1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bisedimet për Qipron: Fronte të ashpërsuara

Florian Schmitz
28 Prill 2021

Në bisedimet e reja për Qipron në Gjenevë, OKB kërkon një zgjidhje të qëndrueshme për ishullin e ndarë. Por konfliktet mes Athinës dhe Ankarasë nuk e bëjnë të mundur kompromisin.

https://p.dw.com/p/3sfLK
Zypern | geteilte Insel
Shumë qipriotë duan që ndarja e ishullit të marrë fundFotografi: Florian Schmitz/DW

Janis Joanu rrallë i vë fre gojës. 59 vjeçari qipriot grek është sipërmarrës në Nikozia, kryeqytetin qipriot të ndarë. Nofka e tij është "Strovolitotis", sipas emrit të lagjes, nga vjen. Në blogun me të njëjtin emër ai shkruan për gjithçka që është e rëndësishme për të, edhe për vendlindjen e tij Qipron dhe koklavitjen e situatës politike aty.

Joanu dëshiron që ishulli i ndarë për 47 vjet të bëhet sërish një shtet i bashkuar i grekëve qipriotë dhe turqve qipriotë, një shtet që njeh ekzistencën dhe nevojat e të dyja palëve, por kjo nuk u pëlqen shumë bashkëkombasve të tij. Në faqen e Facebook-ut nacionalistët qipriotë grekë e quajnë atë "mik të turqve". Blogeri nuk ka mirëkuptim për këtë. "Duhet që gjithçka të shtrohet mbi tryezë. Kemi nevojë për një kuadër që përmban zgjidhje për të dy popujt."

Në qendër të pjesës greke të ishullit bëhet e qartë situata politike. Në sheshe valëviten flamurët blu e të bardhë me rastin e 200-vjetorit të revolucionit grek kundër Perandorisë Osmane. Pas gardhit me gjemba që ndan qytetin ndodhet pjesa veriore e Nikozisë, kryeqyteti i pjesës turke. Aty valëviten flamuj të kuq me gjysmëhënën turke.

Giannos Ioannou
Blogeri Janis Joanu dëshiron bashkimin dhe respektimin e kërkesave të të dyja palëveFotografi: Florian Schmitz/DW

Plagët e historisë

Konfliktet mes dy popujve filluan në vitin 1963, tre vjet pas pavarësimit nga Britania e Madhe. Arsyeja: Presidenti i atëhershëm donte me referendum të zbuste ndikimin e qipriotëve turq në qeveri. 11 vite më vonë, më 20 korrik 1974 zbarkuan trupat turke në pjesën veriore të ishullit. Kësaj i parapriu një puç i gardës ushtarake të Qipros, që atëherë mbështetej nga junta ushtarake që sundonte në Athinë. Qëllimi: bashkimi i Qipros me Greqinë.

Megjithëse puçi dështoi, trupat turke nuk u larguan, por e vazhduan pushtimin. Pasuan masakra dhe gjakderdhje nga të dyja palët. Rreth 200.000 vetë u detyruan të largohen nga vendlindja. Rreth 1500 qipriotë grekë deri më sot konsiderohen të humbur, 200 qipriotë turq u vranë nga trupat paramilitariste të palës greke.

Ndarje për pesë dekada

Zypern | Türkischen Militärintervention vom 20. Juli 1974
Trupat turke në ishull, 20 korrik 1974Fotografi: DHA

Që nga viti 1974 vija e demarkacionit ndan ishullin në jugun grek, Republika e Qipros e njohur në shkallë ndërkombëtare, anëtare e BE nga viti 2004, dhe "Republika Turke e Qipros Veriore", që njihet vetëm nga Ankaraja. Në mes ndodhen trupat e paqes së Kombeve të Bashkuara, që janë stacionuar për të ndalur shkallëzimin ushtarak.

Më 23 Prill 2003 administrata turke ndryshoi rregulloret e udhëtimit. Që atëherë "vija e gjelbër" është e kalueshme dhe lidhjet mes banorëve u intensifikuan. Afrimi filloi, por ardhja e Coronës bëri që të mbyllen sërish kufijtë.

