia e Kosovës nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të vënë nën kontroll ndonjë situatë të caktuar, apo për shkaqe të ndryshme nuk është në gjendje të reagojë. Diku nga ora 17:00 u shënua sulmi i parë në veri të Mitrovicës, të banuar me shumicë serbe. Policia e Kosovës na u lut për mbështetje dhe ne e kemi dërguar atje njësinë tonë policore për ndërhyrje brenda më pak se pesë minutash me automjete dhe një helikopter. Edhe pse ka qenë errësirë, helikopterri i ka gjetur huliganët, apo më mirë të them vandalët, dhe i ka detyruar të largohen. Kështu ka përfunduar problemi në veri të Mitrovicës. Më pas na kanë ardhur informacine se një grup vandalësh është mbledhur edhe në Zveçan, në një qytet të vogël afër Mitrovicës, dhe se ata duan të sulmojnë vendvotimet. Ne kemi dërguar atje policinë tonë për ndërhyrje, ndërkohë që edhe KFOR-i ka dërguar forcat e veta me tren. Forcat tona janë sulmuar me gurë, por kur e kanë parë se politia ka zbritur nga automjetet, vandalët kanë ikur. Më pas kemi ndihmuar kolegët tanë të OSBE-së që të tërhiqen. I gjithë aksioni ka përfunduar në orën 21:30 dhe nga ana jonë apo nga OSBE-ja, nuk ka pasur asnjë të plagosur apo të lënduar. Ndaj mund të thuhet se çëshja është zhvilluar dhe ka përfunduar në mënyrë profesionale.
DW: Zoti Borchard, megjithatë zgjedhjet në veri janë ndërprerë me dhunë. A do të thotë kjo se Policia e Kosovës nuk ka qenë në gjendje ta evitojë këtë dhunë?
Bernd Borchardt: Zgjedhjet nuk janë ndërprerë në veri të Kosovës apo në veri të Mitrovicës, por vetëm në tri vendvotime, ku votimet janë shpallur të pavlefshme. Dy prej këtyre vendvotimeve janë sulmuar, kutitë me vota janë shkatërruar dhe zgjedhjet janë komprometuar. Më 17 nëntor atje do të përsëriten zgjedhjet. Policia e Kosovës na u lut për ndihma, sepse ajo për shkaqe politike nuk mund të dërgojë trupa shtesë nga jugu i banuar me shumicë shqiptare. Pas sulmeve nga grupe të mëdha vandalësh, ata kanë kërkuar ndihma prej nesh dhe ne u kemi ardhur në ndihmë.
DW: A keni informacion se kush qëndron pas këtyre grupeve të vandalëve, të cilët kanë sulmuar vendvotimet dhe policinë tuaj dhe çfarë keni bërë deri tani?
Bernd Borchardt: Dy persona në veri janë arrestuar paradite për shkak të incidenteve, ndërsa në jug janë arrestuar 16 persona. Sa u përket sulmeve në mbrëmje, ende jeni në procesin e hetimeve ndaj nuk mund të flas publikisht për to.
DW: Zoti Borchardt, më 17 nëntor do të përsëriten zgjedhjet në tri vendvotime. Çfarë do të ndërmerrni ju dhe Policia e Kosovës për të evituar incidentet dhe dhunën e ngjashme si ajo më 3 nëntor?
Bernd Borchardt: Këtë javë ne kemi mbajtur shumë takime dhe kemi nxjerrë mësime nga ngjarjet e kaluara. Mbi bazën e këtyre konsultimeve kemi hartuar edhe strategjinë për veprim në ditën e përsëritjes së zgjedhjeve.
DW: Më konkretisht, kjo do të thotë se Ju po përgatiteni që dhuna e tillë të mos përsëritet edhe më 17 nëntor?
Bernd Borchardt: Natyrisht, kjo është e vetëkuptueshme. Ne po përgatitemi në këtë drejtim.
