BE me qëndrim të përbashkët për Sirinë
8 Shtator 2013"Sinjali për qëndrimin unik të një Evrope të bashkuar ndaj këtij konflikti të tmerrshëm është me rëndësi të paçmueshme", tha kancelarja gjermane Angela Merkel të shtunën (07.09), njofton zyra për shtyp e kancelares. Suksesi i takimit në Vlinius tregon se sa i duhur ishte vendimi gjerman në samitin e G20-ës në Shën Peterburg, që njëherë të punohet në arritjen e një qëndrimi të përbashkët evropian. SHBA planifikojnë që të ndëshkojnë regjimin sirian për shkak të një sulmi të dyshuar me gaz helmues kundër opozitës. Sipas pikëpamjes së Uashingtonit për këtë nuk ka nevojë që të pritet raporti i ekspertëve të Kombeve të Bashkuara. Për dallim Merkel ka thejsuar se inspektorët e OKB-së duhet të dorëzojnë sa më shpejt që të jetë e mundur raportin e tyre para se bashkësia ndërkombëtare të ketë ndërmarrë veprime të mëtejshme.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian u konsultuan këtë të shtunë (07.09) në kryeqytetin lituanez, Vilna me ministrin e Jashtëm amerikan, John Kerry mbi konfliktin në Siri. Ministrat e 28 vendeve anëtare kërkojnë nga Shtetet e Bashkuara që të presin raportin e inspektorëve të armëve kimike të dërguar ditët e fundit nga Kombet e Bashkuara në Siri. Vetëm pas kësaj mund të merret vendimi përfundimtar për një goditje ushtarake kundër regjimit të Asadit. Shumica e shteteve anëtare të BE-së i qëndron skeptike një ndërhyrjeje ushtarake. Në samitin e G20-s në Shën Petersburg, krerët e shteteve dhe qeverive të 20 vendeve më të industrializuara të botës dhe atyre në ekspansion nuk ia dolën që të gjejnë një pozicion të përbashkët.
Kerry donte të informonte europianët se cilat janë hapat që planifikon qeveria amerikane në ditët e ardhshme. Agjencia e lajmeve AFP citon një përfaqësues të ministrisë së Jashtme amerikane me fjalët: "Ne duam të flasim me ta, se si mund të ndihmojnë për të krijuar një konsesus sa më të gjerë ndërkombëtar."
Ministri i Jashtëm austriak, Miachel Spindelegger paralajmëroi para takimit nga një goditje ushtarake. "Çdo përdorim i armëve kimike është një shkelje e rëndë e së drejtës ndërkombëtare dhe një krim kundër njerëzimit. Ne kemi nevojë për një sinjal të qartë. Por qëllimi nuk justifikon mjetet."
Hollande ndërron qëndrim: Fillimisht raporti i OKB-së
Të premten presidenti francez, Francois Hollande u shpreh pas përfundimit të samitit të G20-s në Shën Petersburg se edhe ai para veprimeve ushtarake synon të presë rezultatet e raportit të inspektorëve të OKB-së. SHBA dhe Franca kishin nrënë në ujdi më parë për të ndëshkuar ushtarakish regjimin e Asadit për përdorimin e armëve kimike në sulmin e 21 gushtit, ku mbetën të vrarë qindra vetë.
11 shtete të G20-s nënshkruan një deklaratë, në të cilën kërkohen reagime të vendosura ndërkombëtare kundrejt regjimit Bashar al-Asadit.
Edhe Gjermania vendosi ta nënshkruajë më në fund deklaratën për Sirinë të 11 shteteve të G-20-ës, pasi 28 shtetet anëtare të BE ranë dakord për një qëndrim të përbashkët. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle tha të shtunën në kuadër të takimit me kolegët e BE në Vilnius të Lituanisë se kancelarja Angela Merkel dhe ai patën vendosur që në fund ta mbështesin deklaratën e vendeve të G-20-ës, pasi patën parë qëndrimin e shkëlqyer dhe shumë të mençur të BE në çështjen e Sirisë. Në Vilnius, ministrat e Jashtëm ranë dakord që të kërkojnë një përgjigje të vendosur për përdorimin e gazit helmues në periferinë e Damaskut, që kërkoi qindra të vrarë.