1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Belgjika në shok - 5 të vrare dhe 120 të plagosur në Liezhë

Christoph Prössl / Esat Ahmeti14 Dhjetor 2011

Si pasojë e sulmit të djeshëm (13.12.) të atentatorit në gjendje amoku në Liezhë kanë vdekur pesë vetë, në mesin e tyre edhe një fëmijë dhe atenatori. Mbi 120 njerëz janë plagosur.

https://p.dw.com/p/13SN4
Liezha
Sulmi në LiezhëFotografi: picture-alliance/dpa

Policia belge ka zbuluar një kufomë të një gruaje gjatë bastisjes së shtëpisë së atentatorit në gjendje amoku në Liezhë. Sipas të dhënave të prokurorisë së përgjithshme viktima 45 vjeçare është gjetur në një barakë të shtëpisë të cilën burri po e përdorte siç duket për prodhimin e kanabisit. Siç duket burri ka vrarë fillimisht gruan dhe pastaj është nisur për në sheshin qendror të qytetit Liezhë ku të martën pasdite kreu një masakër. Sot  (14.12.) me një minutë heshtje qyteti belg Liezhë përkujtoi viktimat e kësaj kërdie. Të martën në mbrëmje vendi i ngjarjes është vizituar nga mbreti i Belgjikës Alberti i II-të dhe mbretëresha Paola. Po ashtu edhe kryeministri i ri Elio di Rupo ka vizituar menjëherë Liezhën. Në një konferencë shtypi ai tha se i tërë vendi ndan dhembjen me viktimat. I tronditur u shpreh edhe politikani belg Hermann von Rampoy, aktualisht president i Këshillit të BE-së: "Unë mendoj për ata që humbën jetën e tyre, unë mendoj për ata që po luftojnë për jetën e tyre dhe natyrisht familjet e tyre. Për këtë akt nuk ka shpjegim. Kjo më ka hutuar dhe tronditur", tha van Rampoy.

Pesë të vdekur dhe shumë të plagosur

Mbreti Albert II
Mbreti Albert II në vendin e ngjarjes.Fotografi: picture-alliance/dpa

Si pasojë e sulmit të djeshëm numri i të vdekurëve ka shkuar në pesë vetë në mesin e tyre edhe një fëmijë i vogël dhe vet atenatori. Mbi 120 njerëz janë plagosur, disa prej tyre e kanë ende jetën në rrezik. Në qendër të Liezhës, atentatori hodhi sipas policisë disa granata dore dhe qëlloi me armë zjarri ndaj kalimtarëve të rastit.  Për motivin e 30 vjeçarit nuk ka ende të dhëna. Megjithatë prokuroria përjashton mundësinë e një sfondi terrrorist të sulmit. Prokurorja e Liezhës Danielle Reynders: "Autori është i njohur si për policinë ashtu dhe për gjyqësorin, pasi ai ka qenë i dënuar për posedim të armëve, drogës dhe dhunës seksuale. Megjithatë, për një lidhje terroriste deri tani nuk flet asgjë. Hetuesit do të bëjnë gjithçka është e mundur për të hedhur dritë mbi motivin e tij."

E paqartë mbetet se si ka qenë e mundur që një ish i dënuar me pesë vjet burg për shkak të mbajtjes së armëve pa leje dhe i liruar nga burgu në tetor të vitit të 2010, të ketë arritur kaq shpejtë të fusë në dorë një arsenal kaq të madh të armëve.