1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE: Pavarësisht protestave, kursimet vazhdojnë

Bahri Cani15 Mars 2013

Në Bruksel po zhvillohet samiti i shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, ku u debatua edhe për krizën ekonomike, papunësinë dhe çështjet e buxhetit. Në rend dite janë dhe disa tema të tjera.

https://p.dw.com/p/17yMe
Konsultimet në samit
Konsultimet në samitFotografi: Reuters

Shtetet e Bashkimit Evropian duan ta vazhdojnë kursin e tyre të kursimeve, pavarësisht protestave në rritje në këto vende. Krerët e shteteve dhe qeverive janë të vetëdijshëm për zhgënjimin dhe iritimin e një pjesë të popullsisë, u tha në ditën e parë të samitit të BE-së. "Megjithatë shkaqet e krizës duhet të luftohen edhe më tej", deklaroi presidenti i Këshillit të BE-së Herman Van Rompuy, në përfundim të ditës së parë të samitit që po zhvillohet në Bruksel.

Kjo ka të bëjë me reduktimin e borxheve dhe në të njëtën kohë me rritjen e ekonomisë dhe me hapjen e vendeve të reja për punë, u tha. Presidenti i Komisionit të BE-së, Jose Manuel Baroso theksoi se buxhetet e shteteve anëtare do të duhej të konsolidohen në mënyrë graduale dhe konstante, me qëllim tejkalimin sa më të shpejtë të krizës financiare dhe ekonomike në vendet e Eurozonës dhe në vendet e tjera të Bashkimit Evropian.

Merkel kërkon zgjidhjen e problemeve

Angela Merkel
Angela MerkelFotografi: AFP/Getty Images

Kancelarja gjermane Angela Merkel theksoi se BE-ja mund t'i zgjidhë problemet e saj vetëm në qoftë se këto vende operojnë me një politikë të përbashkët ekonomike. Në qendër të diskutimeve, sipas Merkelit, në takimin e Brukselit ka qenë luftimi i papunësisë tek të rinjtë. Shifrat e papunësisë tek të rinjtë janë alaramnate veçanërisht në Greqi dhe Spanjë, ku ka një rekord papunësie rreth 50 për qind. Niveloi i përgjithshëm i papunësisë në këto vende edhe këtë vit, sipas prognozave, do të jetë më i larti në Eurozonë, me rreth 27 përqind. Niveli i papunësisë në Francë dhe Itali do të jetë rreth 11 %, ndërsa në Gjermani rreth 6 %, vlerëson Komisioni Evropian. Një nivel edhe më të ulët papunësie në Eurozonë do të ketë Austria, me më pak se 5 %, thuhet në prognoza.

Këtë të premte do të ketë një takim të posaçëm të ministrave të financave të Eurozonës për Qipron që është përfshirë nga borxhe të mëdha. Ndërkohë që në ditën e dytë të samitit do të bëhet fjalë edhe për krizën në Siri. Disa vende kanë paralajmëruar mundësinë e armatimit të njëanshëm të përfaqësuesve të opozitës, por kjo ide ka hasur në kundërshtim, me shpjegimin se do të hapej rruga për armatimin edhe më të madh të forcave qeveritare.