1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Belgjika thyen rekordin botëror pa qeveri

18 Shkurt 2011

Këtë të enjte Belgjika theu një rekord negativ: ajo është bërë tani vendi me krizën më të gjatë qeveritare në botë.

https://p.dw.com/p/10JCF
Presioni me patateFotografi: AP/DW-Fotomontage

Vendi, ku janë selitë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, theu me 17 shkurt rekordin negativ të një krize më të gjatë qeveritare në botë. Belgjika ka lënë kështu pas vete Irakut, ku kurdët, shiitët dhe sunitët në dhjetor krijuan një qeveri pas një krize të gjatë prej 249 ditësh. Zgjedhjet në Belgjikë janë zhvilluar me 13 qershor 2010, por ende nuk është krijuar qeveria. Kriza ka të bëjë me grindjet e kahershme midis flamandëve dhe belgëve, që flasin frëngjisht, ndërkohë që ndonjë zgjidhje ende nuk duket në horizont. Tunizianët dhe egjiptianët nisën revolucionin e tyre për shkak se donin t'i largonin nga pushteti diktatorët e tyre. Ndërsa në Belgjikë kërkohet e kundërta. "Ne duam që më në fund të krijohet një qeveri", kërkojnë studentët në rrugë.

"Për 249 ditë me radhë ne jemi pa qeveri. Për 249 ditë nuk ka ndonjë marrëveshje mes partive, të cilat duan të futen në koalicionin qeveritar. Njeriu ka përshtypjen se gjërat po sillen në një rreth dhe nuk po shkojnë fare përpara", thotë Michael Verbauhede, i cili është ndër organizatorët e demonstratave për krijimin e qeverisë. I ashtuquajturi "revolucioni me patate të skuqura", që është një lloj ushqimi kombëtar belg, sinjalizon domosdoshmërinë e arritjes së unitetit në vend, sepse Belgjika kaherë është e përçarë mes pjesës flamande dhe asa,j ku flitet frëngjishtja. Kjo përçarje ka shkaktuar edhe krizën më të gjatë qeveritare në botë.

Belgien Demonstration gegen längste Regierungskrise der Welt in Louvain-La-Neuve
Studentët protestojnë për krijimin e qeverisë.Fotografi: dapd

Patatet dhe striptizi kundër ndarjes së vendit

"Me këtë ne nuk jemi fare dakord. Mesazhi jonë është: ne jemi kundër nacionalizmave. Ne i themi jo ndarjes së vendit", pohon një demonstrues.

Në qytetin universitar Loeven janë shpërndarë të enjten patate falas. Në Gent njerëzit duan të organizojnë një striptiz masiv, me 249 gra lakuriqe, nga një për secilën ditë pa qeveri.

Politikanët nuk po nguten me negociatat e tyre për krijimin e qeverisë. Shumë prej tyre kanë llogari të tjera. Ata thonë se është e vërtetë që irakianët kanë krijuar një qeveri pas 249 ditë krize qeveritare, por qeveria është konfirmuar zyrtarisht në parlament disa javë më vonë. Për të krijuar përfundimisht një qeveri, pa e thyer edhe rekordin botëror zyrtar në parlament, belgët kanë kohë edhe 40 ditë.

Autor: Andreas Reuter/Bahri Cani

Redaktoi: Angjelina Verbica