3 Tetori - Dita e Bashkimit ende pa monumentin e Bashkimit
3 Tetor 2023Monumenti i Lirisë dhe Bashkimit duhej të përurohej në vitin 2019 me rastin e 30 vjetorit të Bashkimit të Gjermanisë. Por kjo nuk ndodhi. Debatet politike, pengesat burokratike, shqetësimet e sigurisë dhe mungesa e parave e vonuan fillimin e ndërtimit. Katër vjet më vonë, punët nuk duken shumë më mirë. Ndërtimi ka nisur që nga maji i vitit 2020. Piedestali historik përpara ndërtesës së Forumit Humboldt, ku dikur qëndronte "Stadtpalast Berlin", pothuajse ka përfunduar, siç konfirmoi zyra e planifikimit Milla & Partner me qendër në Shtutgart në përgjigje të kërkesës së DW.
Guaska përkundëse, e njohur gjerësisht si "Përkundësja e Bashkimit”, e cila fitoi konkursin në vitin 2011, me sa duket e ka marrë formën. Sipas Milla & Partner, 32 segmentet e çelikta të saj po presin të transportohen në Berlin. Ato tani ndodhen në një punishte në Renaninë Veriore-Vestfali. E sërish paska një problem.
As sivjet nuk është gati
"Monumenti i Lirisë dhe Bashkimit nuk do të përfundojë këtë vit," tha drejtori krijues Sebastian Letz për DW. "Ne kemi hartuar një plan për zbatimin në vitin 2024 dhe ia kemi komunikuar atë Ministrisë së Kulturës dhe Medias së Shtetit (BKM) disa kohë më parë." Tani i takon ministres së Shtetit për Kulturën Claudia Roth (Aleanca 90/Të Gjelbërit) të marrë vendime.
"Të gjitha palët e përfshira po përpiqen për një kompletim të shpejtë të monumentit," tha një zëdhënës për Ministrin e Shtetit për Kulturën, zhvilluesi i projektit. Megjithatë, vetëm kontraktori i përgjithshëm i projektit, zyra e Shtutgartit Milla & Partner, mund ta caktojë një datë detyruese të hapjes. "Sipas kontraktorit të përgjithshëm, aktualisht ka vonesa në ndërtim për shkak të vështirësive me një nënkontraktor në fushën e ndërtimit të çelikut," shpjegon BKM.
Andreas Apelt, gazetar dhe ish-aktivist në ish-RDGJ, nga shoqata berlineze, Deutsche Gesellschaft, i tha DW se shkaku i këtyre vonesave mund të jetë edhe rritja e shpenzimeve: Nga 15 milionë, që ishin planifikuar në fillim, më pas shpenzimet u rritën në 17 milionë, e tani mendohet se do të jetë edhe më i shtrenjtë. “Nuk jam aspak i kënaqur me këtë situatë”, tha ai.
Gëzim çlirues në rënien e Murit të Berlinit
A është dikush ende i kënaqur me idenë e një monumenti për lirinë dhe Bashkimin në Berlin? Ajo u iniciua në vitin 1998 nga aktivistët e RDGJ-së për të drejtat civile Günter Nooke, Florian Mausbach, ish-presidenti i Zyrës Federale për Ndërtim dhe Planifikim Rajonal, gazetari Jürgen Engert dhe Lothar De Maizière, kryeministri i parë i RDGJ-së i zgjedhur në mënyrë demokratike - në shenjë mirënjohjeje për "gëzimin çlirues që shkaktoi rënia e Murit të Berlinit, lumturinë historike dhe lotët e gëzimit".
Në vitin 2007, Bundestagu vendosi të ndërtojë një monument, të financuar nga arka e Federatës. Pastaj filloi lufta e llogoreve politike: Komiteti i Buxhetit të Parlamentit ndërkohë e ka refuzuar fondin. Rëndësia dhe kuptimi i monumentit u vunë në pikëpyetje. Së fundi, një rezolutë e dytë e Bundestagut në vitin 2017 vulosi vullnetin për të ndërtuar. Në vitin 2020 u filluan punimet.
Që atëherë, ka pasur shumë aktivitet në kantierin e ndërtimit përpara Forumit Humboldt të përfunduar dhe të hapur në qendër të Berlinit. Guaska përkundëse e monumentit "Qytetarët në lëvizje" zë një hapësirë prej 50 me 18 metra. Kur njerëzit anojnë në njërën anë, atëherë guaska anon nga ajo anë, së bashku me ta. Pjesa e lakuar në qendër të guaskës do të shërbejë si një lloj skene, ku do të jetë e shkruar me shkronja të arta parulla e famshme e revolucionit paqësor që çoi në rrëzimin e Murit të Berlinit, më 9 nëntor 1989: Ne jemi populli.
Lindja dhe Perëndimi e shikojnë në mënyra të ndryshme këtë datë
"Kitsch politik" dhe "metaforë e dobët ", kështu u quajt nga disa projekti, të tjerë thanë se ka një simbolikë të fortë. Si në vitin 1989, njerëzit do të duhej të arrinin në një mirëkuptim dhe të vendosnin të vepronin së bashku në mënyrë që të bënin një ndryshim. Ndërthurja e termave "Liri dhe Bashkim" ngjalli gjithashtu kritika sepse protestuesit në RDGJ kishin demonstruar për liri, por jo për Bashkim.
"Çfarë Bashkimi të festojmë?" pyet Annette Ahme e shoqatës "Historische Mitte" në një intervistë me DW. "Pranimi pa kushte i RDGJ-së në Republikën Federale të Gjermanisë pa një debat kushtetues shoqërues ishte i gabuar dhe procesi i unifikimit midis Lindjes dhe Perëndimit që atëherë ka dështuar. Dhe tani kjo u dashka shenjtëruar me një monument?" pyet ajo.
Olaf Zimmermann, drejtor menaxhues i Këshillit Kulturor Gjerman, thotë se për monumentin mungon një konsensus i gjerë, pasi simbolika është vjetruar. Pse projekti i monumentit është vonuar për kaq gjatë? "Kjo," thotë Zimermann, "është sepse në fund askush nuk e dëshiron atë." Ai është gjithashtu "gjithnjë e më i pasigurt" nëse monumenti është ende i nevojshëm – duke pasur parasysh tensionet në rritje midis Lindjes dhe Perëndimit brenda Gjermanisë.
Hendrik Berth, profesor i psikologjisë dhe hulumtues i transformimit në Universitetin Teknik të Dresdenit, thotë se gjermanët kanë perspektiva të ndryshme mbi Bashkimin. "Ndoshta një monument duhet të ishte ngritur shpejt në 1991/1992," i tha ai DW. "Sa më shumë kohë të duhet, aq më e vështirë bëhet gjetja e diçkaje që mund të gjejë edhe në distancë njëfarë konsensusi." Ai e konsideron një efekt të veçantë të Monumentit të Bashkimit si të pamundur, të paktën jo si një kontribut në vazhdimin e Bashkimit të brendshëm.
Bashkimi i Lindjes dhe Perëndimit është gjithashtu i pashmangshëm në sytë e ish-aktivistit të RDGJ-së për të drejtat civile Andreas Apelt. "Ribashkimi ishte një moment fatlum në histori," thotë Apelt, duke shtuar se protestuesit mundën një diktaturë. "Ne duhet ta ruajmë atë hov të asaj kohe, me gjithë optimizmin!"