BE përshëndet Kroacinë në hapësirën Shengen
9 Dhjetor 2022Ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare gjatë takimit në Bruksel diskutuan për zgjerimin e pjesëmarrësve në këtë zonë të qarkullimit pa kontrolle kufitare që aktualisht përbëhet nga 26 vende europiane. Anëtarësimi i Bullgarisë dhe Rumanisë dështoi për shkak të rezistencës së Holandës dhe Austrisë.
Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer bëri të qartë, se shfuqizimi i kontrolleve kufitare sa i përket Bullgarisë dhe Rumanisë ndërkohë nuk shtrohet për vendin e tij. SI arsye ai theksoi faktin, se shumë migrantë të paregjistruar vijnë përmes këtyre vendeve.
Rezistenca holandeze drejtohet vetëm ndaj Bullgarisë, për shkak të rezervave lidhur me shtetin e së drejtës. Duhet më shumë kohë për një vendim, tha si argument kryeministri Mark Rutte.
Baerbock krition Vjenën
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock e dënoi qendrimin e Austrisë duke e quajtur një zhgënjim të madh. "Për shkak të vetos austriake dhe vendimit të imponuar tani rezultati është ndryshe, gjë që unë e konsideroj më shumë se të gabuar si në aspektin e politikës europiane ashtu edhe në atë gjeopolitik", tha politikania ekologjiste gjatë një vizite në kryeqytetin e Irlandës, Dublin.
Qeveria gjermane dhe ajo vet në telefon, sikurse tha, deri në minutën e fundit janë përpjekur, që Bullgaria e veçanërisht Rumania duhen pranuar në zonën Shengen. "Ne në fund të këtij viti të vështirë, për të mos thënë madje brutal, do të kishim hedhur një hap të mëtejshëm në forcimin e Europës", tha Baerbock.
Komisioni i BE-së insisitoi për anëtarësimin e të tre vendeve
Komisioni i BE-së deri në fund insistoi që si Kroacia ashtu edhe Rumania e Bullgaria të pranoheshin në zonën Shengen, hapësira e vendeve mes të cilave nuk ka kontrolle kufitare. Zgjerimi i kësaj hapësire edhe me këto tre vende me siguri do ta bëjë Europën edhe më të sigurtë dhe më tërheqëse si dhe do të kontribuojë për më shumë mirëqenie, konstatoi Komisioni i mes të nëntorit. Të tre vendet janë qysh tani të lidhura me rregulloret në zonën Shengen, por deri më sot kontrollet në kufijtë e brendshëm të tyre nuk janë shfuqizuar.
Në kufirin e Kroacisë çdo verë krijohen bllokime trafiku me kilometra. Këtej e tutje që nga fillimi i vitit 2023 kontrollet kufitare mund të shfuqizohen, ndërsa në aeroporte duke filluar nga marsi. Kroacia vitin e ardhshëm hedh në qarkullim si mjet pagese monedhën e përbashkët europiane, euro.
Një zgjerim i kësaj zone duhet të vendoset unanimisht mes vendeve anëtare. Përveç kësaj duhet që vendimi të miratohet edhe nga Parlamenti Europian, gjë që për Kroacinë, Rumaninë e Bullgarinë ndërkohë është bërë. Rumania dhe Bullgaria janë në pritje që nga viti 2011 për këtë vendim.
Brenda vendeve të zonës Shengen udhëtimet janë të mundura pa kontrolle kufitare. Marrëveshja e arritur më 1985 në Shengen të Luksemburgut konsiderohet si një gur themeltar në integrimin europian. Krahas zgjerimit të zonës Shengen në agjendën e takimit të ministrave të Brendshëm ishte edhe mundësia e rritjes së numrit të njerëzve nga Ukraina që kërkojnë mbrojtje gjatë dimrit që pritet të jetë i vështirë.
nob/sti (dpa, afp)