1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE planifikon procedura më të shpejta për azilkërkuesit

12 Qershor 2023

Azilkërkuesit që nuk kanë asnjë shans në të ardhmen do të identifikohen në kufijtë e jashtëm dhe do të riatdhesohen shpejt. Rregullat evropiane të azilit do të zbatohen vetëm për një pjesë të vogël të të ardhurve.

https://p.dw.com/p/4SRrQ
EU Migrationsabkommen
Fotografi: RTRTV

27 ministrat e brendshëm të BE-së negociuan të enjten gjatë gjithë ditës në takimin e Këshillit në Luksemburg, në mënyrë që të mund të miratonin një reformë gjithëpërfshirëse të procedurave të azilit dhe menaxhimit të imigracionit, të përgatitur prej vitesh. "Ka dritë në fund të tunelit," tha një delegat nga negociatat ende në vazhdim pas gati 12 orësh diskutimi. Kryetarja suedeze e Këshillit, Maria Malmer Stenergard, kishte ndërprerë seancat tre herë dhe disa herë i kishte ndryshuar tekstet pas deklaratave të refuzimit nga delegacionet.

Më pas, më në fund, vendet e mëdha anëtare të BE si Gjermania dhe Italia ishin në bord, por jo ato më të voglat. Vendimi në fund nuk u mor unanimisht, por nga shumica e kualifikuar e shteteve anëtare që përfaqësojnë të paktën 65% të popullsisë së BE-së. Polonia dhe Hungaria, të cilat ende nuk duan të respektojnë rregullat e përbashkëta të BE-së për migracionin, votuan kundër.

Për vite me radhë, shtetet anëtare të BE-së kanë luftuar për reformën e azilit. Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje në Luksemburg, megjithëse nuk arritën të arrijnë unanimitet.

Planet kërkojnë trajtim dukshëm më kufizues të migrantëve pa asnjë perspektivë qëndrimi. Marrëveshja lejon procedurat e azilit në kufijtë e jashtëm të Evropës për herë të parë, në mënyrë që njerëzit me pak mundësi për të qëndruar në BE as mos të hyjnë as në BE. Për këtë do të krijohen qendra azili pranë kufijve. Nga atje, emigrantët do të dëbohen drejtpërdrejt.

Flamure te BE dhe Gjermanise
Fotografi: Oliver Boehmer/Zoonar/picture alliance

Prano ose paguaj

Ministri polak i Brendshëm, nacional-konservatori Mariusz Kaminski, për shembull, njoftoi se Polonia nuk do t'i paguajë kompensim një fondi të BE-së për azilkërkuesit që nuk pranohen. Ky kompensim, 20000 euro për azilkërkues, është i detyrueshëm sipas rregullave të reja të solidaritetit, nëse një vend nuk mirëpret aq azilkërkues sa duhet sipas popullsisë së tij.

Ekspertja e migracionit, Helena Hahn, nga Qendra e Politikave Evropiane, dyshon se sistemi i ri do të funksionojë mirë: "Ne pamë deri në fund që u ndesh me rezistencë nga disa shtete anëtare, përfshirë Poloninë. Ata thonë se këto kosto janë shumë të larta. Kjo është arsyeja pse mund të presim më shumë opozitë”.

Vendet me një normë pranimi nën 20 përqind

Pavarësisht kundërshtimit masiv ndaj "solidaritetit të detyrueshëm" me vendet shumë të ngarkuara të hyrjes së parë si Greqia, Italia, Qiproja dhe Malta, Ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser beson se vendimi i marrë në Luksemburg është një vendim "historik" që nuk ishte i lehtë për askënd.

Kush preket nga procedurat kufitare?

Procedurat në kufijtë e jashtëm fillimisht do të zbatohen vetëm për migrantët nga vendet, shkalla e njohjes së të cilëve është nën 20% mesatarisht në BE; pra kërkesa e të cilëve është haptazi e pabazuar, sepse ata vijnë nga një vend relativisht i sigurt. Kjo ka të bëjë, për shembull, për njerëz nga Turqia, India, Tunizia, Serbia apo Shqipëria. Procedurat duhet të zgjasin maksimumi dymbëdhjetë javë.

Shumica e refugjatëve - për shembull nga Siria, Afganistani apo Sudani - pritet të vazhdojnë të kenë të drejtën për një procedurë normale. Vitin e kaluar, rreth 966.000 kërkesa për azil u depozituan në BE, nga të cilat më shumë se një në katër - 252.000 - u bënë në Gjermani.

Refugjatë në Catania, 08.06.02023
Refugjatë në Catania, 08.06.02023Fotografi: Orietta Scardino/ZUMAPRESS/picture alliance

Kthimi në vendet e treta

Personat, kërkesa për azil e të cilëve është refuzuar gjatë procedurës kufitare, sipas rregullave të reja, mund të kthehen shpejt në vendin e tyre të origjinës ose në vende të tjera të treta.

Në të ardhmen, shtetet dëbuese, pra Greqia dhe Italia, mund të vendosin vetë nëse një vend i tretë është i përshtatshëm për riatdhesim. Nuk do të ketë më një listë në mbarë BE. Italia, Greqia dhe Austria këmbëngulin që emigrantët e refuzuar të deportohen në të ashtuquajturat vende të treta të sigurta. Këto vende përfshijnë për shembull Tunizinë ose Shqipërinë.

Gjermania donte ta parandalonte këtë nëse të dëbuarit nuk kishin lidhje të ngushta me këto vende të treta, për shembull nëpërmjet familjes së tyre. Por sipas Komisionit Evropian dhe Presidencës suedeze të Këshillit, mjafton që emigrantët thjesht të kenë kaluar tranzit nëpër një vend.

Cili është qëndrimi i qeverisë gjermane?

Qeveria gjermane dëshiron të bëjë ndryshime në marrëveshjen e fundit evropiane të azilit. Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Hebestreit e bëri të qartë në Berlin se donte të përfitonte nga negociatat e ardhshme me Komisionin Evropian dhe Parlamentin Evropian.

Hebestreit tha në Berlin se marrëveshja ishte një kompromis në të cilin duheshin gëlltitur pilula të hidhura. Për qeverinë gjermane, ndryshimet e dëshiruara synojnë mbi të gjitha mbrojtjen më të mirë të familjeve me fëmijë të mitur. Hebestreit iu referua notës së protokollit që qeveria gjermane hartoi për këtë temë në bashkëpunim me Luksemburgun, Portugalinë dhe Irlandën.

Si është pritur kompromisi?

Organizata Pro Asyl e sheh kompromisin si një "sulm frontal ndaj të drejtës për azil". Drejtori i departamentit evropian të organizatës për të drejtat e njeriut, Kopp, e ka quajtur në Redaktionsnetzwerk Deutschland një "gabim historik” të koalicionit tringjyrësh në pushtet në Gjermani. Amnesty International u shpreh në të njëjtin drejtim.

Hungaria dhe Polonia duan ta rikthejnë këtë temë në agjendën e samitit evropian më 29 dhe 30 qershor në Bruksel. Përveç kësaj, vendet e BE ende duhet të arrijnë një marrëveshje me Parlamentin Evropian. Kjo konsiderohet shumë e vështirë, pasi pozicionet ndryshojnë "me kilometra" sipas diplomatëve. Qeveria gjermane po bën presion që reforma e azilit të përfundojë përpara zgjedhjeve evropiane në qershor 2024.

aud ( B.Riegert, dlf)