Ndërrim Froni Mbretëror në Belgjikë
19 Korrik 2013Belgjika është relativisht një shtet i ri: Për shumë shekuj territori i sotëm i këtij shteti i përkiste ndër të tjera Francës dhe Holandës. Deri në 1830 kur u pavarësua nga revolucioni belg. Me Kushtetutën e vitit 1831, Belgjika u shpall Monarki parlamentare. Familja mbretërore i ka rrënjët e prejardhjes gjermane: Monarku i parë ishte Leopold nga Sachsen-Coburg dhe Gotha, i cili si Leopold I në 1831 drejtoi vendin deri në vdekjen e tij më 1865. Pasardhësi i tij, Leopold II la një njollë të errët në historinë e Familjes Mbretërore: Kolonia e mëvonshme belge, Kongo u kthye nga ai si një pronë private duke plaçkitur pa mëshirë dhe ku miliona njerëz humbën jetën nga puna e detyruar me dhunë.
Monarku i gjashtë ishte Mbreti Albert II, 79 vjeç, i cili ishte në fronin belg prej vitit 1993. Ai pati bëri të ditur përmes një fjalimi në televizion ditë më parë se do të abdikonte në favor të djalit të tij, pasardhës i fronit mbretëror, Princit Philippe, 53 vjeç. Pikërisht më 21 korrik, në Ditën Ndërkombëtare të Belgjikës u zhvillua edhe ceremonia e ndërrimit të froneve. Mbreti Albert e argumentoi këtë vendim për arsye shëndetësore duke e ndjerë veten jo shumë mirë për të përballuar dhe realizuar detyrat e tij në krye të fronit. Mbreti përfaqëson vendin si kreu më i lartë shtetëror, është Komandant suprem i forcave të armatosura dhe emëron qeverinë. Një nga detyrat e monarkut është përpjekja për të zgjidhur krizat kushtetuese.
Mbreti Albert ushtroi autoritetin e tij në ndërmjetësimin mes liderëve politikë në formatimin e qeverisë së re gjatë krizës parlamentare të 2010-2011-s, kur Belgjika mbeti pa qeveri për 541 ditë, pasi zgjedhjet nuk nxorrën një fitues të pastër. Tensionet mes dy komuniteteve kryesore gjuhësore, flamandët në veri që flasin holandisht dhe frankofonët në jug që flasin gjuhën valone, shpesh kanë shkuar larg, çështje kjo që ka rrëzuar disa qeveri, duke krijuar shpesh herë destabilitet politik. Mbreti Albert i largohet gati pas 20 vjetësh në krye të fronit mbretëror të cilën e pati marrë pas vdekjes së vëllait të tij, Mreti Baudouin.
Sipas medieve belge, pas ardhjes në fron, Mbreti Albert u përfshi në një skandal të madh mbretëror, ku ai u akuzua se ishte baba i një vajze jashtë-martesore, Delphine Boel, duke vuajtur një periudhë krize në martesën e tij me Mbretëreshën Paola. Kjo çështje u vu sërish në dukje këtë pranverë, kur zonja Boel nisi procedurat e gjykatës, për të provuar se ishte vajza e Mbretit. Sipas spekulimeve në media, kjo çështje mund të ketë qenë influencuese në vendimin e tij për të abdikuar, bëjnë të ditur mediet në Bruksel. Njoftimi i fronit nga Mbretit Albert u bë vetëm 3 muaj pasi Mbretëresha Beatrix e Holandës abdikoi nga froni holandez, në favor të djalit të saj, Willem-Alexander.