1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Betimi në Mitrovicën e Veriut: QUINT kërkon vetëpërmbajtje

19 Maj 2023

Ambasadorët e Quint-it theksojnë se pas bojkotit të zgjedhjeve nga serbët e veriut, rezultatet që dolën në zgjedhjet e 23 prillit nuk janë zgjidhje politike afatgjatë për katër komunat e banuara me shumicë serbe.

https://p.dw.com/p/4RYpK
Fotografi: M. Andrić-Rakić/DW

Të premten(19.05.) është parashikuar të bëhet betimi i kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, i cili u zgjodh në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, me një përqindje shumë të vogël, pasi serbët që janë shumicë aty i bojkotuan zgjedhjet plotësisht. Megjithëkëtë rezultat, Atiq ka paraparë që ta bëjë betimin më 19 maj në komunën e Mitrovicës së Veriut. Komuniteti ndërkombëtar është i shqetësuar, se mund të ketë tensione në këtë pjesë. Ambasadorët e pesë vendeve më të industrializuara Quint-it, në një deklaratë të përbashkët thanë, se pas bojkotit të zgjedhjeve nga serbët e veriut, rezultatet nuk janë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna.

QUINT: Të mënjanohen tensionet

QUINT, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania, Franca, dhe Italia, u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve në rajon që urgjentisht të punojnë së bashku drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme përfaqësuese në këto komuna. "Nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa, përfshirë nga kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale  që nuk i shërbejnë popullit ose që mund të rrisin tensionet. Kjo përfshin ushtrimin e më shumë se kompetencave administrative dhe procesin e marrjes së detyrës pasi nuk ka kërkesë që kryetarët e komunave të bëjnë betimin në zyrat komunale. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin", thuhet në deklaratën e përbashkët të vendeve të Quint-it. "Ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë nevojën për përparim urgjent për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe", përfundon deklarata e Quint.

Mitrovica e Veriut
Fotografi: M. Andrić-Rakić/DW

Beogradi nuk i njeh rezultatet e zgjedhjeve

Kryetarët e rinj të komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, të gjithë janë nga partitë shqiptare, pasi serbët masivisht bojkotuan zgjedhjet. Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, në zgjedhje kanë dalë vetëm 1.567 votues apo 3.47 për qind e trupit zgjedhor. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se është duke u kërkuar serbëve ta ruajnë paqen, para betimit që do të bëjnë katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës. "Ata do të tentojnë të mbajnë seanca konstituive në ndërtesën në veri të Mitrovicës, për tri komuna, dhe të zgjedhin kryetarë të rremë, me mbështetje të QUINT-it, të zgjedhur në zgjedhje të rreme”, tha Vuçiq në Beograd, duke shtuar se "Beogradi zyrtar nuk i njeh rezultatet e këtyre zgjedhjeve”, dhe ato i cilëson  "jodemokratike dhe joligjore”.

Chollet: Raportet Kosovë-Serbia - sfida kryesore e Ballkanit

Ndërkohë, dy zyrtarët e lartë amerikanë që kohët e fundit janë të angazhuar fuqishëm në lehtësimin e dialogut Kosovë-Serbi, këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i ngarkuari për Ballkanin Gabriel Escobar, raportuan para Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi. Derek Chollet,  tha se ai nuk po sheh zbatim të madh Marrëveshjes drejt normalizimit Kosovë-Serbi. Marrëveshja e 29 shkurtit dhe aneksi i zbatimit të saj i 18 marsit që u arrit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ndonëse nuk u nënshkrua nga Kosova dhe Serbia, për SHBA-të ajo është ligjërisht e obligueshme të zbatohet. Derek Chollet tha se raportet mes Kosovës dhe Serbisë, "paraqesin sfidën kryesore në rajonin e Ballkanit”, dhe përsëriti se "rruga evropiane e të dyja shteteve nuk mund të ndodhë, nëse ato nuk i zgjidhin mosmarrëveshjet ndërmjet vete”.

Serbët e Mitrovicës së Veriut protesojnë kundër qeverisë së Kosovës, janar 2023
Serbët e Mitrovicës së Veriut protesojnë kundër qeverisë së Kosovës, janar 2023Fotografi: Milica Andrić-Rakić/DW

Chollet u pyet në komision për shembujt evropianë, që mund të përdoren nga Kosova si model për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe se si ai model nuk do të shndërrohej në një ‘Republikë Srpska'. "Sipas pikëpamjes sonë, Asociacioni bazohet në Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ne duam që të gjithë qytetarët e Kosovës të jenë në gjendje të marrin shërbime të barabarta dhe t'iu dëgjohet zëri. Ideja është që serbët në veri të Kosovës të jenë më pak të varur nga Beogradi dhe Asociacioni të fokusohet në edukim, shëndetësi dhe zhvillim lokal ekonomik, e gjëra të ngjashme. Kemi qenë shumë të qartë, ne nuk do të pranojmë e as mbështesim diçka që sadopak do t'i ngjasonte Republikës Srpska. Siç thatë, BE-ja ka dhjetëra shembuj brenda BE-së struktura të ngjashme me Asociacionin, si në veri të Italisë, në Zvicër, në Finlandë, ku ka minoritete, ku ka një lloj shkalle të kontrollit lokal mbi pjesë të jetës së tyre”, tha Derek Chollet.

Zyrtari i lartë amerikan një ditë më parë, para se të bëhet betimi i kryetarit të komunës së Veriut të Mitrovicës, zhvilloi biseda të ndara telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai porositi Kurtin dhe Vuçiq, që të vazhdohet puna e rëndësishme për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve dhe duke kërkuar nga palët që t'i shmangin provokimet.