BE: Jo më lehtësime vizash për shtetasit rusë
31 Gusht 2022Ky vendim vjen 15 vjet pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes për lehtësimin e procedurave për viza turistike Schengen për shtetasit rusë. Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, e konfirmoi vendimin në konferencën për shtyp, pas një takimi jo formal të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE, të zhvilluar të mërkurën (31.08) në Pragë, të fokusuar në pasojat globale të agresionit rus ndaj Ukrainës. "Marrëveshja me Rusinë, e arritur në vitin 2007 që lehtësonte marrjen e vizave Schengen për shtetasit rusë u anulua plotësisht. Ky vendim është një përqasje e përbashkët që do të parandalojë "një blerje të mundshme vizash” nga rusët.
Jo pezullim i përgjithshëm
Gjithësesi vendimi nuk e ndalon krejtësisht dhënien e vizave për shtetas rusë dhe nuk e bën të pamundur marrjen e vizës, tha Borrell në konferencën për shtyp. "Ka një mirëkuptim të përbashkët nga vendet anëtare të BE-së që vizat të jepen në baza individuale, sidomos për grupe të veçanta njerëzish. Ne nuk duam të shkëputemi nga ata rusë që janë kundër luftës në Ukrainë. Ne nuk duam të shkëputemi nga shoqëria civile ruse."
Marrëveshja mes BE dhe Rusisë për lehtësimin e procedurave të marrjes së vizave Schengen u pezullua pjesërisht në fund të shkurtit të këtij viti për shtetasit rusë, të afërt me Putinin, biznesmenë dhe mbajtës pasaportash diplomatike. Pezullimi i pjesshëm nuk preku rusët e zakonshëm që deri tani kanë përfituar nga procedurat e lehtësimit të marrjes së vizave Schengen.
Baerbock: Viza Schengen për gazetarë dhe studentë rusë
Vendimi erdhi pas kundërshtimit të Gjermanisë, të Francës dhe të Belgjikës për ndalimin e plotë të vizave për shtetasit rusë me arësyetimin që "kjo do të ndëshkonte edhe rusët që kundërshtojnë luftën në Ukrainë, apo që dëshërojnë të hyjnë në vendet e BE për qëllime humanitare."
Ministrja e Jashme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha që "Gjermania u ka dhënë viza Schengen njerëzve që me guxim kanë vendosur të largohen nga Rusia, p.sh. gazetarëve që duan të raportojnë nga Bashkimi Evropian ose studentëve që largohen. Dhe unë dëshëroj që kjo mundësi për ata të vazhdojë.”
Rrezik sigurie nga turistët rusë
Josep Borrell tha në konferencën për shtyp se "që nga mesi i korrikut ka pasur një rritje të konsiderueshme të kalimeve kufitare nga Rusia në shtetet fqinje, gjë që përbën një rrezik sigurie për këto shtete."
Burime nga zyra e shtypit të Këshillit Evropian citojnë Ministrin e Jashtëm të Finlandës, Pekka Haavisto, sipas të cilit duke filluar nga 1 shtatori Finlanda do të japë vetëm 10 përqind të numrit të vizave që ka dhënë zakonisht, para vendimit të marrë tani nga BE-ja.
"Ky veprim duhet të merret nga gjithë vendet anëtare të BE. Në një kohë që ukrainasit po vuajnë, turizmi nuk duhet të vazhdojë normalisht, duhet të ketë kufizime me vizat turistike”, tha Pekka Haavisto.
Në Shqipëri hetohen turistë rusë për spiunazh
Në Shqipëri po zhvillohen hetime ndaj dy turistëve rusë dhe një ukrainas të arrestuar dhe të dyshuar për spiunazh. Ata u kapën nga Policia e Shtetit kur tentuan të hynin në uzinën ushtarake në Gramsh, që konsiderohet objekt strategjik nga autoritetet vendase të mbrojtjes.
Dyshimet bazohen në kundërshtimin e tyre ndaj thirrjeve të rojeve ushtarake për të ndaluar dhe përdorimin e lëndëve kimike paralizuese, të cilat u shkaktuan rojeve plagë në fytyrë dhe probleme me shikimin. Pas lënies në fuqi të masës së arrestit nga gjykata, prokuroria po heton për veprat penale "goditje për shkak të detyrës" dhe "sigurim i informatave në bashëpunim."
Sipas organit të akuzës dyshimet ndaj tyre bazohen në prova, sipas të cilave rusët e ardhur në Shqiperi si turistë, janë të rekrutuar nga shërbimet sekrete të Rusisë për të kryer misionin e marrjes së informatave për objekte të klasifikuara si strategjike.
Dy turistët rusë dhe ai ukrainas kanë mohuar se janë të rekrutuar nga shërbimet sekrete ruse dhe kanë këmbëngulur se kanë ardhur në Shqipëri vetëm për turizëm.