1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE dëshiron sanksione kundër Bjellorusisë

15 Gusht 2020

Ministrat e jashtëm të BE-së diskutuan gjatë një video-takimi të posaçëm për situatën në Bjellorusi dhe duan t'i ndëshkojnë me sanksione përgjegjësit për dhunën policore dhe mashtrimet elektorale.

https://p.dw.com/p/3gzlC
Polen Krakau Solidaritätsproteste mit Belarus
Fotografi: picture-alliance/NurPhoto/B. Zawrzel

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, në cilësinë e kryetarit të radhës së Këshillit të BE-së, tha pas takimit se presioni ndaj Presidentit bjellorus Aleksandër Lukashenko duhej të shtohet. Për këtë qëllim BE-ja do të kërcënojë me sanksione ndaj personave përgjegjës për keqtrajtimin e demonstruesve dhe numërimin e diskutueshëm të fletëve të votimit në zgjedhjet e së dielës së kaluar në Bjellorusi. Objekt i sanksioneve mund të bëhet edhe rrethi i ngushtë i drejtuesve politikë në Minsk. E hapur ka mbetur çështja nëse ndaj Presidentit bjellorus Lukashenko duhet të ndërmerren masa ndëshkuese.

Fjalë të ashpra në adresë të politikanëve bjellorusë

Ministri i Jashtëm polak, Jacek Czaputowicz tha pas video-takimit se Komisionit të BE-së i ishte dhënë detyra që të hartojë një listë me sanksione. Por para se të hyjë në fuqi kjo listë duhet të miratohet përsëri zyrtarisht nga ministrat e jashtëm. Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, do ta përpilojë këtë listë sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse ajo vetë u shpreh qartë në favor të sanksioneve përpara takimit të ministrave. Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn madje foli për "terrorizëm shtetëror" në Bjellorusi.

Polen Krakau Solidaritätsproteste mit Belarus
Protestë solidariteti me Bjellorusinë në Krakov të PolonisëFotografi: picture-alliance/NurPhoto/B. Zawrzel

Fqinjët e drejtpërdrejtë të Bjellorusisë, Polonia, Lituania dhe Letonia kërkuan përsëritjen e zgjedhjeve presidenciale nën mbikëqyrjen ndërkombëtare. Kryeministri çek Andrej Babis madje propozoi një samit të posaçëm të krerëve të shteteve dhe të qeverive të BE-së për Bjellorusinë.

Hungaria ende skeptike

Hungaria është njëherë për një herë kundër sanksioneve ndaj udhëheqjes së Bjellorusisë. "Ne jemi të interesuar që BE-ja të marrë vendime të bazuara në dialog që nuk e bëjnë të pamundur zhvillimin e ardhshëm të marrëdhënieve midis BE-së dhe Bjellorusisë," tha ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto të enjten.

Ungarn, Budapest: Außenminister Peter Szijjarto hält eine Pressekonferenz
Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto Fotografi: Reuters/B. Szabo

Kryeministri hungarez Viktor Orban ishte së fundi për vizitë në Bjellorusi ku u takua edhe me presidentin Lukashenko me të cilin ranë dakord për një bashkëpunim të gjerë ekonomik. Që të miratohen sanksionet nevojitet edhe vota pro e Hungarisë, sepse votimi duhet të jetë i njëzëshëm.

Para katër vjetësh BE-ja i hoqi sanksionet kundër 173 funksionarëve të aparatit shtetëror në Bjellorusi, sepse dukej se në Minsk në atë kohë po ndryshonte diçka. Presidenti Lukashenko ka shërbyer si një lloj ndërmjetësi në konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës. Takimet vendimtare u zhvilluan në kryeqytetin Minsk dhe për këtë arsye bisedimet quhen "Procesi i Minskut". Po ashtu Bjellorusia përfiton, megjithëse në një masë të vogël, fonde edhe nga programi i BE-së për fqinjësinë. Edhe pse Bjellorusia bashkëpunon po ashtu me NATO-n në disa sektorë, ndaj saj BE-ja ka vendosur një embargo të përgjithshme armësh, që ekziston ende.

Bernd Riegert, me kostum dhe kravatë të kuqe, me kostum blu dhe këmishë bojëqielli.
Bernd Riegert Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE