Blinken: "Çdo kalim kufitar do të ishte agresion"
21 Janar 2022Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se Perëndimi flet me një zë në konfliktin e Ukrainës. Ministrja e Jashtme Baerbock i bëri thirrje Moskës që të mos përshkallëzojë gjendjen duke pasuar me një paralajmërim. "Çdo qëndrim i mëtejshëm agresiv, çdo agresivitet i mëtejshëm do të kishte pasoja serioze," tha Ministrja e Jashtme Federale Annalena Baerbock në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e saj amerikan Antony Blinken.
Baerbock theksoi se leva më efektive ishte deklarata unanime drejtuar Moskës se çdo ndërhyrje në Ukrainë do të kishte për Rusinë një çmim të lartë ekonomikisht, politikisht dhe strategjikisht. Konflikti në Ukrainë nuk ka të bëjë vetëm me ruajtjen e rendit evropian të paqes, i cili duhet të mbrohet me një mburojë, edhe nëse kjo do të ketë pasoja ekonomike. Partnerët perëndimorë janë të mendimit se e vetmja rrugëdalje nga kriza është rruga politike dhe se kjo rrugë kalon vetëm përmes dialogut. “Fatkeqësisht, sjellja ruse vazhdon të flasë një gjuhë tjetër”, tha Baerbock.
Blinken përsërit paralajmërimet
Ministri i Jashtëm amerikan Blinken përsëriti paralajmërimet e tij ndaj Moskës. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj janë të një mendjeje se në rast agresioni kundër Ukrainës Rusia duhet të llogarisë me kosto të shpejta dhe masive.
"Çdo kalim kufitar nga trupat ruse në Ukrainë do të ishte një akt agresioni" dhe do të provokonte një "përgjigje të shpejtë, serioze dhe të përbashkët" të Perëndimit. Qëllimi i përbashkët është gjetja e një rruge diplomatike për të zbutur përshkallëzimin. Cilëndo rrugë të zgjedhë Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj janë të bashkuar.
BE kërcënon me sanksione
BE-ja i ka dërguar gjithashtu një mesazh të qartë Moskës. Gjatë një takimi online të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se nëse do të kishte sulme të mëtejshme ndaj integritetit territorial të Ukrainës, BE do të përgjigjet me sanksione masive ekonomike dhe financiare.
BE-ja është deri tani partneri më i madh tregtar i Rusisë dhe deri tani investitori më i madh i saj. Kjo marrëdhënie tregtare është e rëndësishme për BE-në, por është shumë më e rëndësishme për Rusinë, theksoi von der Leyen. Përpjekja e Rusisë për të ndarë Evropën në sfera ndikimi është e papranueshme. “Nëse ka sulme, ne jemi gati”.