1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlini në bum - Kryeqyteti gjerman po bëhet gjithnjë e më joshës

Arnd Riekmann4 Dhjetor 2013

“I varfër, por joshës”- kështu e përshkruante kryebashkiaku berlinez Klaus Wowereit kryeqytetin gjerman para dhjetë vjetësh. Por tani Berlini po përjeton një bum ekonomik dhe nuk është më i varur prej borxheve.

https://p.dw.com/p/1AT2H
Fotografi: picture-alliance/W. Steinberg

Në mes të nëntorit, me krenari qeveria e landit SPD/CDU prezanton shifrat e kënaqshme: "Buxheti i dy viteve të ardhshme për Berlinin është planifikuar dhe borxhet tashmë i përkasin së kaluarës. Berlini i kreu me sukses detyrat e shtëpisë", thekson Richard Meng, zëdhënës i senatit berlinez. Politika ka përparuar mirë në fushën e ekonomisë.

Të shumtë janë ata që fërkojnë sytë nga habia: Berlini prej kohësh konsiderohet si qyteti "cool" dhe dinamik, por sa u përket financave ai asnjëherë nuk ka qenë i qëndrueshëm, e aq më keq tani kur po ndërtohet aeroporti i ri, kostot e të cilit sa vjen e po shtohen. Prej shumë kohësh Berlini është i varur financiarisht nga landet tjera, të cilat janë më të fuqishme ekonomikisht dhe më të pasura. Qysh në gjysmën e parë të vitit 2013, Bavaria, Heseni dhe Baden-Vyrtenbergu u detyruan t'i ndihmojnë kryeqytetit me një transfer parashë në vlerën rreth dy miliardë euro, kjo masë ndërmerret në kuadër të mekanizmit të ashtuquajtur "ekuilibri financiar" midis landeve, që ka për qëllim të mos lejojë krijimin e kontrasteve të mëdha midis tyre.

Berlini - Një magnet për artistët dhe shpirtin krijues

Kohët e fundit në Berlin po rriten dukshëm edhe të ardhurat nga taksat. Nëse ky parashikim bëhet realitet, atëherë për vitin e ardhshëm qyteti mund të ketë të ardhura deri në 400 milionë euro, më shumë nga sa ai shpenzon. Arsyeja e suksesit është: Turizmi në bum.

Sommerwetter in Deutschland Social Media Berlin
Fotografi: picture-alliance/dpa

Aktualisht kjo degë është shtylla e dytë e rëndësishme e ekonomisë së qytetit. Shifra e rezervimeve nëpër hotele, për të kaluar natën arrin deri në 25 milionë, ky është numri i rezervimeve në hotele për një vit, një shifër mbreslënëse kjo, thekson zëdhënësi i senatit Richard Meng, duke shtuar: "Pas Parisit dhe Londrës, ne zemë vendin e tretë në Europë. Kuptohet që kjo degë i sjell përfitime të shumta si dhe vende pune qytetit.

Por janë të shumtë ata që nuk vijnë vetëm për vizitë në Berlin, por edhe për të jetuar. Thuajse çdo vit popullsia e kryeqytetit po rritet me rreth 30. 000 banorë, në një kohë që në përgjithësi popullsia nuk shënon rritje. Por ndërkohë kjo tendencë vërehet edhe në metropolet e tjera gjermane, pavarësisht se Berlini ka një fuqi të jashtzakonshme joshëse krahasuar me qytete e tjerë, vë në dukje Meng në intervistë për DW: "Kurioziteti ndaj Berlinit është jashtëzakonisht i madh, veçanërisht tek të rinjtë". Sipas Meng "qyteti është shumë tërheqës për njerëzit, që dëshirojnë të përjetojnë diçka të veçantë. Ata që janë kreativë dhe duan të zhvillojnë diçka interesante".

