Berlin: Hetime në Ministritë e Financave dhe të Drejtësisë
9 Shtator 2021Sfondi i këtij operacioni janë hetimet rreth dyshimeve se punonjës të Njësisë së Hetimeve Financiare kanë penguar ndjeken penale të disa personave që dyshohen për pastrim parash.
Hetimet kanë filluar që nga shkurti 2020 dhe drejtohen kundër disa punonjësve të kësaj njësie speciale doganore, e cila merret me luftimin e pastrimit të parave. Ata dyshohet se nuk ua kanë përcjellë organeve të ndjekes penale njoftimet që kanë marrë nga bankat për dyshime për pastrim parash në shuma që shkojnë në miliona.
Njësia e Hetimeve Financiare është një instancë e ndërvarur nga disa ministri dhe institucione, e cila vepron në kuadër të Drejtorisë së Doganave. Bankat, agjentët e pasurive të patundshme apo tregtarët e bizhuterive dhe të argjendarisë raportojnë tek kjo njësi kur kanë dyshime për pastrim parash dhe kjo njësi ka për detyrë të hetojë për dyshimet dhe nëse e konsideron të nevojshme e përcjell dosjen tek organet e ndjekes penale.
Politikanë të CDU-së dhe të opozitës kërkuan sqarime gjithëpërfshirëse për këto dyshime dhe sulmuan Ministrin federal të Financave Olaf Scholz (SPD).
Prokuroria njoftoi se gjatë bastisjes ka siguruar dokumente që përmbajnë informacione në lidhje me komunikimin në shkallë të gjërë midis Njësisë së Hetimeve Financiare dhe dy ministrive. "Qëllimi i bastisjeve të sotme është të mbledhë fakte të mëtejshme rreth veprës së dyshuar penale dhe që të sqarojë përgjegjësitë individuale," tha prokuroria duke shtuar se hetimet po zhvillohen "në të gjitha drejtimet".