Bjellorusia kërkon pranimin e 2000 migrantëve
23 Nëntor 2021Në situatën emergjente për mijëra migrantë në Bjellorusi, që duan të hyjnë në BE nga kufiri me Poloninë, Gjermania refuzon pranimin e 2000 personave. Propozimi i presidentit bjellorus, Aleksandar Lukashenko, është i papranueshëm për Republikën Federale të Gjermanisë dhe për BE-në, tha një zëdhënës qeveritar në Berlin. Lukashenko i pati kërkuar BE-së, që të shprehet lidhur me propozimin e tij. "Unë pres një përgjigje të BE-së, ndaj pyetjes për pranimin e 2000 refugjatëve", tha ai në Minsk.
Minsku përgatit fluturimin e dytë
Bjellosuria së fundi në kushtet e gjendjes së emergjencës në kufirin me Poloninë, propozoi që të kthente në atdhe 5000 vetë, në rast se BE-ja pranon 2000 syresh. Qeveria në Minsk po përgatit një fluturim të dytë, përmes të cilit në fund të muajit migrantët do të kthehen në atdheun e tyre, tha Lukashenko. Javën e kaluar u riatdhesuan mbi 400 irakianë.
Bashkimi Europian e akuzon kreun e shtetit bjellorus, se në formë të organizuar do t'i sjellë migrantët nga rajonet e krizave në kufijtë e jashtëm të BE-së, për të ushtruar presion ndaj Perëndimit. Njerëzit nga Iraku, Siria dhe Afganistani kanë udhëtuar me vizë turistike në Bjellorusi.
2000 migrantë të strehuar në një magazinë
Natën një grup prej rreth 150 migrantësh, sipas të dhënave rojës kufitare polake, janë përpjekur pa sukses të çajnë barrikadat kufitare për të hyrë nga Bjellorusia ilegalisht në BE. Kjo ka ndodhur në afërsi të fshatit Dubicze Cerkievne, venë në dukje në Twitter autoritet polake.
Ndërkaq në Bjellorusi është krijuar një vendstrehim emergjence në Brugsi në kufirin me Poloninë për vendosjen e migrantëve. Imazhet nga agjencia shtetërore bjelloruse Belta tregojnë, se si ushtarët shpërndajnë çaj, biskota dhe kos për refugjatët. Llogaritet që rreth 2000 vetë janë strehuar provizorisht në një magazinë.
Rritet frika për shpërthimin e koronavirusit
Është e paqartë, se si do të vazhdohet më tej me migrantët. Ndërkohë ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë po qendrojnë në Bjellorusi. Ato duan të shqyrtojnë, se si mund të ndihmojnë në këto kushte. Sipas të dhënave të autoriteteve aktualisht rreth 100 migrantë janë shtruar në spital, ndër ta ka edhe me infeksion në mushkri. Shqetësimi për përhapjen e koronavirusit ndër migrantët në strehimoren e përkohshme është i madh.
nob/as (dpa, rtr)