E kjo nuk vlen vetëm për ata që kanë shpirt sipëmarrësi dhe me guxim i realizojnë idetë e tyre, por edhe për shumë ndërmarrje dhe organizata të ndryshme, që gjatë viteve të shkuara janë transferuar në Berlin. Ndër të tjera tani ka seli edhe në kryeqytetin gjerman gjiganti i software-ve "Microsoft", i vendosur në një godinë katër katëshe me një sipërfaqe rreth 3000 metra katrorë në bulevardin "Unter den Linden 17", pikërisht në qendër të qytetit.

Qyteti i startups

Ka edhe një arsye më shumë për këtë bekim të papritur financiar: Anë e mbanë nëpër qytet ka shumë lokale të vogla interneti dhe kompani mediatike, që janë themeluar në të kaluarën. "Berlini luan një rol të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, sidomos tani kur bëhët fjalë për aktivitete të tilla siç është interneti", konfirmon Michael Bahrke nga "Instituti i Ekonomisë Gjermane" në Këln.

Berlin Baukran Hochhäuser 22.10.2013
Fotografi: picture-alliance/dpa

Rreth katër për qind e rritjes së vlerës vjen prej IT-së dhe internetit, një nga degët më të mëdha të së ardhmes. Natyrisht që kësaj i shtihen edhe klubet, baret dhe lokalet e vogla të stilistësve, që ndodhen në lagjet më të frekuentuara siç janë Friedrichshain apo Neukölln.

Një tjetër faktor që po luan rol të rëndësishëm në bumin e qytetit ka të bëjë me ritjen e rendimentit: zhvillimi ekonomik në Berlin qysh nga vitit 2005 është rritur me rreth 17 %, me këtë kuotë madje kryeqyteti ua kalon edhe landeve tradicionalisht me ekonomi të fuqishme siç është p.sh. Bavaria. Edhe pagat në Belrin janë vazhdimisht në rritje. Kjo s'është e habitshme, mendon ekonomisti Michael Behrke, sepse Berlini me këtë po shpalos një potencial të akumuluar prej kohësh. "Berlini po arrin ekonomikisht statusin, që i ka takuar prej kohësh."

Ana tjetër e medaljes - Dobësitë e këtij zhvillimi

Pavarësisht shifrave mjaft pozitive ky zhvillim ka edhe disavantazhet e veta si p.sh. çmimet e larta të qirave. Çmimet e pasurive të patundshme janë ngritur në përmasa dramatike gjatë viteve të fundit duke i joshur gjithnjë e më shumë spekulantët. "Sa më mirë të shkojnë punët në qytet, aq më shumë intensifikohet debati, se kush do vijë këtu ?", druan zëdhënësi i senatit Meng. "Kur këtu vijnë njerëz të pasur, frikësohen banorët, të cilët jetojnë këtu prej shumë vitesh dhe nuk kanë aq shumë para."

Berlin - Prenzlauer Berg - Graffiti
Fotografi: picture-alliance/dpa

Qysh tani banorët vendas nga zona të caktuara të qytetit po spotohen prej berlinezëve të rinj me aftësi pagese, por edhe nga fakti që po ndërtohen anë e mbanë hotele dhe shtëpi pushimi. Qeveria është e vetëdijshme, që tani që qyteti ka më shumë para, politika duhet t'i përkuhstohjet detyrave të reja, mendon Richard Mend. Një nga detyrat është ndërtimi i pallateve të banimit: "Nga rritja e popullsisë, shtohen edhe problemet. Lind nevoja p.sh. për kopështe fëmijësh apo për shkolla. Natyrisht që politika duhet të reagojë."

Edhe eksperti i ekonomisë, Michael Bahrke, paralajmëron, se zhvillimi pozitiv shkon në favor vetëm për një pjesë të qytetit. Ekziston rreziku që në Berlin të thellohen kontrastet sociale: nga njëra anë rritet numri i të pasurve në qendër dhe përqëndrimi i të papunëve she shtresave të varfëra nëpër periferi. Politika duhet të kujdeset në atë mënyrë së të gjithë banorët e Berlinit të përfitojnë nga suksesi ekonomik i qytetit, thotë Bahrke.