Bombardimet thellojnë konfliktin e hershëm turko-kurd
24 Gusht 2012Shpërthimet me bombë në qytetin jug-lindor turk të Gaziantap përgjatë së hënës (20.08.2012) arritën kulmin e konfliktit të përgjakshëm mes shtetit turk dhe Kurdëve. Shpërthimi shkaktoi nëntë të vdekur dhe më shumë se 60 të plagosur – viktimat e fundit të një konflikti që ka shkaktuar më shumë se 40 mijë jetë njerëzish që nga viti 1984.
Pas një lloj periudhe paqeje, lufta – e nisur nga grupi separatist ushtarak PKK, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit – ka shpërthyer edhe njëherë në flakë. PKK kërkon një shtet të pavarur Kurdistan në territorin turk.
Bashkimi Evropian e ka klasifikuar PKK-në si një organizatë terroriste. Por ngelet ende e paqartë nëse pas sulmeve të fundit në Gaziantap qëndron ky grup. PKK e ka mohuar përgjegjësinë e këtyre bombardimeve.
Provinca e Gaziantep, kryeqyteti i së cilës mban të njëjtin emër, shtrihet në kufirin turko-sirian dhe është destinacioni për shumë refugjatë nga Siria. Deri tani, Gaziantep nuk ka qenë qendër konfliktesh. Qytetarët turq dhe kurdë me origjinë arabe popullojnë Gaziantep-in. Tashmë ata po kërkojnë një përgjigjje se kush i organizoi këto sulme dhe pse. Në kulmin e betejës mes forcave ushtarake turke dhe grupit separatist, betejë e cila shënoi viktima në të dy kampet, PKK-ja u dyshua fillimisht për bombardimet.
Sulm jo-tipik
Jochen Hippler, politolog dhe hulumtues në Institutin për Zhvillim dhe Paqe (INEF) në Universitetin e Duisburg-Essen paralajmëroi që të mos dilet në përfundime të nxituara. "PKK ka mohuar çdo përfshirje në sulme," thotë ai. "Kjo mund të mos jetë e vërtetë, por gjithashtu nuk do të thotë se është gënjeshtër. Duhet të presim që hetimet të përfundojnë."
Udo Steinbach, profesor në Qendrën për Studimet në Lindjen e Mesme, pranë Universitetit të Marburgut, sugjeron një qasje të kujdesshme. Një sulm kundër popullsisë civile "nuk përshtatet me shenjat dalluese të PKK." Ai përmend se në të shkuarën, PKK ka organizuar sulme kundër forcave të sigurisë. "Rrjedhimisht, duhet të pyesni nëse ishte PKK, apo forca ose organizata të tjera që dalin në skenë," thotë Steinbach. Ai argumenton gjithashtu se Siria duhet t´a marrë parasysh këtë kur të kërkojë autorët.
Dyshimi sirian
Që nga koha kur Siria u përfshi në luftën civile më shumë se një vit më parë, mijëra refugjatë sirianë udhëtuan drejt Turqisë. Nga ana e saj, Turqia ka mbështetur grupet rivale kundër udhëheqësit sirian Bashar Assad. Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan është distancuar qartë nga Assad dhe vazhdimisht i ka bërë thirrje diktatorit sirian që të braktisë pushtetin.
Steinbach tha se me përkeqësimin e tensionieve mes Ankarasë dhe Damaskut, nuk përjashtohet ideja që Assad po mbështet PKK-në. Ai shton se Damasku mund të ketë bashkëpunuar me PKK-në gjatë bombardimeve të fundit.
Studiuesi i konflikteve Jochen Hippler thotë se zhvillimet në Siri paraqesin një kërcënim për Turqinë. Ai nxorri në pah dy probleme të sigurisë me të cilat përballet Turqia. "Ka pasur një intensifikim të betejës mes rebelëve Kurdë dhe forcat turke të sigurisë," thotë ai. "Por edhe si pasojë e konfliktit në Siri, problemet e sigurisë janë gjithnjë e në rritje."
Hippler thotë gjithashtu se Turqia po përjeton probleme si me refugjatët sirianë, ashtu edhe me opozitën siriane. Ai shtoi se bashkimi i këtyre problemeve do të përkeqësojë situatën e sigurisë turke.
Turqia monitoron Kurdët sirianë
Kurdët gjenden në Turqi, Siri, Irak dhe Iran. Siria Jugore është një rajon Kurd. Hippler thotë se Kurdët mund të marrin një rol dukshëm të ndryshëm përderisa rebelimi kundër Assad vijon ende.
Me deklaratën e Kurdëve se ata kanë marrë në kontroll një numër qytetesh në Sirinë Veriore, qeveria turke reagoi ashpër. Ömer Cerlik, nënkryetar i partisë qeverisëse AKP në Turqi, tha se nëse Kurdët e Sirisë punojnë me PKK-në kundër Assad, atëherë Turqia nuk do të hezitonte për të ndërhyrë.
Gjithashtu Steinbach vuri në dukje një përkeqësim të mundshëm të konfliktit Kurd në Turqi në kuadër të zhvillimeve në Siri dhe Irak. "Problemi Kurd në Turqi nuk është zgjidhur ende," thotë ai. "Pjesa Kurde në Irak luan, në njëfarë mënyre, një rol të dyfishtë. Në njërën anë, ka një konvergjencë me Turqinë. Në tjetrën, e shikon me interes Kurdistanin Sirian. Një hapësirë e madhe Kurde po shfaqet në kufirin turk. Mendoj se do të afrohet shumë pranë Ankarasë."
Thirrje për një zgjidhje politike
"Problemi është se për momentin askush në botë nuk ka një zgjidhje për luftën civile në Siri," vijon Hippler. "Kjo është gjithashtu e vërtetë edhe për Turqinë."
Steinbach dhe Hippler thonë se Turqia nuk mund t´a zgjidhë problemin sirian dhe se ajo duhet të këshillohet më mirë për të provuar gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin e brendshëm me kurdët. Gjithashtu ekspertët bien dakord se ka vetëm një zgjidhje të mundshme: përmes mjeteve politike. "Dikush duhet t´i bëjë apel kreut të qeverisë turke, Erdogan, që më në fund të ndërmarrë hapa të guximshëm," thotë Steinbach.
Steinbach shton se hapi i parë mund të ishte krijimi i një identiteti të ri turk duke përfshirë të gjithë besimet fetare dhe minoritetet etnike. Ai tha gjithashtu se Kurdët duhet të bëjnë përpjekje për të forcuar demokracinë.
Në anën tjetër, Hippler evidentoi faktin se pjesëmarrja e Kurdëve në politikë dhe shoqëri nuk ka qenë e mundur deri më sot. Ai i bëri thirrje Turqisë që t´i japë kulturës Kurde dhe politikanëve të saj hapësirën që ata meritojnë në shoqërinë turke.