1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Biden apelon tek qytetarët që të vaksinohen

23 Dhjetor 2021

Presidenti amerikan Joe Biden apelon për patriotizmin e bashkatdhetarëve të tij para zgjerimit të shpejtë të Omikron. Varianti Omikron është tani dominues në SHBA.

https://p.dw.com/p/44hJM
USA COVID-19 | PK Biden zu Omikron
Fotografi: Evan Vucci/AP Photo/picture alliance

Sipas presidentit amerikan Joe Biden, të gjithë qytetarët e Shteteve të Bashkuara kanë një detyrë patriotike - që të vaksinohen. Ata që nuk janë vaksinuar plotësisht kanë arsye të mira për t'u shqetësuar për shkak tw virusit Omikron, paralajmëroi Biden në një fjalim për pandeminë Corona, të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë. Varianti i ri po përhapet më shpejt nga sa pritej, tha ai.

Donald Trump mori vaksinën e tretë

USA COVID-19 | PK Biden zu Omikron
Fotografi: Evan Vucci/AP Photo/picture alliance

Në këtë kontekst, Biden përmendi edhe paraardhësin e tij kontrovers Donald Trump, si një shembull të shkëlqyer. Biden iu referua një deklarate të Trumpit, se ai kishte marrë vaksinën e tretë përforcuese. "Kjo është ndoshta një nga gjërat e pakta për të cilat ai dhe unë mund të biem dakord", tha Biden. Trump përmendi në një ngjarje në Dallas të dielën se ai kishte marrë një vaksinim përforcues. Në një video mund të shihet sesi një pjesë e publikut reagoi me kundërshtime e fishkëllima.

Miliona njerëz në SHBA ende nuk duan të vaksinohen kundër koronavirusit. Pothuajse 808.000 njerëz kanë vdekur deri tani nga sëmundja COVID-19 apo nga pasojat e infektimit me virusin Corona. Skepticizmi ndaj vaksinës apo edhe refuzimi i vaksinës është veçanërisht i përhapur në mesin e mbështetësve të republikanëve konservatorë të Trumpit. Deri më tani, vetëm 61.5 për qind e rreth 330 milionë qytetarëve amerikanë janë vaksinuar plotësisht kundër virusit Corona.

500 milionë teste falas

USA | Coronavirus | Präsident Donald Trump
Fotografi: Evan Vucci/AP Photo/picture alliance

Por presidenti Biden e sheh vendin e tij të përgatitur kundër valës së virusit Omikron. "Ne jemi gati. Do ta kalojmë edhe këtë", tha ai në fjalën e tij. Qeveria amerikane dëshiron që nga janari të vërë në dispozicion rreth 500 milionë teste të Coronës falas për përdorim në shtëpi. Për më tepër, rreth 1000 pjesëtarë të përgatitur mjekësorë të forcave të armatosura do të ndihmojnë në spitale, siç shpjegoi më tej Biden. E do të ketë edhe më shumë mundësi për vaksinime.

"Nëse jeni plotësisht i vaksinuar dhe veçanërisht nëse ju është dhënë një përforcues, ju jeni shumë të mbrojtur”, tha 79-vjeçari. "Nëse nuk jeni të vaksinuar, jeni të rrezikuar që të sëmureni rëndë nga COVID-19, të përfundoni në spital e madje edhe të vdisni."

Omikron po përhapet me shpejtësi në SHBA, ku është bërë ndërkohë varianti mbizotërues i virusit në këtë vend. Sipas autoritetit shëndetësor të SHBA-së, CDC, pothuajse tre të katërtat - rreth 73.2 përqind - e rasteve me Corona të regjistruara javën e kaluar janë raste të infektimit me Omikron. Varianti i ri u identifikua për herë të parë në Afrikën e Jugut në nëntor.

 

 

bc/se/al (afp, ap, rtr, dpa)