1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE: Pasoja nëse Kosova dhe Serbia nuk ulin tensionet në veri

30 Qershor 2023

Këshilli i Bashkimit Evropian kërkon shpërshkallëzimin e menjëhershëm të gjendjes në veri të Kosovës dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të parakohshme në veri. Në rast të kundërt priten pasoja.

https://p.dw.com/p/4THxk
BE kërkon shpërshkallëzimin e menjëhershëm të gjendjes në veri të Kosovës
BE kërkon shpërshkallëzimin e menjëhershëm të gjendjes në veri të Kosovës Fotografi: Geert Vanden Wijngaert/AP/dpa/picture alliance

Këshilli i Bashkimit Evropian bëri thirrje për shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri të Kosovës duke paralajmëroi masa ndëshkuese në rast se Kosova dhe Serbia dështojnë.

Udhëheqësit e vendeve anëtare të BE-së pas samitit dy ditor në Bruksel theksuan se zgjidhja e problemeve në veri të Kosovës duhet bërë në bazë të rekomandimeve të 3 qershorit të Bashkimit Evropian, që përfshijnë "pezullimin e operacioneve policore, që kryetarët e komunave t'i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të tjera, shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme dhe pjesëmarrjen në zgjedhje të serbëve të Kosovës.

Pasoja negative

Kosovës dhe Serbisë u kërkohet të krijojnë kushtet për zgjedhje të parakohshme në të katër komunat në veri të Kosovës. "Dështimi për të shpërshkallëzuar tensionet do të ketë pasoja negative”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Bashkimit Evropian.

Josep Borrell
Josep BorrellFotografi: Sierakowski/EUC/ROPI/picture alliance

Po ashtu kërkohet që palët të vazhdojnë dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe zbatimin e shpejtë të marrëveshjes së normalizimit.

"Është thelbësore që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja i udhëhequr nga Përfaqësuesi i Lartë dhe zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të vazhdojë. Kjo përfshin themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në njoftim.

Plani tetë-pikësh i Kurtit nuk komentohet nga BE-ja

Një ditë më parë kryeministri i Kosovës Albin Kurti paraqiti njëplan tetë-pikësh për shtensionimin e situatës në veri, duke e kushtëzuar tërheqjen e forcave policore nga objektet komunale me reduktimin e dhunës, ndërsa për zgjedhjet e parakoshme, ai ka kërkuar organizimin e një peticioni që duhet të mbështetet nga të paktën 20% për qind e votuesve. Në planin e tij kryeministri Kurti nuk e përmend çështjen e Asociacionit. BE-ja nuk e ka komentuar planin e Kurtit. 

Albin Kurti
Albin KurtiFotografi: ARMEND NIMANI/AFP/Getty Images

Po ashtu pak para fillimit të Samitit të Këshillit të BE-së, qeveria e Kosovës e  udhëhequr nga Albin Kurti, shpalli terroriste dhe kërcënim për rendin kushtetues të Kosovës, dy organizata të serbëve të veriut, "Mbrojtjen Civile, e njohur si "Civilna Sastita”, dhe Brigadën e Veriut e njohur si "Brigada Sever”. Disa nga ambasadorët e vendeve të Quintit në Kosovë, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca, thanë se për këtë vendim, qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe për këtë ata janë të habitur.

Lista Srpska: Planet e Kurtit janë djallëzore

Kurse Lista Srpska, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, tha se vendimi i qeverisë së Kosovës për të shpallur organizata terroriste "Mbrojtjen Civile” dhe "Brigadën e Veriut” është "pjesë të planit të regjimit të kryeministrit Kurti për të vazhduar me terrorin politik në veri të Kosovës dhe arrestimin e serbëve”.

"Planet që dalin nga ky vendim tregojnë se në vend të shtensionimit në bazë të thirrjeve të gjithë bashkësisë ndërkombëtare dhe mbarë popullit serb, Kurti po planifikon përshkallëzim të mëtejshëm, represion dhe konsolidim të pushtetit parapolicor dhe pushtues në veri të Kosovës”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Lista Srpska kërkon nga NATO dhe BE-ja të vendosin trupa të KFOR-it dhe EULEX-it në veri të Kosovës
Lista Srpska kërkon nga NATO dhe BE-ja të vendosin trupa të KFOR-it dhe EULEX-it në veri të KosovësFotografi: Erkin Keci/AA/picture alliance

Lista Srpska u bëri thirrje "misioneve të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian në Kosovë, KFOR-it dhe EULEX-it, që të vendosin menjëherë forcat e tyre në veri të Kosovës, në mënyrë që të parandalojnë Kurtin që të realizojë planin e tij djallëzor dhe të rrezikojë paqen”.

Autoritet e Prishtinës zyrtare ndërkaq, sqaruan se "vendimi për shpalljen e organizatave ‘Mbrojtja Civile' dhe ‘Brigada e Veriut', organizata terroriste, nuk do të prekë askënd që mund të ketë kryer vepra penale para këtij vendimi”. Por, sipas ligjit në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë dhe ҫdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të ketë pasoja të rënda ligjore.

Gërvalla: Masat ndëshkuese të BE-së mesazhe të rrezikshme

Bashkimi Evropian edhe javën e shkuar edhe të premten pas Samitit, paralajmëroi masa ndëshkuese për Kosovën për shkak të mosndërmarrjes së hapave që janë kërkuar për të ulur tensionet në veri të Kosovës. Masat pritet të hyjnë në fuqi këtë javë. Këto masa ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, i cilësoi si "të panevojshme" dhe që sipas saj përcjellin "mesazh të rrezikshëm”.

"Ne mendojmë që masat e tilla janë të panevojshme për shkak se është shumë e rëndësishme që në një situatë të tillë në të cilën ndodhemi, mesazhi t'u dërgohet qartë dhe pa asnjë mundësi për keqkuptim atyre të cilët i kanë krijuar trazirat në pjesën veriore të Kosovës, në katër komunat tona”, tha ministrja Gërvalla. Sipas saj këto vendime të Brukselit po dërgojnë "mesazhe të rrezikshme” në Beograd.

Në mesin e masave të para ndëshkuese që ka parashikuar BE-ja për Kosovën janë: pezullimi i punës së të gjitha grupeve të punës për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA). Po ashtu është paralajmëruar se do të pezullohet financimi i programeve të BE-së, mosmiratimi i projekteve nga Fondi për Investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimi i takimeve në nivele politike.