1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Biden: Putin do të sulmojë Ukrainën

19 Shkurt 2022

Presidenti amerikan, Joe Biden pret një sulm të Rusisë kundër Ukrainës "në ditët e ardhshme". Ai paralajmëroi nga pasojat e një pushtimi. Kancelari gjerman, Scholz shikon ende shans për diplomacinë.

https://p.dw.com/p/47H8C
USA Washington | Joe Biden zur Russland-Ukriane Krise
Fotografi: Kevin Lamarque/REUTERS

"Jam i bindur që ai e ka marrë vendimin", tha Joe Biden të premten në Shtëpinë e Bardhë për presidentin Putin. "Ne kemi arsye ta mendojmë këtë." SHBA janë të mendimit, se forcat e armatosura ruse, ndër të tjera do vinin në shënjestër edhe kryeqytetin Kiev, tha presidenti amerikan në një fjalim televiziv. Por Rusia ende e ka një zgjedhje, mes "një lufte katastrofale dhe të pakuptimtë" si dhe "diplomacisë". Deri në fillimin e një marshimi ushtarak "diplomacia është gjithmonë një mundësi".

Në këtë linjë u shpreh edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz pas një video-telefonate me Biden dhe krerë të tjerë qeverish e përfaqësuesish të NATO-s dhe BE. Detyra qendrore është tani "të mbajmë hapur dritaren e diplomacisë". Në të njëjtën kohë për shkak të stacionimit të më shumë se 150.000 ushtarëve në kufirin ukrainas, ekziston një rrezik "shumë real" i sulmit rus. Sipas agjencisë Reuters, pamjet satelitore të marra këtë javë tregojnë aktivitete ushtarake në Bjellorusi, në Gadishullin e Krimesë të aneksuar nga Rusia dhe në perëndim të Rusisë.

Präsident Joe Biden und Bundeskanzler Olaf Scholz
Joe Biden dhe kancelari Olaf Scholz në UashingtonFotografi: Leigh Vogel/ZUMA/imago images

Moska duhet të ulë tensionet

Në një video-konferencë të premten me presidentin amerikan morën pjesë krahas kancelarit gjerman, Olaf Scholz edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, presidentët e Polonisë dhe Rumanisë, Andrzej Duda e Klaus Johannis, kryeministri britanik, Boris Johnson dhe ai kanadez, Justin Trudeau, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Ka pasur ujdi, se Moska "duhet të japë me urgjencë një sinjal të uljes së tensioneve", tha zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit pas bisedimeve. Pjesëmarrësit përforcuan qëndrimin, se në rast të një agresioni rus, ata janë të gatshëm për masa shumë të thella si kundërpërgjigje.

Për të enjten e ardhshme, presidenti Biden bëri të ditur takimin e ministrit të Jashtëm amerikan, Antony Blinken me kryediplomatin rus, Serge Lavrov në Europë. Por ai e lidhi këtë me një kusht. "Nëse Rusia bëhet aktive ushtarakisht para kësaj dite, atëherë është e qartë që është mbyllur dera e diplomacisë. Ajo vendos kështu për luftën, dhe do të paguajë një "çmim shumë të lartë."

Konflikt: Russland I Ukraine I Belarus I Präsident Putin
Putin ndjek një takim virtual të Këshillit të Sigurimit, 18.02.2022Fotografi: Mikhail Klimentyev/SNA/imago images

Manovër e madhe ushtarake ruse në fundjavë

Rusia i mohon plane të tilla dhe deklaron, se ndjehet e kërcënuar nga NATO. Për të shtunën Kremlini ka bërë të ditur një manovër të madhe nën mbikqyrjen e Putinit. Në manovrën ushtarake marrin pjesë trupa strategjike si edhe raketa balistike, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes në Moskë. Aty marrin pjesë si aviacioni ushtarak, edhe njësi ushtarake nga qendra ushtarake jugore, dhe flota e Detit të Zi dhe Verior.

Të premten Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg paralajmëroi nga një marshim rus në Ukrainë. "Nuk ka asnjë lloj dyshimi, se përjetojmë përqëndrimin më të madh të forcave ushtarake në Europë që nga fundi i Luftës së Ftohtë", tha ai në një intervistë për televizionin ZDF.

Dhuna në Ukrainën Lindore shtohet

Frika e një shkallëzimi të konfliktit ka çuar edhe në një rritje të dhunës në Ukrainën Lindore, ku forcat ushtarake ukrainase dhe rebelët prorusë luftojnë prej vitesh. Sipas një reporteri të agjencisë, AFP, bombardimet kanë vazhduar të premten edhe në afërsi të fshatit Stanyzia-Luhanska. Të enjten u godit një kopsht në një zonë të kontrolluar nga ushtria ukrainase. Të dyja palët bënë përgjegjëse njëra-tjetrën për këtë sulm. Rebelët prorusë i kanë bërë thirrje civilëve në zonat e tyre të vendosen në "siguri" në Rusi.

Ostukraine Donezk Region Evakuierung Grenzbewohner
Evakuime nga rajonet e Donjeckut dhe LuganskFotografi: Erik Romanenko/TASS/dpa/picture alliance

Në një nga zonat e kontrolluara nga separatistët prorusë të premten në mbrëmje ka shpërthyer një tubacion nafte, sipas të dhënave ruse, media të tjera flasin për shpërthimin e një gazsjellësi. Pamjet në mediat ruse nga Luhansk tregojnë flakët që ndriçojnë qiellin. Agjencia Ria Novosti bëri fjalë për shpërthimin e Drushbas, që sjell naftë ruse në Poloni, Gjermani etj. Nuk janë bërë të ditura të dhëna për arsyet e shpërthimeve.

Ndërkohë një drejtues i rebelëve në Luhansk të shtunën ka kërkuar mobilizimin e përgjithshëm të popullsisë.

la/mak/ack (dpa, rtr, afp)