Berisha pa imunitet përballë drejtësisë
21 Dhjetor 2023Në Shqipëri Parlamenti miratoi kërkesën e Strukturës së Posaҫme Anti Korrupsion (SPAK) për të marrë autorizim për arrest shtëpie ose me burg për ish-kryeministrin Sali Berisha, deputet i Partisë Demokratike, (PD) forcës politike opozitare më të madhe në vend. Deputetë mbështetës të Berishës, kryesisht të fraksionit të PD, të njohur si "Grupimi i Rithemelimit,” hodhën flakadanë ne sallën ku u zhvillua votimi dhe bllokuan foltoren me karrige.
Ish-kryeministri Berisha refuzoi të merrte fjalën para votimit për heqjen e imunitetit të tij parlamentar.
Ai iu bashkua protestës së paralajmëruar të mbështetësve të tij jashtë Parlamentit ku mbajti fjalën e tij të fundit para arrestit. Berisha e quajti vendimin e Parlamentit "antikushtetues.”
"Parlamenti antidemokratik votoi në kundërshtim me çdo procedurë kushtetuese dhe ligjore për heqjen e imunitetit dhe arrestimin tim. Ky vendim jo vetëm që nuk do ta shkatërrojë opozitën, por do ta mobilizojë atë në shkallën më të lartë . Me moton: ‘o sot o kurrë' opozita do t'i japë përgjigjen më të merituar këtij regjimi”, tha Berisha.
Ai bëri thirrje për një qëndresë historike përballë atij që e quajti,”plan të mazhorancës së majtë për të shuar Partinë Demokratike dhe opozitën në vend”.
Berisha tha se "mosbindja civile do të vazhdojë "me të gjitha metodat që parashikojnë manualet ndërkombëtare të rezistencës dhe po kështu edhe protestat në mbarë vendin deri në rrëzimin e qeverisë Rama.
Cilat procedura pritet të ndiqen?
Ish-kryeministri Berisha akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në bashkëpunim lidhur me privatizimin e terrenit të ish-klubit sportiv "Partizani” në Tiranë.
Vendimi i sapomarrë i Parlamentit pritet të dërgohet sot zyrtarisht në SPAK, i cili i kërkon Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (GJKKO) të zëvendësojë masën e sigurisë me detyrim paraqitje dhe bllokim pasaporte, në masën "arrest shtëpie"ose "arrest me burg”.
Vendimi ekzekutohet nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Policia e Shtetit.