1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE ka nevojë për një zgjidhje për Ballkanin Perëndimor

23 Qershor 2022

Qeveritë e BE duket janë dakord që Ukraina e Moldavia të marrin statusin e vendit kandidat për në BE. Por si do dalë BE nga ngërçi i krijuar me Ballkanin Perëndimor? Eurodeputetja holandeze Sophie In't Veld e ka një ide.

https://p.dw.com/p/4D6ZE
Sophie In't Veld
Eurodeputetja holandeze, Sophie In't VeldFotografi: Jonathan Borg/Xinhua/imago images

Takimi i Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor që po zhvillohet të enjten (23.06) në Bruksel u parapri nga një dramë e pazakontë. Të mërkurën madje u mendua, se ai do të dështonte, për shkak të mosardhjes së disa krerëve ballkanikë. Ishte kancelari gjerman Olaf Scholz, që shprehu madje mirëkuptim për pakënaqësinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor. "Kur ngjall shpresa, kur i ke futur këto vende në një rrugë dhe kur i bind se ia vlen që të ecin në rrugën drejt BE-së, dhe ata i bëjnë të gjitha përpjekjet, rrezikojnë konflikte politike brenda vendit, madje, një vend, Maqedonia e Veriut, ndryshon edhe emrin që të mos jetë në grindje me Greqinë, atëherë është konsekuente që vendimmarrësit dhe qytetaret dhe qytetarët e tyre ta shprehin pakënaqësinë që kanë", tha Scholz të mërkurën në Bundestag.

Deutschland Plenarsitzung im Bundestag in Berlin Bundeskanzler Olaf Scholz
Fotografi: Christian Spicker/IMAGO

"Ne rrezikojmë që t'i humbasim këta njerëz"

Bashkimi Europian duhet të gjejë një zgjidhje për Ballkanin Perëndimor. Eurodeputetja liberale holandeze, Sophie In't Veld, megjithëse e përshëndet sinjalin për Ukrainën është shprehur, se "e kuptoj dhe e ndaj zhgënjimin (e vendeve të Ballkanit). Sipas saj BE e rrit rrezikun në këtë rajon nëse e lë mënjanë Ballkanin. "Ne rrezikojmë që t'i humbasim këta njerëz, ne e shohim se Rusia dhe Kina atje e kanë një këmbë brenda dhe i ndikojnë zemrat dhe gjendjen e njerëzve." Në BE ka shqetësim për kursin miqësor rus të Serbisë.

Prandaj eurodeputetja holandeze kërkon, ashtu si edhe Të Gjelbrit në Parlamentin Europian që BE me vendet e Ballkanit Perëndimor të dakordohet për një plan realist veprimi brenda një kohe të përcaktuar. Nuk mund të kërkosh nga këto vende, që të reformohen, dhe pastaj të votosh për anëtarësimin e tyre një brez më vonë, thotë Sophie In't Veld.

Österreich | Bundeskanzler Alexander Schallenberg
Ministri i Jashtëm austriak, Alexander SchallenbergFotografi: Lisa Leutner/AP Photo/picture alliance

Eurodeputetja Sophie In't Veld është në një linjë me këtë qëndrim me ministrin e Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg, i cili ka kërkuar në një non-paper për BE që "të ketë  një integrim me faza, pa e ndryshuar procedurën." Që do të thotë, që vendet e Ballkanit Perëndimor që i plotësojnë kriteret në fusha të caktuara të trajtohen si vende anëtare. Kjo mund të vlejë për fushën e transportit, energjisë apo shkencës, ka thënë Schallenberg.