Berlini në atmosferën e Krishtlindjeve
Metropol që pulson dhe vend pelegrinazhi për ata, që e duan jetën e natës. Berlini është atraktiv e dinamik, por në kohën e Krishtlindjeve kryeqyteti gjerman shfaq një magji të veçantë.
Magjia e lagjes së vjetër në Spandau
Tregu tradicional në lagjen e vjetër, Spandau, nuk është më një vend ekskluziv vetëm për njohësit e zonës, por një nga tregjet më të bukura të Krishtlindjeve të Berlinit. Përgjatë kalldrëmit historik shesin më shumë se 250 tregtarë dhe artizanë nga katër kontinente. Nga salmoni në prush dhe dekoracionet origjinale të Krishtlindjeve nga Ukraina e deri tek vera e nxehtë.
Si mbret në kështjellën Charlottenburg
Për shkak të ambientit të zbukuruar në mënyrë festive, tregu i përvitshëm para kështjellës Charlottenburg kalon në rend të dytë. Në parkun përreth mund të shohësh vepra artistike të klasit të parë, por mund të gjesh edhe gjurmë të historisë, pajisje mekanike të vjetra: Kolovajza të vjetra, karuzel tradicional dhe karuzel me kuaj. Për fëmijët dhe nostalgjikët.
Shkëlqim në bulevardin "Kurfürstendamm"
Edhe bulevardi kryesor në pjesën perëndimore të Berlinit rrezaton në mënyrë festive në periudhën e Krishtlindjeve me vargje dritash e pemë të zbukuruara.
Bulevardi "Unter den Linden" - Blirë të ndriçuar
Bulevardi i njohur i blirëve -"Unter den Linden". 220 dru blirësh nga Porta e Brandenburgut deri në Universitetin "Humboldt" dekorohen me 60 kilometra vargje dritash. Deri më 1 janar mund të shëtitësh nën blirët e ndriçuar.
Magjia e yjeve në sheshin Potsdam
Kush kalon në orët e mbrëmjes në Sony Center në sheshin Potsdam i sheh gjatë gjithë vitit lojërat me drita në tavanin e Sony Center. Në kohën e Krishtlindjeve aty shtohen edhe 100.000 drita të tjera. Shkëlqimi i florinjtë takon blunë ndriçuese.
Traditë - Krishtlindjet në sheshin Gendarmenmarkt
Ndërsa në tregun e Krishtlindjeve në Gendarmenmarkt sundon elementi tradicional. Vizitorët mund të shijojnë kuzhinë tradicionale, mjeshtri artizanale dhe program muzikor.
Lojëra argëtuese në sheshin Alexanderplatz
Ndërsa tregu i Krishtlindjeve në Alexanderplatz është shumëngjyrësh e i shumëllojshëm, jo me një atmosferë tipike Krishtlindjesh. Ai i tërheq vizitorët, sidomos të rinjtë me një pistë patinazhi e karuzelë të ndryshëm. Një moment qetësie mund ta gjesh sidomos në karuzelin gjigand me 60 metra lartësi, nga ku mund të shijosh nga sipër panoramën e Berlinit.