OKB kërkon zgjidhje

Tani Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka ftuar nga 27-29 Prill 2021 palët në një takim në Gjenevë. Ai kërkon të vlerësojë situatën, dhe nëse ka një bazë për një zgjidhje. Më parë këto përpjekje i bëri Kofi Annan. Me objektiv final një republikë federale me autonomi të gjerë për të dyja palët dhe një qeveri të përbashkët. Në një referendum pala turke e miratoi këtë plan, por ajo greke e refuzoi. Arsyeja: prezenca ushtarake turke. Annan donte ta reduktonte atë nga 40.000 në 6000 ushtarë. Por për shumë grekë qipriotë kjo nuk mjaftoi, sepse Turqia do të ruante rolin e saj si fuqi garatuese. Nga viti 2014-2017 u zhvilluan bisedime pa rezultat.

Zypern | geteilte Insel
Pjesa turke e ishullit ndodhet nën ndikimin e AnkarasëFotografi: Florian Schmitz/DW

Një apo dy shtete?

"Ne duam të gjejmë një rrugë, ku të dy popujt të ndjehen të sigurtë, pa fuqi garantuese, pa trupa pushtuese, dhe sidomos pa varësinë nga palë të treta", deklaroi presidenti grek i Qipros, Nikos Anastasiades para udhëtimit në Zvicër. Ai i mbetet besnik qëndrimit të tij për një shtet të bashkuar qipriot me dy shtete federale. Kurse për presidentin qipriot turk të veriut, Ersin Tatar të zgjedhur në tetor të vitit të kaluar kjo nuk shtrohet më si alternativë. Ai shkon në Gjenevë për të propozuar "vizionin e tij të ri për dy shtete sovrane që jetojnë krah njëra-tjetrës". Këtë pozicion e kishte përforcuar më parë edhe ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu.

Präsident der Republik Zypern Nikos AnastasiadisZypern Präsident der Republik Zypern
Presidenti i pjesës greke të Qipros, Nikos AnastasiadesFotografi: STAVROS IOANNIDES/AFP

Megjithë hendekun e pakapërcyeshëm në dukje mes palëve, OKB dhe Sekretari i Përgjithshëm, Guterres duken të vendosur për të penguar dështimin. Sepse tek Qiproja nuk bëhet fjalë vetëm për një ishull. Në rajonin lindor të Mesdheut gjendja është kritike prej muajsh. Vitin e kaluar, Mevlüt Çavuşoğlu e kërcënoi Greqinë me "Casus Belli" nëse Athina do ta zgjeronte me 12 milje zonën e saj të territoriale të ishujve grekë para brigjeve turke duke shkatërruar kështu pretendimet turke për rezervat e gazit në Mesdheun lindor. Para brigjeve qipriote mendohet se ka rezerva të mëdha gazi, që Greqia, Izraeli dhe Qiproja i pretendojnë për vete.

Präsident Nordzypern Ersin Tatar
Presidenti i Qipros Veriore, Ersin TatarFotografi: Ali Ruhluel/AA/picture alliance

Konflikte mes Athinës dhe Ankarasë

Kësaj i shtohet edhe kursi antieuropian i presidentit Erdogan. Më parë çështja e Qipros ishte një mjet presioni kundër Turqisë, në negociatat e dikurshme të anëtarësimit mes Turqisë dhe BE-së. Por Turqia ka kohë që është larguar nga ideja e një anëtarësimi në BE. Frontet tani nuk janë aq të ashpërsuara mes Nikozisë Veriore dhe Jugore se sa mes Athinës dhe Ankarasë.

Alxandros Sarris nuk sheh shumë shpresa për një zgjidhje në Gjenevë. "Për mua do të ishte sukses, nëse palët në fund nuk do të ndahen me grindje", thotë Sarris, i lindur në Greqi, sot Profesor për të Drejtën Ndërkombëtare në Universitetin e Roterdamit. Ai e bën të qartë. "Ishulli është territori i vetëm në BE nën pushtim ilegal dhe ushtarak. Kjo nuk është çështje e mospajtimeve bilaterale, por e negociatave mes Bashkimit Europian dhe Turqisë."

Alexandros Sarris
Alexandros Sarris Fotografi: Privat

Ankarasë për momentin i mungon mbështetja ndërkombëtare. SHBA u pozicionuan kundër Erdoganit, kurse tek Moska mungon besimi. Në një kohë që kthesa për çështjen e Qipros mund ta ndihmonte Turqinë. "Një zgjidhje e kësaj grindjeje mund të hapë rrugë për marrëdhënie më të mira mes Ankarasë dhe Brukselit."