DW: Zoti Borchrdt, në Beograd ka pasur reagime të shumta lidhur me dhunën e manifestuar në ditën e zgjedhjeve. Partitë opozitare i kanë akuzuar partitë në pushtet për dërgimin në Kosovë të xhandarmërisë dhe shërbimit sekret BIA. Keni ju ndonjë informacion në këtë drejtim, apo këto incidente janë organizuar vetëm nga grupet kriminale në veri?
Bernd Borchardt: Ne po jetojmë këtu në Ballkan, i cili është përplot me spekulime dhe me teori komplotesh. Njerëzit këtu i duan gjërat e këtilla. Ndërsa ne bazohemi vetëm mbi faktet që kemi zbuluar. Sa i përket dy personave të arrestuar për sulme të vogla, njëri prej tyre është nga Serbia ndërsa tjetri një serb nga veriu i Kosovës. Se kush janë vandalët që kanë sulmuar vendvotimet në mbrëmje, do të dihet pas gjetjes dhe arrestimit të tyre. Por ne jemi duke bashkëpunuar ngushtë edhe me Beogradin në këtë drejtim.
DW: Nga e gjitha kjo që thatë, del se gjendja në Kosovë, në ditën e zgjedhjeve, ka qenë e sigurt dhe ka funksionuar mirë?
Bernd Borchardt: Pasqyrimi i gjendjes së përgjithshme ka qenë shumë pozitiv. Policia e Kosovës ka reaguar shumë profesionalisht. Policia ka mundur që në veri t'i shpërndajë grupet e vandalëve në disa vende, ndërsa në një vend grupet e vandalëve i kemi shpërndarë ne para se të shkaktojnë dëme më të mëdha, përveç dëmtimeve të vogla të automjeteve. Ndërsa në një zonë në veri të Mitorivcës, për fat të keq, zgjedhjet duhet të përsëriten në tri vendvotime. Në këto tri qendra votimi duhet të votojnë 22.000 zgjedhës dhe kur e krahason këtë shifër me numrin e përgjithshëm prej më shumë se 1,7 milionë gjytetarë me të drejtë vote, atëherë del se zgjedhjet duhet të përsëriten për më shumë se 1 % të elektoratit.
DW: Në këtë moment duket ndoshta absurde, por më duhet të pyes: deri ku kanë mbërritur negociatat për largimin e EULEX-it nga Ksoova në qershor të vitit të ardhshëm?
Bernd Borchardt: Kjo ëshë një temë për të cilët ndërkohë po diskutohet me tone shumë më të qeta. Por deri tani ende nuk ka ndonjë rezultat konkret, sepse për këtë duhet të dakordohet qeveria e Kosovës. Në parlamentin e Kosovës duhet të sigurohen 2/3 e votave, ndërkohë që me këtë vendim duhet të dakordohen edhe 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo kërkon pak më shumë kohë.
DW: Sot në Prishtinë është ngritur aktakuza kundër grupit të Drenicës, i cili akuzohet për krime lufte. Si e shihni ju këtë vendim dhe kur do të fillojë procesi i gjykimit?
Bernd Borchardt: Aktakuza është një procedurë normale. Janë zhvilluar hetimet e prokurorisë dhe është arritur në konkluzionin se personat duhet të arrestohen dhe të ngrihet aktakuza kundër tyre.
DW: EULEX-i edhe më parë ka ngritur disa aktakuza për krime lufte, por ato në mungesë të dëshmitarëve kanë dështuar. Keni siguruar dëshmitarë të mjaftueshëm për këtë proces ashtu siç ka planifikuar prokuroria?
Bernd Borchardt: Dëshmitarët për krime lufte janë gjithnjë një çështje problematike. Ata janë njerëz shumë të traumatizuar dhe kur keni punë me ndonjë person të traumatizuar, ndonjë herë keni probleme me qëndrueshmërinë e dëshmive gjatë marrjes në pyetje në gjykatë. Ndërkohë që ne kemi pasur shpesh probleme edhe me frikësimin e dëshmitarëve.